Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 31 Korrik 2019

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Durrës – Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Gjobëvënësit”. Operacioni nga Seksioni për Hetimin ndaj Personit e Pasurisë, në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me Forcat e Posaçme Operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë. Në pranga 3 shtetas për gjobëvënie ndaj një biznesmeni, njëri prej tyre me rrezikshmëri të lartë në fushën e krimeve ndaj personit. Sekuestrohet një sasi eurosh, e paguar si kësti i radhës nga biznesmeni. Pas një hetimi me metoda speciale, u finalizua me sukses operacioni policor i koduar “Gjobëvënësit”, si rezultat i të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit: L. Z., 45 vjeç, banues në Fushë Krujë, me rrezikshmëri të lartë në fushën e krimeve ndaj personit, E. Sh., 26 vjeç, banues në Krujë dhe K. E., 40 vjeç, banues në Xhafzotaj, Durrës. Arrestimi i tyre u bë pasi këta shtetas në bashkëpunim me njëri – tjetrin me anë të kanosjes dhe dhunës, kanë shtrënguar për dhënien e një pasurie prej 50 000 eurosh, shtetasin N. L., banues në Durrës. Gjatë operacionit, në momentin e ndërhyrjes, Policia sekuestroi shumën 5000 euro, të cilën e kishin vënë si këst të radhës për t’u paguar nga shtetasi N. L. Gjithashtu në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dhe 3 aparate celulare dhe 1 automjet. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, për hetime të mëtejshme në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë “, në bashkëpunim.

Durrës  – Finalizohet me sukses një tjetër operacion antikanabis i koduar “Mbikalimi”. Në pranga një shtetas për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” dhe “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”. Operacioni nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në bashkëpunim me Forcat e Posaçme “Shqiponja”, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Mbikalimi”, si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi K.Ç., 25 vjeç, banues në fshatin Toç, Tepelenë. Arrestimi i tij u bë pasi në bazë të informacioneve që disponoheshin për shtetasin K.Ç., se ai do të transportonte me automjetin e tij një sasi lënde narkotike Marjuanë për në Tiranë , në vendin e quajtur “Mbikalimi i Shkozetit”, Durrës. Nga kontrolli i ushtruar në automjetin e tij u gjetën rreth 42 kg lëndë narkotike e dyshuar Marjuanë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Gjithashtu nga kontrolli i dokumentacionit rezultoi ky shtetas nuk dispononte leje drejtimi. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së parë Durrës në ngarkim të shtetasit të mësipërm për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” dhe ” Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”.

Fier – Policia ndalon një tjetër shtetas, si autor të dyshuar të ngjarjes së ndodhur në datën 03.04.2019, ku u gjuajt me armë zjarri në drejtim të një subjekti tregtar. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, ndaluan shtetasin M.H., 33 vjeç, banues në Fier. Nga hetimet e zhvilluara, dyshohet se 33-vjeçari është bashkëpunëtor me shtetasin O.B ( i arrestuar në muajin prill 2019) për ngjarjen e ndodhur në datë 04.04.2019, në qytetin e Fierit, ku është qëlluar me armë zjarri në drejtim të një subjekti tregtar. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprat penale “Kanosja” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”.

Tiranë – Zbardhet vjedhja e bizhuterive me vlerë rreth 5000 euro, në banesën e një shtetaseje. Zbardhet dhe dokumentohet mekanizmi dhe metodat e ndjekura për të kryer vjedhjen. Në pranga 2 shtetas dhe 1 tjetër shpallet në kërkim, pasi dyshohet se kanë shantazhuar një të mitur për ta përdorur për të kryer vjedhjen. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 6 bënë kapjen dhe ndalimin e shtetasve V. H., 20 vjeç dhe F. H, 21 vjeç, Tiranë, si dhe kanë shpallur në kërkim shtetasin B.M., 46 vjeç, të tre banues në Kombinat, Tiranë. Këta shtetas në bashkëpunim me njëri – tjetrin kanë kryer vjedhjen e banesës së një shtetaseje, ku kanë marrë bizhuteri me vlerën rreth 5000 euro. Gjithashtu nga hetimet e kryera nën drejtimin e Prokurorisë, dyshohet se këta shtetas, po në bashkpunim me njëri-tjetrin kanë shantazhuar një të mitur 13 – vjeçar se do t’i publikonin një video intime që ia kishin bërë, me qëllin që ta përdorin këtë për të realizuar vjedhjen e banesës. Për arsye hetimore nuk jepen të dhëna të tjera.Materialet i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vjedhja, e kryer në bashkëpunim”, “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur”.

Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 123 shtetas, konkretisht: 24 janë arrestuar, 14 janë ndalur dhe 85 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndalur 10 shtetas pasi ishin shpallur në kërkim, 4 në Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Fier, 2 në Dibër, 1 në Elbasan, 1 në Gjirokastër.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 4 raste, konkretisht: 2 në Durrës, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë; 1 në Berat, ku autori është arrestuar në flagrancë; 1 në Fier, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 12 raste, konkretisht: 3 raste të “Kanosja”, 1 në Tiranë, 2 në Elbasan; 3 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, në Tiranë dhe 6 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 2 në Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Korçë, 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të veprës penale “Dhuna në familje”, konkretisht: 2 në qarkun Tiranë, me 1 autor të ndaluar dhe 1 autor të arrestuar në flagrancë; 1 në Vlorë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë, si edhe janë plotësuar 10 kërkesë – padi për lëshim të menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 9 raste, konkretisht: 1 në qarkun Vlorë, ku autori është arrestuar në flagrancë; 1 në Korçë dhe 1 në Gjirokastër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë, si edhe 6 raste të tjera, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 12 raste të veprës penale “Ndërtimi pa leje”, 5 në qarkun Tiranë, 2 në Durrës, 1 në Elbasan, 1 në Korçë, 1 në Vlorë, 1 në Lezhë, 1 në Dibër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e shkatërrimit të pronës është evidentuar 1 rast, në qarkun Tiranë, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 shtetas që ka kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme, i cili po procedohet në gjendje të lirë.

Në të gjithë territorin janë evidentuar 10 raste aksidentesh, me 15 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Është evidentuar dhe proceduar 1 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, në qarkun Berat.

Janë evidentuar dhe proceduar 10 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, 1 në Tiranë, 3 në Korçë, 1 në Durrës, 2 në Berat, 1 në Fier, 2 në Lezhë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.

Në gjithë territorin vijon operacioni për evidentimin dhe ndëshkimin e personave që merren me organizimin e paligjshëm të lojërave të fatit.