Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 30 dhjetor 2021

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Sarandë – Zbardhet dhe dokumentohet vjedhja e një shume të konsiderueshme parash, më datë 11.12.2021, në një supermarket në Sarandë. Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Fundviti”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë. Operacioni i zhvilluar nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë. Vihen në pranga 2 shtetas. Sekuestrohen shumat 400.000 lekë, 2500 dollarë dhe 1000 paund, 2 automjetet me të cilat janë larguar autorët pas ngjarjes, 4 telefona celular, 3 pajisje DVR dhe 2 laptop. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë dhe vënien e autorëve para përgjegjësisë ligjore, pas një pune të mirëfilltë hetimore, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin “Fundviti”, në kuadër të të cilit u vunë në pranga shtetasit: E. D.(Gj.), 40 vjeç, banues në Tale, Lezhë, i dënuar më parë në Itali, për “Vjedhje” dhe “Dhunë/sulm ndaj forcave të policisë” dhe B. C., 37 vjeç, banues në Sarandë.  Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vjedhur një sasi të konsiderueshme parash, në një supermarket në lagjen nr.4, në Sarandë, më datë 11.12.2021.  Shtetasi B. C. ka qenë i punësuar si teknik i kamerave të sigurisë në këtë supermarket dhe nëpërmjet telefonit të tij ka kontrolluar shumën e parave që gjendeshin në ambientet e këtij subjekti. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar shumat 400.000 lekë të rinj, 2500 dollarë amerikan, 1000 paund britanik, 2 automjete me të cilat autorët janë larguar pas ngjarjes, 4 telefona celular, 3 pajisje DVR dhe 2 laptop. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vjedhja” kryer në bashkëpunim.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 52 shtetas, konkretisht: 5 janë ndaluar, 15 janë arrestuar në flagrancë dhe 32 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 3 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 2 raste, me 2 të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 7 raste: 2 raste të “Kanosja”, 1 në Durrës dhe 1 në Korçë, 3 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Elbasan, 1 në Berat dhe 1 në Fier; 2 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Berat dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e dhunës në familje janë evidentuar 3 raste, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 7 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 5 raste, 1 rast në Korcë, më 1 autor të arrestuar në flagrancë, dhe 4 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 2 raste të ndërtimit pa leje, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Është proceduar penalisht 1 shtetas, në Gjirokastër, për vjedhje të energjisë elektrike.

Janë proceduar penalisht 3 shtetas, 1 në Tiranë, 1 në Fier dhe 1 në Lezhë, për shkatërrim prone.

Në Tiranë është arrestuar në flagrancë 1 shtetas, për mbajtje pa leje të armëve të ftohta dhe 1 tjetër për “Trgtimi dhe transportimi i malrave që janë kontrabandë”.

Janë proceduar penalisht 4 shtetas, për veprën penale “Kundërshtimi i punonjëjsit që kryhen një detyrë shtetërore ose nje funksion publik”, 2 në Korçë dhe 2 në Tiranë.

Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 6 aksidente, me 1 viktimë dhe 6 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Janë proceduar penalisht 4 shtetas, për “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.

Janë arrestuar në flagrancë 4 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Janë proceduar penalisht 4 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.