Korçë – Policia identifikon, lokalizon dhe arreston brenda pak minutash autorin e vjedhjes në një zyrë për dhënie kredie, nën kërcënimin e një pistolete lodër

Sekuestrohet pistoleta lodër dhe sasia e parave të vjedhura.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, rreth orës 15:45, pas marrjes së informacionit se në lagjen nr. 7, Korçë, në një zyrë e cila shërben për dhënie kredie, kishte hyrë një shtetas i paidentifikuar, i cili duke kërcënuar me një mjet në dukje si pistoletë, kishte marrë një vlerë monetare dhe më pas ishte larguar me shpejtësi, organizuan punën për identifikimin dhe kapjen e tij.

Falë reagimit në kohë, rrethimit të zonës dhe informacioneve të marra u bë i mundur identifikimi, lokalizimi, kapja dhe arrestimi i autorit të dyshuar, shtetasit B. A., 30 vjeç, banues në fshatin Vashtëmi, Maliq.

Gjithashtu shërbimet e policisë, gjatë kontrollit fizik të autorit, i gjetën një pistoletë lodër dhe shumën prej 5000 lekë të vjedhura.

Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprime të mëtejshme.