Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 3 Korrik 2019

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Kavajë – Finalizohet operacioni policor antidrogë i koduar “POROSIA E FUNDIT”. Operacion për goditjen e veprimtarisë kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza të vogla. Sekuestrohet rreth 11,7 kg cannabis sativa, 2 aparate celulare dhe një sasi lekësh. Në pranga 3 shtetas që ushtronin këtë veprimtari kriminale. Në vijim të punës për parandalimin dhe ndëshkimin e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, nga Seksioni i Policisë Kriminale ne Komisariatin e Policisë Kavajë, pas informacioneve të mara në rrugë operative, u finalizua me sukses operacioni Policor i koduar “Porosia e fundit”, gjatë së cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve M. K., 23 vjeç, lindur dhe banues në Kavajë, O. L. 25 vjeç, lindur dhe banues në Divjakë dhe E. M. 39 vjeç, lindur dhe banues në Divjakë. Si rezultat i operacionit në Kavajë, shërbimet e Policisë kapën në flagrancë shtetasin M. K., 23 vjeç, ku gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin e tij, iu gjet një sasi prej rreth 1 kg lëndë narkotike kanabis, si dhe një sasi lekësh që dyshohet se janë përfituar nga shitja e lëndës narkotike, dy aparate celulare që përdoreshin për të siguruar klientelë, si dhe një automjet që mundësonte shpërndarjen e lëndës narkotike. Operacioni më tej ka vijuar në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Divjakë, në fshatin Çermë, ku u bë arrestimi i shtetasit O. L., 25 vjeç, pasi gjatë kontrollit në magazinën e tij afër vendit ku banonte, iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi prej  rreth 10,7 kg lëndë narkotike kanabis. Po në kuadër të operacionit, u bë dhe kapja e arrestimi i shtetasit E. M., 40 vjeç banues në Zharnec – Divjakë. Nga hetimet paraprake rezultoi se shtetasit O. L, dhe E. M, siguronin lëndë narkotike dhe ia shisnin shtetasit  M. K., i cili më pas e shpërndante në doza të vogla, në qytetin e Kavajës. Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë, për veprime të mëtejshme hetimore për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” kryer në bashkëpunim.

Elbasan – Vijon puna për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Kapet dhe arrestohet përkohësisht një shtetas shqiptar me qëllim ekstradimi drejt Italisë. Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me Drejtorinë Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale dhe Interpol Tirana, pas një pune të mirëorganizuar dhe profesionale,  në bazë të informacioneve të marra, bënë  kapjen dhe arrestimin e përkohshëm me qëllim ekstradimin drejt Italisë të shtetasit shqiptar të shpallur në kërkim ndërkombëtar S. T., (alias V.D.,) 50 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan. Kapja dhe ndalimi i tij u bë pasi Gjykata e  Bergamos në Itali, ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja me paramendim”.Rrethanat e ngjarjes: më datë 10.10.1998, në Osio Sotto/Beragamo, shtetasi S. T., (alias V. D.), në bashkëpunim me shtetasin P. D., kanë qëlluar me armë zjarri automatikë në drejtim të shtetasve F. K. dhe A. K., të cilët kanë humbur jetën. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan për veprime të mëtejshme.

Tiranë – Në vijim të operacionit “CENTRALISTI” ndalohet një 29 – vjeçar i shpallur në kërkim për veprën penale “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën”. Seksioni i Krimit Ekonomik Financiar pranë DVP në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ndaluan shtetasin në kërkim F. P., 29 vjeç, banues në Berat. Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim, pasi Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka vendosur urdhrin e ndalimit për të më datë 19.02.2018 për veprën penale “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën”. Shtetasi i sipërpërmendur, në bashkëpunim me nëntë shtetas të tjerë të ndaluar më parë, ka siguruar të ardhura monetare nga ky aktivitet i paligjshëm, duke kryer aktivitetin e kundërligjshëm të rimbushjes dhe aktivizimit të paketave promocionale të një kompanie telefonie celulari (Itali). Së bashku shtetasit kanë përdorur aplikacione dhe platforma të kundraligjshme realizuar në vjedhje duke shpërdoruar detyrën në postet përkatëse të punës që kanë kryer pranë një kompanie Call-Center  në Tiranë dhe duke i shkaktuar një dëm të konsiderueshëm financiar kësaj kompanie. Materialet në ngarkim të tij u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë për veprime të mëtejshme

Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 90 shtetas, konkretisht: 5 janë arrestuar në flagrancë, 10 janë ndalur dhe 75 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndalur 3 shtetas pasi ishin shpallur në kërkim: 1 në qarkun Tiranë, i dënuar për veprën penale “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën”; 1 në Kukës, i dënuar për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”; 1 në Elbasan, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, i dënuar për veprën penale “Vrasja me paramendim”;

Në fushën e narkotikëve është evidentuar 1 rast, në qarkun Korçë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 14 raste, konkretisht: 2 raste të “Kanosja” 1 në qarkun Tiranë dhe 1 në Elbasan, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 2 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në qarkun Vlorë dhe 1 në Gjirokastër, me 5 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 9 raste “Dëmtime të tjera me dashje”, 4 në qarkun Tiranë, 1 në Berat, 1 në Korçë, 1 në Kukës dhe 2 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Plagosja e rëndë me dashje”, në qarkun Tiranë, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 4 raste të veprës penale “Dhuna në familje”, konkretisht: 2 në qarkun Tiranë, 1 në Durrës dhe 1 në Dibër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë, si edhe janë plotësuar 5 kërkesë – padi për lëshim të menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 14 raste, konkretisht: 2 në qarkun Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë; 2 në Elbasan, me 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 2 në Korçë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë; 1 në Lezhë dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë, si edhe 6 raste të tjera, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 15 raste të veprës penale “Ndërtimi pa leje”, kokretisht: 8 në qarkun Tiranë, 1 në Elbasan, 1 në Kukës, 1 në Fier, 3 në Vlorë dhe 1 në Gjirokastër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e shkatërrimit të pronës është evidentuar 1 rast, në qarkun Shkodër, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 6 shtetas që kanë kaluar kufirin në më mënyrë të paligjshme, të cilët po procedohen në gjendje të lirë.

Në të gjithë territorin janë evidentuar 7 raste aksidentesh, me 1 viktimë dhe 10 të lënduar jashtë rrezkut për jetën.

Janë evidentuar dhe proceduar 4 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, 1 në qarkun Tiranë, 1 në Durrës, 2 në Vlorë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.

Në gjithë territorin vijon operacioni për evidentimin dhe ndëshkimin e personave që merren me organizimin e paligjshëm të lojërave të fatit.