Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 29 Prill 2019

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara në parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Kurbin/Identifikohen dhe shpallen në kërkim autorët e dyshuar të vrasjes së dy shtetasve, ndodhur mbrëmjen e djeshme. Në lidhje me ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme në lagjen nr. 1 Laç, Kurbin, ku pas një konflikti për motive të dobëta u plagosën me armë zjarri dy shtetas të cilët më pas gjetën vdekjen në një nga spitalet private në Tiranë, Policia ngriti një grup të posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin për zbardhjen e kësaj ngjarjeje. Menjëherë sa është marrë njoftimi, në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë së Kurbinit si dhe grupi hetimor. Në vijim janë ngritur pika kontrolli në të gjitha rrugët që lidhen me qytetin e Laçit si dhe disa pika kontrolli në akset kryesore rrugore, Milot -Lezhë, Milot -Kurbin -Tiranë. Me mbështetjen e FNSH, janë kryer një sërë kontrollesh në banesa e vende të dyshimta ku mund të ishin fshehur autorët, si dhe janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë, 23 persona të cilët u pyetën në lidhje me ngjarjen. Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera nga grupi i posaçëm hetimor, rezultoi se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta, pas një konflikti të çastit, dhe se autorët e dyshuar të vrasjes janë shtetasit: M. B., 25 vjeç, M. B., 23 vjeç dhe V. B., 28 vjeç, të tre lindur e banues në Kurbin. Policia e Kurbinit vijon kontrollet intensive për gjetjen dhe kapjen e autorëve të dyshuar. Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Pare Kurbin, për veprime te mëtejshme hetimore, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera të cilësuara, në bashkëpunim” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”, parashikuar nga nenet 79/dh, 25 dhe 278/1 të Kodit Penal.

Tiranë-Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, plan masash për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza të vogla, në lokale apo në afërsi të shkollave. Kontrolle në të gjithë territorin e kryeqytetit në lokale, automjete dhe ambiente të ndryshme. Arrestohen në flagrancë 4 persona, si dhe procedohen në gjendje të lirë 10 shtetas të tjerë. Sekuestrohen doza me kokainë, kanabis, shiringa me lëndë narkotike heroinë, peshore elektronike e sende të tjera, që shërbenin për përpunimin dhe përgatitjen për shitje në doza të vogla, të drogave të forta. Kontrollet nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Skuadrat e Forcës së Posaçme “Shqiponjat” dhe Komisariatin e Policisë nr. 6.

Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 6 dhe Seksionin e Patrullave “Shqiponja”, në bazë të informacioneve operative që dispononte, në kuadër të goditjes dhe dokumentimin ligjor të aktivitetit kriminal në fushën e narkotikëve nga personave të ndryshëm që shpërndanin lëndë narkotike, të llojeve “Kokainë”, “Heroinë” dhe “Kanabis”, kanë organizuar kontrolle të befasishme në lokale e ambiente të tjera. Si rezultat u arrestuan në flagrancë shtetasit: Y.P., 19 vjeç, banues në Fushë Mëzes, Tiranë, K. P., 36 vjeç, banues në Fushë Mëzes, Tiranë. Janë proceduar në gjendje të lirë dy shtetas për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”. Shtetasve Y. P. dhe K. P., iu janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 11,1 gr. lëndë narkotike e dyshuar e llojit Kokainë, 1 peshore elektronike dhe një pjatë me mbetje të lëndës narkotike.

– Gjithashtu është kapur dhe arrestuar në flagrancë shtetasi H. A., 24 vjeç, banues në Tiranë, si dhe janë proceduar në gjendje të lirë dy shtetas të tjerë për veprën penale “Moskallëzimi i krimi”, pasi këta shtetas qarkullonin me automjet dhe pasi janë ndaluar, nga kontrolli fizik që është ushtruar mbi shtetasin H. A., Policia gjeti një sasi prej 3,6 gr. lëndë narkotike të dyshuar si “Kokainë”.

-Po në kuadër të kontrolleve është kapur në flagrancë shtetasi D. S., 19 vjeç, me banim në Tiranë, si dhe është proceduar në gjendje të lirë një shtetas tjetër, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”. Këta shtetas po udhëtonin me automjet dhe pasi janë ndaluar, nga kontrolli fizik i ushtruar mbi shtetasin D. S., Policia ka gjetur një sasi lënde narkotike të dyshuar si “Cannabis Sativa” të ndare në doza të vogla.

-Në vijim të kontrolleve janë kapur dhe proceduar në gjendje të lirë 2 shtetas, 40 e 29 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik u janë gjetur 2 shiringa me lëndë narkotike të dyshuar “Heroinë”, disa substanca te tjera të cilat janë dërguar për ekspertim te mëtejshëm.

-Po në kuadër të kontrolleve janë proceduar në gjendje të lirë edhe 2 shtetas 19 – vjeçarë dhe një 25 vjeçar, pasi janë gjetur me doza lënde narkotike të dyshuar si “Canabis sativa”. Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme

Në gjithë territorin vijon operacioni për evidentimin dhe ndëshkimin e personave që merren me organizimin e paligjshëm të lojërave të fatit. Në këtë kuadër , si rezultat i kontrolleve janë evidentuar dhe goditur tre raste, konkretisht dy raste në Pogradec dhe një rast në Durrës ku janë proceduar penalisht 3 shtetas për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara”. Kontrollet kundër aktivitetit të lojërave të fatit do të vijojnë, deri në ndëshkimin e subjektit të fundit që ushtron këtë aktivitet anti-ligjor. Policia e Shtetit fton këdo të denoncojë falas në numrin 112 ose përmes aplikacionit “Komisariati Digjital”, çdo veprimtari të tillë të kundërligjshme.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 73 shtetas, nga këta: 12 janë arrestuar, 1 i ndaluar, 60 ndiqen në gjendje të lirë.

Është ndaluar 1 shtetas në kërkim, në qarkun Shkodër i dënuar për veprën penale “Kanosja, Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake”

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 5 raste, konkretisht: 3 raste në qarkun Tiranë, 1 në qarkun Korçë dhe 1 rast në qarkun Gjirokastër ku janë arrestuar 2 autorë, të tjerët po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 7 raste, konkretisht: 1 rast i “Vrasja”, në Kurbin, 1 rast i “Kanosja” në qarkun Lezhë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë; 2 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”,1 rast në qarkun Tiranë, 1 në qarkun Elbasan me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast “Plagosje e lehtë nga pakujdesia” në qarkun Durrës, ku autori po procedohet në gjendje të lirë; 2 raste të “Dëmtime të tjera me dashje’’, 1 në qarkun Tiranë, 1 në Korçë, ku të gjithë autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 14 raste të “Dhuna në familje”, 5 raste në qarkun Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Lezhë, 1 rast në Shkodër, 1 në Kukës, 2 raste në Dibër, ku 4 autorë u arrestuan dhe 7 u proceduan në gjendje të lirë. Për rastet e tjera janë plotësuar kërkesë-paditë për lëshim të menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 14 raste, me 1 autorë të arrestuar dhe 1 të proceduar në gjendje të lirë. Për rastet e tjera po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 5 raste të veprës penale “Ndërtimi pa leje”, konkretisht: 3 raste në qarkun Tiranë, 1 në Elbasan, 1 në Dibër, ku të gjithë autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në territorin e Shqipërisë janë evidentuar 3 raste aksidentesh, me 3 persona të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar 3 drejtues mjeti që drejtonin mjetin nën efektin e alkoolit, 2 në qarkun Tiranë dhe 1 në Fier, të cilët janë arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 3 raste të “Shkatërrim prone”, 2 raste në qarkun Tiranë , 1 në Durrës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të kalimit të paligjshëm të kufirit, ku të gjithë autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.