Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 29 Korrik 2019

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Tiranë – Policia Rrugore e Tiranës godet një rast tjetër të mitëdhënës. Gjatë javës që lamë pas janë goditur edhe dy raste të tjera. Në funksion të patrullimeve me përzgjedhje për personat që drejtojnë mjetet pas përdorimit të alkoolit, rrugorët e kryeqytetit gjatë fundjavës, kanë ndaluar në rrugën “Don Bosko” drejtuesin e mjetit me iniciale A. B, 40 vjeç, i cili gjatë kontrollit policor, me qëllim shmangien e testimit për alkool, i ka ofruar agjentit verifikues një shumë lekësh. Në këto kushte efektivët e Policisë Rrugore, kanë bërë arrestimin në flagrancë të drejtuesit të mjetit, për veprën penale: “Korrupsioni aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”. Gjatë javës që lamë pas, si rezultat i shtimit të kontrolleve janë evidentuar dhe goditur edhe dy raste të tjera të mitëdhënies.

Vlorë – Policia Kufitare e Vlorës u vjen në ndihmë 5 shtetasve, të cilëve iu rrezikua jeta si pasojë e zjarrit të rënë në mjetin lundrues në të cilin ndodheshin. Mjeti lundrues i “Aqua Marine” duke qenë se punon me turistët nga Moli i Vlorës drejt Karaburunit, për shkak të luhatjeve të kohës, është shkëputur nga Moli i Vlorës në fundjavë dhe është ankoruar në Karaburun, me qëllim që të ishte e përgatitur për vozitjen e turistëve atje. Në orët e para të mëngjesit në Karaburun pranë plazhit të Shën Vasilit, në këtë mjet lundrues ka rënë zjarr duke u rrezikuar jeta e disa shtetasve. Pas njoftimit të marrë, Policia Kufitare me mjetet e saj lundruese, nën drejtimin orientues të QNOD Durrës, shkoi në ndihmë të personave që kërkuan ndihmë, duke bërë të mundur konstatimin e mjetit lundrues pranë gjirit të Dhimokushtës dhe shpëtimin e sigurt të personave në bordin e saj. Në këtë mjet lundrues ndodheshin 5 persona, të cilët nuk kanë probleme dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore. Si pasojë e flakëve, mjeti lundrues është djegur pothuajse plotësisht. Grupi hetimor po kryen veprimet e mëtejshme në lidhje me sqarimin e rrethanave dhe zbulimin e shkaqeve të rënies së zjarrit.

Dibër – Rreth orës 23:10, datë 28.07.2019, në lokalin e shtetasit L.D., në qytetin e Peshkopisë, ka ndodhur një shpërthim e për pasojë janë dëmtuar lehtë dy kalimtarë të rastit, si dhe janë shkaktuar dëme materiale. Grupi hetimor po kryen veprimet në vendngjarje, si dhe po punohet intensivisht për përcaktimin e shkakut të shpërthimit.

Lushnjë – Godasin me sende të forta një shtetas për motive të dobëta, si edhe kundërshtojnë me dhunë punonjësit e Patrullës, arrestohen në flagrancë dy shtetas. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë arrestuan në flagrancë shtetasit G.L., 31 vjeç, banues në Tiranë dhe M.V., 31 vjeç, banues në Lushnjë. Pas mesnate, në lagjen “Skënder Libohova” Lushnjë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, për motive të dobëta ata dyshohet se kanë goditur me mjete të forta shtetasin J.B., 30 vjeç, banues në Lushnjë. Pas telefonatës në numrin 112 të Sallës Operative, në vendngjarje shkuan punonjësit e policisë, por dy 31-vjeçarët nuk i janë bindur urdhërit të punonjësve të Patrullës për t’i shoqëruar, duke i kundërshtuar me dhunë. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë, për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së Rendit Publik”, “Mosbindja ndaj urdhërit të Policisë së Rendit Publik”, “Plagosja e lehtë me dashje”, “Prishja e qetësisë publike” të kryera në bashkëpunim”.

Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 95 shtetas, konkretisht: 18 janë arrestuar, 16 janë ndalur dhe 61 po procedohen në gjendje të lirë.

Është kapur 1 shtetas pasi ishte shpallur në kërkim, në Gjirokastër, I dënuar për veprën penale “Vjedhja”.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 4 raste, konkretisht: 1 në qarkun Tiranë dhe 1 në Dibër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 2 në Durrës, me 8 autorë të ndaluar dhe 8 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 7 raste, konkretisht: 3 raste të “Kanosja”, 1 në Tiranë, 1 në Elbasan dhe 1 në Lezhë; 3 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Tiranë, 1 në Korçë, 1 në Berat; 1 raste i “Dëmtime të tjera me dashje”, në Kukës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 5 raste të veprës penale “Dhuna në familje”, konkretisht: 2 në qarkun Tiranë dhe 1 në Vlorë, ku autorëtv janë arrestuar ; 2 në Fier, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë, si edhe  janë plotësuar 6 kërkesë – padi për lëshim të menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 19 raste, konkretisht: 2 në qarkun Tiranë, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 2 në qarkun Durrës, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë; 1 në Elbasan, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë; 1 në Lezhë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë, si edhe 13 raste të tjera, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 3 raste të veprës penale “Ndërtimi pa leje”, 1 në qarkun Tiranë dhe 2 në Berat, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e shkatërrimit të pronës janë evidentuar 2 raste, 1 në Berat, ku autori po procedohet në gjendje të lire dhe 1 në Lezhë, ku po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Është evidentuar 1 shtetas që ka kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme, i cili po procedohet në gjendje të lirë.

Në të gjithë territorin janë evidentuar 14 raste aksidentesh, me 1 viktimë dhe18  të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe proceduar 6 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, 2 në Tiranë, 2 në Durrës dhe 1 në Elbasan.

Janë evidentuar dhe proceduar 6 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, 1 në Elbasan, 1 në Fier, 1 ën Vlorë, 1 në Lezhë dhe 2 në Shkodër.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.

Në gjithë territorin vijon operacioni për evidentimin dhe ndëshkimin e personave që merren me organizimin e paligjshëm të lojërave të fatit.