Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 28 Qershor 2019

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Deklaratë e Zv. Drejtoreshës së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Aida Hajnaj

Policia e Shtetit ka arrestuar 14 persona, 3 ndiqen në gjendje të lirë dhe 9 shtetas të tjerë janë shpallur në kërkim, si të dyshuar për sulmin ndaj KZAZ nr. 6, në qarkun Shkodër.  Ndër ta, funksionarë të bashkisë Vau Dejës apo të zgjedhur lokalë.  Arrestimi i tyre u bë pasi më datë 27 Qershor 2019 rreth orës 20:00, këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me persona të tjerë, janë grumbulluar pranë KZAZ Nr. 6, e cila ndodhet në ambientet e shkollës “Ndre Mjeda” në fshatin Bushat. Ata kanë protestuar duke përdorur sende të forta dhe bomba molotov në drejtim të KZAZ, si dhe në drejtim të punonjësve të Policisë që ishin të vendosur me shërbim.  Për pasojë, janë plagosur 3 punonjës policie të Komisariatit të Policisë Vau Dejës, të planifikuar me shërbim pranë KZAZ, që ndodhen nën kujdes mjekësor, jashtë rrezikut për jetën. Gjithashtu janë djegur materialet zgjedhore të kësaj KZAZ. Policia ka arrestuar në flagrancë 14 shtetas, konkretisht: Admir Hasnegaj, 37 vjeç, nënkryetar i Bashkisë Vau Dejës, Lin  Gjoka, 33 vjeç, Punonjës i Bashkisë, Tom  Simoni, 55 vjeç, Punonjës i Bashkisë, Aleks Prendi, 46 vjeç, punonjës i Bashkisë, kujdestar konvikti, Tonin Xhevahiri, 53 vjeç, punonjës i pyjores së Bashkisë, Mirash Thepi, 58 vjeç banues në fshatin Pacram, Luçiano Kulli,25 vjeç , banues në fshatin Pistull, Izet  Brahimi, 27 vjeç, banues në fshatin Pistull, Klodian Tusha, 30 vjeç, banues në fshatin Kosmac, Arben Bakucaj, 39 vjeç, banues në fshatin Barbullush, Genc Qarri, 48 vjeç, banues në fshatin Barbullush, Pavlin Qoku, 46 vjeç, banues në fshatin Hajmel, Jetmir  Beqiri, 38 vjeç, banues në fshatin Kosmac, Mark Rrethatori 26  vjeç. Për këtë ngjarje, janë proceduar dhe ndiqen në gjendje të lirë 3 shtetas: Kastriot  Gjini, 33 vjeç, banues në fshatin Paçram, Vladimir Gjinaj, 34 vjeç, banues ne fshatin Paçram dhe Altin Fushaxhiu, 44 vjeç, banues ne fshatin Hajmel. Policia ka shpallur në kërkim 9 shtetas:     Benard Ndreca, 31 vjeç, Kryetar i Njësisë Administrative Hajmel, Donard  Kulli, 34 vjeç, kryeplak i fshatit Pistull, Isa Moriqi, 54 vjeç, kryeplak i fshatit Melgushë, Arben Moriqi, 49 vjeç, vëllai i kryeplakut fshatit Melgushë, Edion Hila, 31 vjeç, djali i kryetarit të Bashkisë, Gentian Ndoj, 34 vjeç, Sekretar i Bashkisë, Alfred Hila, 51 vjeç, vëllai i kryetarit të Bashkisë, Altion Krajni, 30 vjeç, Punonjës i Bashkisë dhe Gentian Moriqi , 38 vjeç, banues në qytet Vau Dejës. Materialet procedurale në ngarkim të autorëve të sulmit me bomba molotov dhe diegies së materialeve zgjedhore, i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Shkodër, për veprat penale të ‘’Shkatërrimi i pronës me zjarr’’, ’’Kundërshtimi me dhune i punonjësve të policisë rendit publik’’ dhe ‘’Dëmtimi i materialeve zgjedhor”, parashikuar nga neni 151/2, denimi nga 5 deri në 15 vjet.  Neni 236/2 denimi me gjobë, ose burg deri në 7 vjet. Neni 326/a dënimi me burg nga 6 muaj deri ne 5 vjet. Policia e Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë po vijon veprimet për të zbardhur rolin dhe aktivitetin e tyre apo personave të tjerë të implikuar. Policia e Shtetit siguron qytetarët se është tërësisht e angazhuar dhe ka marrë të gjitha masat për të garantuar procesin zgjedhor, duke goditur me ashpërsinë e forcës së ligjit çdo individ që përfshihet në aktivitet kriminal.

Tiranë – Finalizohet Operacioni  “TRANZIT”. Operacioni nga Seksioni Kundër Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, Komisariati i Policisë Kufitare Rinas në bashkëpunim me SH.Ç.B.A. Goditet një rast i tentativës për trafikim të qenieve njerëzore me qëllim shfrytëzimi për prostitucion. Në pranga 2 shtetas, si edhe një punonjëse e Policisë Kufitare Rinas. Shpallet në kërkim shtetasi që do të priste shtetasen e mashtruar për ta shfrytëzuar për prostitucion në Francë. Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kufitare Rinas në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative nga burime të ndryshme, finalizoi me sukses operacionin e koduar “TRANZIT”, ku u bë e mundur arrestimi i shtetasve  A.K., 29 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan, i dënuar më parë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” dhe A. Ç., 26 vjeç, lindur dhe banues në Librazhd. Këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin në Pikën e Kalimit Kufitar Rinas kanë tentuar të trafikojnë drejt Francës me qëllim shfrytëzimi për prostitucion një shtetase 26 – vjeçare, të cilën do ta priste në Francë shtetasi K.B, 33 vjeç, i cili dyshohet se do ta shfrytëzonte për prostitucion. Shtetasi K.B. është shpallur në kërkim dhe në bashkëpunim me Policinë Franceze po punohet për kapjen e tij. Po në kuadër të këtij operacioni në bashkëpunim me Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat  Tiranë u bë arrestimi në flagrancë i shtetases F.K. 30 vjeçe, me detyrë kontrollore pranë Komisariatit të Policisë Kufitare Rinas Tiranë. Kjo shtetase dyshohet se me veprimet e saj kundrejt ryshfetit dyshohet të ketë ndihmuar dhe lehtësuar procedurat e kalimit  deri në zonën tranzit të Rinasit për shtetasen 26 – vjeçare. Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për krimet e Rënda Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore për veprën penale “Trafikim i personave”, ”Shfrytëzimi i prostitucionit”, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Vlorë – Vijon puna për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Bashkëpunimi ndërmjet Policisë, Interpol Tirana dhe Komunitet, vë në pranga 42 – vjeçarin nga Vlora. Në vijim të punës intensive për kapjen e personave të shpallur në kërkim, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, falë edhe bashkëpunimit me qytetarët, Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Interpol Tirana, organizuan punën në grup për kapjen dhe arrestimin e 42 – vjeçarit M.Y në lagjen “Pavarësia” Vlorë. Gjykata e Breshias/Itali në vitin 2018, ka lëshuar urdhër arrestin ndërkombëtar ndaj shtetasit M.Y., për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike, kryer në bashkëpunim” sipas Kodit Penal Italian. Kjo Gjykatë, në Shkurt të vitit 2019 e ka dënuar shtetasin M.Y me 4 vjet burgim. Materialet i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë për veprime të mëtejshme.

Kamëz, Tiranë – Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5 Kamëz, Tiranë parandalojnë një ngjarje të rëndë kriminale. Marrja në kohë e informacionit si dhe ndërhyrja me profesionalizëm e Policisë të Komisariatit nr 5, parandaloi vrasjen e dy personave. Arrestohen në flagrancë dy shtetas, si dhe bllokohet në cilësinë e provës materiale një armë zjarri Kallashnikov, që dyshohet se do ta përdorin këta dy shtetas ndaj dy shtetasve të tjerë të përfshirë në konflikt. Shërbimet e Policisë  të Komisariatit të Policisë Nr. 5 Tiranë, pas marrjes së informacionit se në Valias po ndodhte nje konflikt i ashpër midis disa personave, organizuan menjëherë punën dhe me veprimet e shpejta dhe profesionale bënë të mundur parandalimin e mëtejshëm të këtij konflikti duke arrestuar në flagrancë dy shtetas B.S., 40 vjeç, banues ne Valias dhe S.S., 39 vjeç , banues në Valias, i dënuar më parë për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje . Gjithashtu falë veprimeve të shpejta është bërë e mundur edhe bllokimi i armës së zjarrit Kallashnikov me dy karikatore me fishekë, me të cilën këta dy shtetas dyshohet se do vrisnin dy shtetasit e tjerë të përfshirë në konflikt. Po në cilësinë e provës materiale është bllokuar dhe automjeti i autorëve të kësaj ngjarjeje tip Porsche Cayenne, me targë AA700MY. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Vrasja me dashje” e mbetur ne tentativë, e kryer në bashkëpunim dhe ”Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, vepra këto të parashikuara nga nenet 76, 22, 25 dhe  278/1  të K. Penal.

Bushat/ Shkodër – Shkon në 15 numri i të arrestuarëve për sulmin ndaj KZAZ dhe punonjësve të policisë. Nga Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Vau Dejës në këto momente është bërë kapja dhe ndalimi i shtetasit të shpallur në kërkim Alfred Hila, 51 vjeç, vëllai i kryetarit të Bashkisë Vau i Dejës. Kapja dhe ndalimi I tij u bë pasi më datë 27.06.2019, rreth orës 20:00, së bashku me shtetas të tjerë kanë sulmuar KZAZ duke përdorur sende të forta dhe bomba molotov në drejtim të KZAZ, si dhe në drejtim të punonjësve të policisë, ku për pasojë janë djegur materialet zgjedhore, si dhe janë dëmtuar tre punonjës policie të Komisariatit të Policisë Vau Dejës të planifikuar në shërbim pranë kësaj KZAZ-je. Vijon puna për kapjen e personave të tjerë të shpallur në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë ligjore. Materialet procedurale në ngarkim të autorëve të sulmit me bomba molotov dhe djegies së materialeve zgjedhore, i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprat penale të ‘’Shkatërrimi i pronës me zjarr’’, ’’Kundërshtimi me dhunë i punonjësve të policisë të rendit publik’’ dhe ‘’Dëmtimi i materialeve zgjedhore”, parashikuar nga nenet 151/2, 236/2 dhe 326/a të Kodit Penal.

Peqin – Vijon puna për kapjen e personave të shpallur në kërkim kombëtar. Kapet dhe ndalohet autori i pestë  i dyshuar për “Vjedhje me pasoja të rënda e kryer në bashkëpunim”. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Peqin,  në vijim të punë për kapjen e personave të shpallur në kërkim,  bazuar në informacionet e marra në rrugë operative  kanë bërë të mundur lokalizimin, kapjen dhe ndalimin e shtetasit E.J., 18 vjeç,  banues në Peqin, i cili ishte i shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Peqin. Kapja dhe ndalimi i tij u bë pasi  Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan,  ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”, pasi më datë 08.05.2019 , në Peqin, ky shtetas në bashkëpunim me shtetasit  B.H., M.Ll., S.I.,  dhe E.Sh.,  të cilët janë  arrestuar më parë, kanë hyrë në banesën e shtetasit S.Z.  dhe kanë vjedhur një sasi parash. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan për  veprimet e mëtejshme.

Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 90 shtetas, konkretisht: 10 janë arrestuar në flagrancë, 8 janë ndalur dhe 72 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndalur 6 shtetas pasi ishin shpallur në kërkim: 1 në Shkodër, i dënuar për veprat penale “Shkatërrimi i pronës”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Dëmtimi me dashje i materialeve zgjedhore” e mbetur në tentativë; 1 në qarkun Durrës dhe 1 në Korçë, të dënuar për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”; 2 në qarkun Elbasan, të dënuar për veprën penale “Vjedhja”; 1 në PKK Rinas, i dënuar për veprën penale “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”.

Është arrestuar 1 shtetas në kërkim ndërkombëtar, i dënuar nga Gjykata e Brescias, Itali, për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike”.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 13 raste, konkretisht: 3 raste të “Kanosja” 1 në qarkun Tiranë, 1 në Elbasan dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 6 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 2 në Korçë, 2 në Berat, 2 në Vlorë, me 7 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 4 raste “Dëmtime të tjera me dashje”, 3 në qarkun Tiranë dhe 1 në Vlorë, me 5 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 8 raste të veprës penale “Dhuna në familje”, konkretisht: 3 në qarkun Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 1 në Durrës dhe 2 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 2 në Korçë, me 1 autor të arrestuar në flagerancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë, si edhe janë plotësuar 9 kërkesë – padi për lëshim të menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 11 raste, konkretisht: 3 në qarkun Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe 8 raste të tjera, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 9 raste të veprës penale “Ndërtimi pa leje”, konkretisht: 1 në qarkun Tiranë, 1 në Durrës, 2 në Elbasan, 1 në Fier, 1 në Shkodër, 2 në Vlorë, 1 në Dibër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e shkatërrimit të pronës janë evidentuar 3 raste, në qarkun Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 shtetas që kanë kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme, të cilët po procedohen në gjendje të lirë.

Në të gjithë territorin janë evidentuar 7 raste aksidentesh, me 7 të lënduar jashtë rrezkut për jetën.

Është evidentuar dhe proceduar 1 shtetas që drejtonte mjetin në gjendje të dehur, në qarkun Tiranë.

Janë evidentuar dhe proceduar 3 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, 2 në Fier dhe 1 në Lezhë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.

Në gjithë territorin vijon operacioni për evidentimin dhe ndëshkimin e personave që merren me organizimin e paligjshëm të lojërave të fatit.