Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 27 Korrik 2019

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Policia e Shtetit – Bashkëpunimi i Policisë së Shtetit me partnerët në luftën kundër krimit të organizuar vuri në pranga në Hollandë një prej pjestarëve të grupit kriminal “Bajri”. Po në kuadër të bashkëpunimit Interpol Tirana ekstradoi nga Hollanda 39-vjeçarin nga Shkodra. Nga Specialistët e Zyrës Qëndrore Interpol Tirana u krye ekstradimi nga Amsterdami/Hollandë drejt vendit tonë i shtetasit shqiptar B.B. alias B. R. 39 vjeç, lindur në Shkodër. Shtetasi B. B., ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga ZQK Interpol Tirana, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda në vitin 2018, ka caktuar masën e sigurisë ”Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me dashje në bashkëpunim”, “Trafikimi i armëve dhe municionit”, “Organizimi i lotarive të palejuara”, “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie e pasurisë”, kryer në bashkëpunim, në kuadër të grupit kriminal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”. Përmbledhje e ngjarjes së ndodhur:

Shtetasi B. B., alias B. R., është anëtar i grupit kriminal “Bajri”, i cili në bashkëpunim me anëtarët e tjerë të këtij grupi kriminal janë autorë të një sërë veprash penale. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Hagë/Hollandë, u bë i mundur arrestimi i tij në Hollandë, duke u finalizuar me ekstradimin drejt vendit tonë.

 

Shkodër – Finalizohet operacioni policor i koduar “Akomoduesi 2″. Arrestohen dy inspektorë të Zbatimit në Drejtorinë e të Ardhurave në Bashkinë Shkodër për veprat penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Shpërdorim detyre”, dhe “Falsifikim dokumentash”. Procedohet në gjëndje të lirë drejtori i kësaj drejtorie për veprën penale “Shpërdorim detyre”, dhe pronari i një hoteli për “Fshehja e të ardhurave”. Në zbatim të planit të masave për Sezonin Turistik 2019, nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomiko-Financiar, në D. V. P. Shkodër, në kuadër të operacionit policor “Akomoduesi 2” , janë ushtruar kontrolle në disa subjekte në plazhin e Velipojës. Si rezultat i këtyre kontrolleve janë evidentuar shkelje të bëra nga ana e punonjësve të Bashkisë Shkodër dhe subjekteve në lidhje me deklarimin e të ardhurave. Për këto shkelje u bë ndalimi i shtetasve G. N. 52 vjeç, banues në fshatin Grudë e Re Shkodër, ekonomist, inspektor dhe I. D.49 vjeç, banues në Shkodër, ekonomist, inspektor, për veprat penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Shpërdorim detyre” dhe “Falsifikim dokumentash”. Si dhe u procedua në gjendje të lirë drejtori i Drejtorisë së të Ardhurave në Bashkinë Shkodër shtetasin B. Gj. 41 vjeç, për veprën penale “Shpërdorim detyre”. Këta shtetas në bashkëpunim me njeri-tjetrin, duke qënë në pozicionin e inspektorëve të zbatimit në Drejtorinë e të Ardhurave në Bashkinë Shkodër, ku me anë të falsifikimit të dokumentave kanë shpërdoruar detyrën dhe kanë favorizuar në këmbim të marrjes së ryshfetit në një subjekt (hotel) në Plazhin e Velipojës, duke mos deklaruar numrin real të dhomave të këtij hoteli, me qëllim mospagimin e taksës reale që përfiton Bashkia Shkodër. Në vijim të veprimeve u procedua pronari i hotelit shtetasi K. L. 27 vjeç, banues në Velipojë Shkodër, për veprën penale “Fshehje e të Ardhurave”. Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprime të mëtejshme.

 

Shkodër – Finalizohet operacioni policor i koduar “Prodhimi i fundit”. Operacioni nga Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër në bashkëpunim me Policinë Kufitare dhe Interpol Tirana. Arrestohen dy shtetas të huaj të cilët nëpërmjet mashtrimit merrnin makina prodhim i fundit me qira në vendet e BE-së dhe i shisnin më pas në Shqipëri. Në zbatim të Planit të masave për parandalimin, evidnetimin dhe goditjen e trafikimit të mjeteve motorrike, të vjedhura në vende të BE-së, me tendëncë hyrjen dhe shitjen në Shqipëri, si rezultat i një pune të mirëorganizuar nga ana e D.V.P.Shkodër, në bashkëpunim me D.V.K.M.Shkodër dhe Interpol Tirana, u finalizua me sukses operacioni i koduar “Prodhimi i fundit”. Si rezultat i operacionit Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve në DVP Shkodër bënë kapjen dhe ndalimin e shtetasëve M. A.,25 vjeç, lindur në Afganistan dhe banues në Angli dhe L. M., 28 vjeç, lindur në Kongo dhe banues në Angli. Këta shtetas me anë të mashtrimit merrnin me qira makina luksoze prodhim i fundit në kompani të ndryshme në Angli-Belgjikë dhe Gjermani dhe pasi hynin me dokumentacion të rregullt nëpërmjet Pikës së Kalimit Kufitar Hani i Hotit, mjetet i shisnin në Shqipëri . Si rezultat i punës së bërë u dokumentuan me prova ligjore dy prej shumë rasteve që dyshohet se këta shtetas kanë kryer këtë veprimtari kriminale, konkretisht për një automjet AUDI dhe një automjet Benz prodhim i vitit 2019. Më datë 18.07.2019, nëpërmjet P.K.K. Hani i Hotit, shtetasi M. A., ka hyrë dhe trafikuar automjetin, tip Audi, të marrë në Gjermani, të cilin e ka shitur në Shqipëri. Po më datë 24.07.2019, janë paraqitur për të hyrë në territorin shqiptar shtetasit M.A., drejtues mjeti dhe L. M. pasagjer në automjetin tip Mercedez-Benz, vit prodhimi 2019, i cili është bllokuar në cilësinë e provës materiale. Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër vijon puna për dokumentoimin e plotë të veprimtarisë së paligjshme të kryer nga këta dy shetats. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së parë Shkodër, për veprat penale “Trafikimi i mjeteve motorrike” dhe “Mashtrimi”.

 

 

Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 110 shtetas, konkretisht: 11 janë arrestuar, 11  janë ndalur dhe 88 po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 5 raste, konkretisht: 3 në Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 2 në Vlorë, me 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 14 raste, konkretisht: 4 raste të “Kanosja”, 1 në Tiranë, 1 në Korçë, 1 në Berat, 1 në Shkodër; 1 rast i “Plagosja e lehtë me dashje”, në Fier; 9 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 2 në Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Korçë, 1 në Fier, 1 në Vlorë, 1 në Lezhë, 1 në Shkodër, 1 në Dibër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të veprës penale “Dhuna në familje”, 1 në Fier dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe janë plotësuar 15 kërkesë – padi për lëshim të menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 16 raste, konkretisht: 1 në qarkun Tiranë, 1 në Korçë, 1 në Durrës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë, si edhe 13 raste të tjera, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 5 raste të veprës penale “Ndërtimi pa leje”, konkretisht: 2 në qarkun Tiranë, 1 në Elbasan, 1 në Korçë, 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e shkatërrimit të pronës janë evidentuar 2 raste, në qarkun Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janëë evidentuar 4 raste të “Vjedhja e energjisë elektrike”, 2 në qarkun Vlorë dhe 2 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Pushtim toke”, në qarkun Fier, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Prishja e qetësisë publike”, në qarkun Durrës, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 shtetas që kanë kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme, të cilët po procedohen në gjendje të lirë.

Në të gjithë territorin janë evidentuar 8 raste aksidentesh, me 10 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe proceduar 2 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, 1 në Elbasan dhe 1 në Fier.

Janë evidentuar dhe proceduar 9 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, 7 në qarkun Tiranë, 1 në Elbasan, 1 në Fier.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.

Në gjithë territorin vijon operacioni për evidentimin dhe ndëshkimin e personave që merren me organizimin e paligjshëm të lojërave të fatit.