Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 26 Korrik 2019

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Policia e Shtetit – Finalizohet operacioni policor “Credit Card Fraud”, në fushën e krimit kibernetik. Arrestohen 2 shtetas si dhe procedohet penalisht 1 tjetër. Sekuestrohen karta krediti të klonuara dhe pajisje të tjera që shërbenin për klonimin e kartave. Sektori për Hetimin e Krimeve Kompjuterike në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë nën drejtimin e  Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, finalizoi operacionin policor “Credit Card Fraud”, në funksion të procedimit penal të vitit 2019, për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi kompjuterik”, i ndjekur me metoda speciale të hetimit. Si rezultat i operacionit u bë arrestimi i shtetasve A. B., 37 vjeç, banues në Rumani, C. M., 41 vjeç, banues në Rumani. Si dhe u procedua penalisht L. C., 38 vjeç, lindur dhe banues në Rumani. Shtetasit e mësipërm dyshohet të jenë përfshirë në veprimtari kriminale të paligjshme, që ka ndodhur në këto rrethana: në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, një bankë shqiptare e nivelit të dytë ka bërë kallëzim penal se në ATM-të e saj persona të paidentifikuar kanë përdorur 10 karta të klonuara kanadeze dhe të Britanisë së Madhe.  Departamenti i kartave informon se procesori i tyre ka dhënë alert për disa veprime të dyshimta të kryera në ATM-të e kësaj banke. Nisur nga kallëzimi i bërë, Sektori për Hetimin e Krimeve Kompjuterike në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë regjistroi në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë  procedimin penal që u ndoq me metoda speciale të hetimit për dy javë.  Si rezultat i veprimeve të kryera, këqyrjes së pamjeve filmike dhe sistemit të hyrje daljeve, u identifikuan dy persona dhe në bashkëpunim me Policinë Kufitare në Qafë Thanë u bllokuan dhe u shoqëruan së bashku me shoferin e mjetit, me të cilin ata qarkullonin. Nga veprimet hetimore u arrestuan shtetasit A. B. dhe C.M., ndërsa shtetasi L.C., u procedua penalisht në gjendje të lirë. Gjatë kontrollit të këtyre shtetasve, u gjendën dhe u sekuestruan si prova materiale sendet e mëposhtme: 3 telefona të markave të ndryshme, 8 karta të ndryshme bankare, një sasi parash euro dhe Ron, pajisje për shkrues kartash magnetike dhe një laptop. Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme për veprën penale ““Mashtrimi kompjuterik”, kryer në bashkëpunim.

Durrës – Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “POROSIA E FUNDIT”. Arrestohen në flagrancë 2 shtetas për veprat penale “Vjedhja”, “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën” dhe “Shpërdorim detyre”. Operacioni nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, në kuadër të procedimit penal të vitit 2018, ndjekur me metoda speciale të hetimit për disa muaj, u finalizua me sukses operacioni policor i koduar “PROSIA E FUNDIT”, si rezultat i të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit A. Gj., 50 vjeç, banues në lagjen Nr.4, Durrës, me detyrë shofer pranë Drejtorisë UKD sh.a., Durrës, sepse me automjetin e kësaj ndërmarrjeje shpërndante ujë për subjekte dhe persona të interesuar kundrejt pagesës dhe S. P., 56 vjeç, banues në lagjen Nr.17, Durrës, sepse ky shtetas vidhte ujë në tubacionin e UKD sh.a., Durrës, duke e tregtuar në subjekte dhe persona të interesuar. Vazhdon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, si dhe për vënien para përgjegjësisë të personave të tjerë të implikuar. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës në ngarkim të shtetasit  A. Gj., për veprat penale “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën” dhe “Shpërdorim i detyrës”, si dhe në ngarkim të shtetasit S. P., për veprën penale “Vjedhja”.

Tiranë – Vijojnë goditjet e veprimtarisë kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza të vogla në afërsi të lokaleve dhe ambienteve publike. Sekuestrohet rreth 25.6 gramë cannabis sativa, e gatshme për shpërndarje dhe 2 aparate celularë. Në pranga 1 shtetas që ushtronte këtë veprimtari kriminale. Në vijim të punës për parandalimin dhe ndëshkimin e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, nga Seksioni për Hetimin e Narkotëve pranë D.V.P Tiranë në bashkëpunim me Sektorin e Posaçëm “Shqiponja” pranë D.V.P, pas informacioneve të mara në rrugë operative, u bë e mundur goditja e një rasti të tregtimit të lëndës narkotike kanabis në afërsi të një lokali në kryeqytet dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit E. L., 21 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë. Shërbimet e policies, në rrugën “Medar Shtylla”, në afërsi të një lokali, gjatë kontrollit fizik shtetasit E. L., i gjetën rreth 11 qese lëndë narkotike kanabis e ndarë në sasi të vogla, e gatshme për tu shitur, si dhe dy aparate celularë që përdoreshin për të siguruar klientelë. Kontrolli më tej ka vijuar dhe në banesën e këtij shtetasi, ku në një tub plastik në hyrje të banesës, iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi prej rreth 5.8 gr lëndë narkotike kanabis, ndërsa në përfundim të veprimeve sasia e lëndës narkotike rezultoi 25.6 gramë. Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” në ngarkim të shtetasit E. L.

Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 103 shtetas, konkretisht: 21 janë arrestuar, 2 janë ndalur dhe 80 po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 4 raste, konkretisht: 1 në Tiranë, ku autori është arrestuar në flagrancë; 1 në Korçë dhe 2 në qarkun Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 10 raste, konkretisht: 4 raste të “Kanosja”, 1 në Durrës, 1 në Vlorë, 1 në Lezhë, 1 në Shkodër; 3 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Korçë, 1 në Fier, 1 në Vlorë; 3 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Tiranë, 1 në Vlorë, 1 në Dibër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të veprës penale “Dhuna në familje”, 1 në Tiranë dhe 1 në Berat, ku autorët janë arrestuar në flagrancë, 1 në Elbasan, ku autori po procedohet në gjendje të lirë, si edhe janë plotësuar 9 kërkesë – padi për lëshim të menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 11 raste, 2 në qarkun Tiranë, me 1 autor të arrestuar dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë, si edhe 9 raste të tjera, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 11 raste të veprës penale “Ndërtimi pa leje”, konkretisht: 3 në qarkun Tiranë, 3 në Elbasan, 5 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e shkatërrimit të pronës janë evidentuar 2 raste, 1 në Tiranë dhe 1 në Korçë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Vjedhja e energjisë elektrike”, në qarkun Vlorë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Pushtim toke”, në qarkun Durrës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 shtetas që kanë kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme, të cilët po procedohen në gjendje të lirë.

Në të gjithë territorin janë evidentuar 13 raste aksidentesh, me 21 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe proceduar 3 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, 1 në Durrës, 1 në Korçë, 1 në Fier.

Janë evidentuar dhe proceduar 3 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, 1 në qarkun Durrës, 1 në Vlorë dhe 1 në Dibër.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.

Në gjithë territorin vijon operacioni për evidentimin dhe ndëshkimin e personave që merren me organizimin e paligjshëm të lojërave të fatit.