Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 26 janar 2022

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Bulqizë – Përndiqte një 29-vjeçare, në mënyrë të vazhdueshme dhe e kërcënonte me mesazhe në telefon,  arrestohet në flagrancë nga Policia, 34-vjeçari. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Bulqizë, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit L. S., 34 vjeç, banues në Bulqizë. Arrestimi i tij u bë pasi, ka kërcënuar e shantazhuar nëpërmjet mesazheve dhe ka përndjekur në mënyrë të vazhdueshme një 29-vjeçare.Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër për veprime të mëtejshme.

Durrës/Vihet në pranga autori i dyshuar i vendosjes së tritolit në portën e jashtme të banesës së shtetasit A. D. Në vijim të veprimeve të kryera nga grupi i posaçëm hetimor i përbërë nga strukturat hetimore të DVP Durrës dhe të Drejtorisë së Krimeve të Rënda në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, u bë arrestimi  në flagrancë për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, i shtetasit A. H., 34 vjeç, banues në lagjen nr.4, Durrës. Arestimi i këtij shtetasi u bë pasi, nga veprimet e para hetimore, dyshohet se është autori i vendosjes së tritolit në portën e jashtme të banesës së shtetasit A. D., ngjarje e ndodhur në datën 24.01.2022. Grupi i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe sigurimin e provave të tjera ligjore. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për veprime të mëtejshme.

Tiranë – Më datë 25.01.2022, në bulevardin “Zogu I”, persona të paidentifikuar, kanë vjedhur një shumë parash dhe dokumente, në një agjenci sigurimesh. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 52 shtetas, konkretisht: 8 janë ndaluar, 14 janë arrestuar në flagrancë dhe 30 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 5 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 7 raste, me 6 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 2  autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e dhunës në familje janë evidentuar  4 raste, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 2 që po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 6 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 11 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar  7 raste të ndërtimit pa leje, me 7 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në Tiranë janë proceduar penalisht 4 shtetas, për veprat penale “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mashtrimi”.

Janë proceduar penalisht 3 shtetas, për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”, 1 në Shkodër dhe 2 në Elbasan.

Në Tiranë është proceduar penalisht 1 shtetas për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit” dhe 1 tjetër për “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia”.

Në Fier është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.

Në Dibër është arrestuar në flagrancë 1 shtetas, për veprën penale “Përndjekja”.

Në Vlorë janë proceduar penalisht 3 shtetas për veprën penale “Shpërdorim detyre” dhe 1 tjetër për “Ndërtimi i paligjshëm”.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 2 aksidente, me 2 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.

Janë arrestuar në flagrancë 2 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Janë arrestuar në flagrancë 2 shtetas, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.