Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 25 janar 2022

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Gjirokastër – Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Transporter”. Operacioni nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Seksionin Operacional në DVP Gjirokastër, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve. Sekuestrohen 27 kilogramë e 600 gramë cannabis sativa. Vihet në pranga poseduesi, shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tij. Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe ndëshkimin e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Seksionin Operacional në DVP Gjirokastër, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore, finalizuan me sukses operacionin e koduar “Transporter”, si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi M. G., 29 vjeç, banues në Gjirokastër. Në aksin rrugor Kakavije-Gjirokastër, në vendin e quajtur “Kthesa e Sofratikës”, gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë, në automjetin tip “Toyota Yaris”, me drejtues shtetasin M. G., u gjetën 27. 6 kg lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa. Në përfundim të veprimeve të para hetimore, specialistët e Seksionit për Hetimin e  Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme bënë shpalljen në kërkim të shtetasit K. M., 28 vjeç, banues në Gjirokastër, i dyshuar si bashkëpuntor. Punohet intensivisht për kapjen e tij. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua lënda e dyshuar narkotike, automjeti dhe tre aparate celulare. Materialet në ngarkim të shtetasve të mësipërm i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” e kryer në bashkëpunim.

Kukës, Has – Vihen në pranga 2 shtetas dhe procedohen penalisht në gjendje të lirë 2 shtetas të tjerë, për vepra të ndryshme penale. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kukës arrestuan në flagrancë për veprën penale “Përndjekja”, shtetasin Sh. D., 38 vjeç, pasi ka përndjekur shtetasin F. H., me të cilën është konfliktuar më parë për motive të dobëta. Pas konfliktit, shtetasi Sh. D. është proceduar në gjendje të lirë, për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje”. Në vijim të punës për lokalizimin dhe kapjen e personave në kërkim, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Has bënë kapjen e shtetasit në kërkim A. A., 42 vjeç, banues në Has, pasi dyshohet se ka vjedhur një sasi parash dhe paketa cigaresh, në një lokal në fshatin Tobël. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kukës proceduan penalisht në gjendje të lirë për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”  dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, shtetasit R. M., 64 vjeç dhe M. F., 37 vjeç, banues në Kukës, pasi në PKK Morinë, kanë organizuar protestë pa lejen e organeve kompetente, duke bllokuar lëvizjen e lirë të qarkullimit të mjeteve. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës, për veprime të mëtejshme.

DVP Elbasan – Posedonte armë sportive dhe lëndë narkotike, arrestohet në flagrancë 30-vjeçari.  Procedohen penalisht 3 shtetas, për krime kundër mjedisit.  Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan arrestuan në flagrancë për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sporteve”, shtetasin E. D., 30 vjeç, banues në Elbasan, pasi gjatë kontrollit fizik iu gjet një sasi lënde narkotike kokainë, ndërsa gjatë kontrollit në banesë iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale një pistoletë sportive. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Cërrik proceduan penalisht shtetasit A. P., 50 vjeç dhe N. P., 18 vjeç, banues në Shtepanjë, Cerrik, për veprën penale “Prerja e paligjshme e pyjeve”, pasi janë kapur duke prerë dru zjarri, pa dokumentacionin përkatës, të cilat u sekuestruan në cilësinë e proves materiale.  Po nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Cërrik u procedua penalisht shtetasi B. L., 58 vjeç, banues në fshatin Shtepanjë, Cërrik, për veprën penale “Ndotja e ajrit, e ujërave dhe e tokës”, pasi është kapur në afërsi të digës së Banjës, duke djegur një sasi gomash të përdorura dhe materiale drusore për prodhimin e gëlqeres. Më datë 24.01.2022, shtetasi K. J., 75 vjeç, ka kallëzuar se se djali i tij, shtetasi A. J., 50 vjeç banues në Elbasan, është larguar nga banesa. Po punohet për gjetjen e tij. Materialet kaluan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 69 shtetas, konkretisht: 3 janë ndaluar, 18 janë arrestuar në flagrancë dhe 48 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 3 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 6 raste, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 5  autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 7 raste: 2 raste të “Kanosja”, 1 në Elbasan dhe 1 në Fier; 3 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 2 në Tiranë dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Vrasja për gjakmarrje”, në Lezhë, ku autori është arrestuar në flagrancë dhe 1 rast i “Vrasja” mbetur në tentativë, në Tiranë, ku po punohet për kapjen e autorit.

Në fushën e dhunës në familje janë evidentuar 3 raste, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 2 që po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 5 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 8 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar  2 raste të ndërtimit pa leje, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në Tiranë janë proceduar penalisht 4 shtetas, për veprat penale “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mashtrimi”.

Në Durrës është proceduar penalisht 1 shtetas për veprën penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës” dhe 1 për “Pengimi i qarkullimit të mjetevë transportit”.

Në Elbasan është proceduar penalisht 1 shtetas për veprën penale “Prerja e paligjshme  e pyjeve” dhe 1 për veprën penale “Ndotja e ajrit”.

Në Fier është proceduar penalisht 1 shtetas për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike” dhe 1 për “Falsifikimi i dokumenteve”.

Në Berat është arrestuar në flagrancë 1 shtetas për “Armëmbajtje pa leje” dhe është proceduar penalisht 1 tjetër për “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”.

Në Shkodër është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprat penale “Fshehja e te ardhurave” dhe “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”.

Në Kukës janë proceduar penalisht 2 shtetas për veprën penale “Prerja e paligjshme e pyjeve” dhe 1 për “Përndjekja”.

Në Korçë është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Ngacimi seksual”.

Janë proceduar penalisht 3 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 4 aksidente, me 4 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Janë proceduar penalisht 2 shtetas dha janë arrestuar në flagrancë 2 të tjerë, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.

Janë arrestuar në flagrancë 6 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Janë arrestuar në flagrancë 2 shtetas dhe janë proceduar penalisht 2 të tjerë, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.