Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 23 nëntor 2021

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

DVP Durrës – Finalizohet operacioni policor antidrogë i koduar “Nikla”. Sekuestrohen 41 kilogramë lëndë narkotike cannabis sativa. Arrestohen në flagrancë 2 shtetasit që transportonin lëndën narkotike, me qëllim shitjen e saj. Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative për shitjen e një sasie lënde narkotike nga 2 shtetas, specialistët  e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës, në bashkëpunim me Policinë Kriminale të Komisariatit të Policisë Durrës, organizuan dhe finalizuan operacionin policor antidrogë të koduar  “Nikla”,  në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve: M.B., 40 vjeç dhe G.T., 40 vjeç, të dy banues në Nikël. Shërbimet e Policisë, bazuar në informacionet e marra gjatë operacionit policor, në aksin rrugor Nikël-Tapizë, bënë lokalizimin dhe bllokimin e automjetit me të cilin dyshohej se transportohej lëndë narkotike. Nga kontrolli fizik i personave të arrrestuar dhe i mjetit tip ”Volksëagen”në të cilin ata udhëtonin, u gjetën 4 thasë plastikë me lëndë narkotike të dyshuar cannabis sativa, me peshë 41 kilogramë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan lënda narkotike, automjeti dhe 2 aparate celulare.  Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.

Kurbin, Lezhë  – Goditet një rast i shpërndarjes së drogave të forta në doza të vogla. Vihen në pranga 2 shtetas që posedonin dhe shpërndanin lëndë narkotike kokainë.  Sekuestrohet lënda narkotike kokainë e ndarë në doza, gati për shitje, dhe një automjet. Shërbimet e Policisë Kurbin, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme dhe Forcën Operacionale në DVP Lezhë, në vijim të goditjeve kundër aktivitetit kriminal në fushën e prodhimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative se disa shtetas që lëviznin me automjet, posedonin lëndë narkotike kokainë, në Milot, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar mjetin e dyshuar tip “Renault”. Gjatë kontrollit të ushtruar ndaj drejtuesit të automjetit, shtetasit G.J., dhe pasagjerit në këtë mjet shtetasit G. S., shërbimet e Policisë kanë gjetur lëndë narkotike kokainë, e ndarë në doza gati për shitje, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin. Në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Lezhë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve G. J., 20 vjeç dhe G. S., 43 vjeç, banues në  Kurbin. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Kukës – Goditet një tjetër rast i dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, arrestohet në flagrancë 1 shtetas. Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Kukës kanë vijuar kontrollet në zbatim të planit të masave për parandalimin dhe goditjen e aktivitetit të paligjshëm të dhënies ndihmë emigrantëve të paligjshëm, për kalim të paligjshëm të kufijve dhe tranzitimin e tyre në territorin shqiptar, me destinacion vendet e BE-së. Si rezultat i kontrolleve u arrestua në flagrancë shtetasi A. K, 29 vjeç, banues në Shkodër. Ky shtetas u kap nga shërbimet e Policisë, duke transportuar me një automjet tip “Volksëagen”, emigrantë të paligjshëm, që të kalonin në mënyrë të paligjshme kufirin në drejtim të Kosovës, kundrejt fitimit. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 67 shtetas, konkretisht: 2 janë ndaluar, 17 janë arrestuar në flagrancë dhe 48 po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 6 raste, me 2 autorë të arrestuar dhe 5 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 6 raste: 3 raste të“Kanosja”, 1 në Elbasan, 1 në Gjirokastër dhe 1 në Lezhë; 2 raste  të “Plgosja e lehtë me dashje”, 1 në Tiranë dhe 1 në Berat; 1 rast i “Dëmtime të tjera me dashje”, në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e dhunës në familje janë evidentuar 5 raste, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 3 autorë që po procedohen që po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 12 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 6 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 6 raste të ndërtimit pa leje, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 5 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprën penale “Shaktërrim prone”.

Janë proceduar penalisht 2 shtetas, në Durrës dhe 1 në Elbasan, për veprën penale “Vetëgjyqësia”.

Në Berat janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprën penale “Përndjekja” dhe 1 tjetër për “Pushtim toke”.

Në Tiranë janë proceduar penalisht 5 shtetas, 1 për “Mashtrimi”, 1 për “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”, 1 për “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”, 1 për “Prerja e paligjshme  e pyjeve” dhe 1 për “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”.

Në Kukës është arrestuar në flagrancë 1 shtetas, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe është proceduar penalisht 1 tjetër, për “Trafikimi i mjeteve motorike”.

Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 6 raste aksidentesh, me 6 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Janë arrestuar në flagrancë 5 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Janë arrestuar në flagrancë 2 shtetas, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.