Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Shkodër – Tenton të vjedhë në një banesë, arrestohet nga Policia 36-vjeçari. Nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, falë bashkëpunimit me qytetarët dhe reagimit të shpejtë u arrestua në flagrancë shtetasi T. V., 36 vjeç, banues në lagjen “Tre Heronjtë”, Shkodër. Arrestimi i tij u bë pasi u kap në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në banesën e shtetasit I. D., 50 vjeç, në lagjen “Daniel Matlia”, Shkodër, në tentativë për të vjedhur. Gjithashtu, shtetasi T. V. ka thyer vendimin e gjykatës, pasi ndaj tij Gjykata e Apelit Shkodër, me vendim Nr. 277, datë 16.12.2019, ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”. Vijojnë hetimet për zbardhjen dhe dokumentimin e vjedhjeve të tjera të ndodhura në qytetin e Shkodrës. Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprat penale “Vjedhja, e mbetur në tentativë” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”.
Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 103 shtetas, konkretisht: 36 janë arrestuar, 5 janë ndaluar dhe 62 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 5 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 6 raste, në të gjithë territorin, me 4 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 13 raste: 6 raste të “Kanosja”, 3 në Tiranë, 1 në Elbasan, 1 në Gjirokastër dhe 1 në Lezhë; 3 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Tiranë, 1 në Berat dhe 1 në Vlorë; 4 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 3 në Tiranë dhe 1 në Durrës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të dhunës në familje, 1 në Berat, ku autori është arrestuar në flagrancë dhe 1 në Elbasan , ku autori po procedohet në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 5 kërkesë-padi për lëshim të menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 8 raste, 1 në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë; 1 në Berat dhe 1 në Shkodër, ku autorët janë arrestuar në flagrancë, si dhe 4 raste të tjera, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 3 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, në Shkodër, ku autorët po procedohen ne gjendje të lirë.
Në fushën e shkatërrimit të pronës janë evidentuar 3 raste, 2 në Tiranë dhe 1 në Dibër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Organizimi i lotarive të palejuara”, në Korçë, ku autori është arrestuar në flagrancë.
Janë proceduar 4 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Në të gjithë territorin janë evidentuar 3 raste aksidentesh, me 1 viktimë dhe 3 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Janë evidentuar dhe proceduar 3 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, 1 në Tiranë, 1 në Durrës dhe 1 në Fier.
Janë evidentuar dhe proceduar 31 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, 13 në Tiranë, 2 në Elbasan, 7 në Berat, 4 në Vlorë, 1 në Lezhë, 1 në Dibër dhe 3 në Shkodër.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.