Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 21 tetor 2021

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Rinas – Arrestohet me qëllim ekstradimi drejt Pakistanit, një shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar. Nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Kufitare Rinas, si rezultat i shkëmbimit të informacionit me Interpol Tirana, është arrestuar shtetasi M. T., 33 vjeç, banues në Dubai. Ky shtetas është ndaluar në hyrje të Republikës së Shqipërisë, pasi gjatë përpunimit të detajuar të të dhënave nga shërbimet e Policisë Kufitare Rinas, bazuar dhe në informacionet e shkëmbyera me Interpol Tirana, ka rezultuar person i shpallur në kërkim ndërkombëtar. Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi i tij, me qëllim ekstradimi drejt Pakistanit, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Pakistan, për veprën penale “Mashtrim publik duke përdorur arsye fetare”.

Vlorë/ Arrestohet në flagrancë një 57-vjeçar, për veprën penale “Goditjet për shkak të detyrës”. Në pranga dhe 1 shtetas në kërkim për veprën penale “Vjedhja”.  Specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Selenicë arrestuan në flagrancë shtetasin P. B., 57 vjeç, banues në lagjen “Lirim”, Vlorë, pasi mbrëmjen e djeshme, dyshohet se ka goditur për shkak të detyrës shtetasin P. B., 66 vjeç, me detyrë Kryetar në Bashkinë Selenicë. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë penale, ndaluan shtetasin në kërkim F. T., 48 vjeç, pasi dyshohet se në datën 11.10.2021, ka vjedhur me thyerje lokalin e shtetasit A. Xh, duke i marrë disa produkte, në lagjen nr. 2, Sarandë. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 61 shtetas, konkretisht: 4 janë ndaluar, 20 janë arrestuar në flagrancë dhe 37 po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e narkotikëve është evidentuar 1 rast, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 4 raste: 1 rast i “Kanosja”, në Durrës; 1 rast i “Plagosja e lehtë me dashje”, në Tiranë dhe 2 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Tiranë dhe 1 në Korçë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë plotësuar 8 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 8 raste, 2 në Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë, si dhe 6 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 4 raste të ndërtimit pa leje, 3 në Tiranë dhe 1 në Berat, ku autorët janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 19 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, me 7 autorë të arrestuar në flagrancë, 10 autorë që po procedohen në gjendje të lirë dhe 2 autorë të shpallur në kërkim.

Në Tiranë janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprën penale “Mashtrimi” dhe 1 për “falsifikimi i dokumenteve”.

Në Korçë është proceduar penalisht 1 shtetas, për “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe 1 për “Vetëgjyqësia”.

Në Lezhë është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Fshehja e të ardhurave”.

Në Dibër është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Prerja e paligjshme e pyjeve”.

Në Vlorë është arrestuar në flagrancë 1 shtetas, për veprën penale “Goditja për shkak të detyrës”.

Në Kukës është proceduar penalisht 1 shtetas, për shkatërrim prone.

Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 6 raste aksidentesh, me 9 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Është arrestuar në flagrancë 1 shtetas, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, në Tiranë.

Janë arrestuar në flagrancë 5 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.