Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 21 janar 2022

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Tiranë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Koordinimi”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje. Operacioni nga Komisariati i Policisë Nr. 4, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 2. Sekuestrohen një armë zjarri automatik dhe fishekë luftarakë.Vihet në pranga poseduesi. Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në informacionet e grumbulluara në rrugë operative se një shtetas mbante armë zjarri në banesë, specialistët për Hetimin e Krimeve pranë Komisariatit të Policisë Nr. 4, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 2, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Koordinimi”, në kuadër të të cilit u vu në pranga shtetasi A. M., 36 vjeç, banues në Tiranë. Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit të ambienteve në pronësi të tij, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë zjarri automatik dhe fishekë luftarakë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Shkodër – Kontrolle intensive në pikat e kontrollit të kalimit kufitar, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Procedohen penalisht 3 shtetas, 1 prej tyre doganier në PKK Hani i Hotit. Sekuestrohen mallra kontrabandë dhe një armë gjahu. Në vijim të punës dhe goditjeve të njëpasnjëshme për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës me mallra, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, nga specialistët e Seksionit të Hetimit të Krimit Ekonomiko-Financiar, në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Doganor në PKK Hani i Hotit, filloi procedimi penal për  shtetasit R. Sh., 59 vjeç, I. Rr., 48 vjeç dhe D. M., 28 vjeç (me detyrë doganier), banues në Shkodër. Shtetasi R. Sh. është konstatuar në PKK Hani i Hotit, me disa mallra dhe produkte të cilat i ka kaluar pa i deklaruar në organet doganore. Në vijim të veprimeve hetimore, gjatë kontrollit të banesës së këtij shtetasi u gjet një armë gjahu pa leje. Më pas është ushtruar kontroll në njërin prej subjekteve me administrator shtetasin I. Rr., të cilin dyshohet se shtetasi R. Sh. e furnizonte me produkte kontrabandë, ku janë gjetur disa mallra dhe produkte të ndryshme të dyshuara kontrabandë. Në vijim të veprimeve u procedua penalisht për veprën penaëe “Shpërdorimi i detyrës”, shtetasi D. M., me detyrë doganier, pasi dyshohet se ka favorizuar shtetasin R. Sh., në kohë të ndryshme, për kryerjen e këtij aktiviteti të kundërligjshëm. U sekustruan në cilësinë e provës materiale 1 armë gjahu dhe disa mallra kontrabandë. Grupi hetimor, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, po punon për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet të kundërligjshëm. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë Shkodër, në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur, për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive” “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë“, “Fshehja e të ardhurave“ dhe “Shpërdorim detyre”.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 83 shtetas, konkretisht: 11 janë ndaluar, 14 janë arrestuar në flagrancë dhe 58 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 7 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Janë arrestuar përkohësisht me qëllim ekstradimi, 2 shtetas në kërkim ndërkombëtar.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 10 raste, me 4 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 6  autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 5 raste: 2 raste të “Kanosja”, 1 në Tiranë dhe 1 në Lezhë dhe 3 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Tiranë, 1 në Vlorë dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e dhunës në familje janë evidentuar 5 raste, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 3 që po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 8 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 4 raste, 4 raste me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë, dhe 7 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar  3 raste të ndërtimit pa leje, me 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë proceduar penalisht 4 shtetas, për veprën penale “Fshehja e të ardhurave”, 1 në Berat, 1 në Shkodër dhe 1 në Korcë.

Në Berat është arrestuar në flagrancë 1 shtetas, për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës” dhe është proceduar penalisht 1 tjetër, për veprën penale “Brktisaj e fëmijëve të mitur”.

Është proceduar penalisht shtetas, për vjedhje të energjisë elektrike, në Durrës.

Është proceduar  penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike”.

Janë proceduar penalisht 3 shtetas, për veprën penale “Prerja e paligjshme  e pyjeve”, 2 në Dibër dhe 1 në Gjirokastër.

Në Lezhë është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.

Në Tiranë janë arrestuar në flagrancë 2 shtetas, për armëmbajtje pa leje dhe 1 për “Falsfikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”.

Janë proceduar penalisht 4 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 5 aksidente, me 9 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Janë proceduar penalisht 4 shtetas, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.

Janë arrestuar në flagrancë 2 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Janë arrestuar në flagrancë 2 shtetas dhe janë proceduar penalisht 3 të tjerë, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.