Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 20 Qershor 2019

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Tiranë – 34 persona të proceduar në ngjarjet para KZAZ-ve në qarkun Tiranë ndër të cilët 3 të arrestuar. Në lidhje me ngjarjet e ndodhura dje, datë 19.06.2019 në Kamzë, ku ka pasur grumbullime personash, të cilët kanë protestuar në mënyrë të paligjshme dhe të dhunshme, duke hedhur kapsolla, kundërshtuar punonjësit e Policisë, të cilët kanë qenë të planëzuar me shërbim për ruajtjen e KZAZ-ve, duke kërkuar lirimin e ambienteve kanë tentuar në hynë me dhunë në to, me qëllim pengimin e administrimit të dokumenteve të procesit zgjedhor. Midis atyre që kanë tentuar të hyjnë me forcë në ambientet e shkollës që përdorej si KZAZ, kanë qenë dhe punonjës të bashkisë Kamëz, punonjës të Policisë Bashkiake, punonjës të Ujësjellës- Kanalizimeve dhe punonjës të tjerë të administratës së Bashkisë Kamëz. Gjithashtu në Vorë është zhvilluar një tubim i paligjshëm, gjatë së cilit, persona të ndryshëm, pjesa me e madhe e të cilëve, punonjës të Bashkisë Vorë, por edhe të tjerë ende te pa identifikuar, janë përpjekur të futen në ambientet e KZAZ nr. 26, në shkollën 9 – vjeçare Marqinet, ku dhe janë përplasur fizikisht me forcat e Policisë, të vendosura para hyrjes së shkollës në ruajtje të KZAZ-së nr. 26, me qëllim të hynin në ambientet e shkollës. Tre prej këtyre personave kanë kaluar hekurat e rrethimit të shkollës nga ana e pasme e saj dhe janë futur forcërisht brenda ambienteve ku ndodhet KZAZ-ja nr. 26, dhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë djegur tek shkallet e palestrës një kuti kartoni të dhomës së fshehtë të votimit. Në përfundim të veprimeve të para procedurale, këqyrjes së vendit të ngjarjes, ku u sekuestruan në cilësinë e provës disa mbetje te kapsollave plasëse , shpërthyese si dhe flakadanë, te cilët u dërguan për ekzaminime të mëtejshme në kushte laboratorike, si dhe nga pamjeve filmike të administuara nga ana e Policisë, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, u bë shoqërimi dhe dokumentimi i ngjarjes dhe u proceduan në gjendje të lirë, për veprat penale: “Organizimi dhe Pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime te paligjshme”, “Kundërshtimi i Punonjësve të Policisë së Rendit Ppublik”, “Goditja për shkak të detyrës”, “Prishja e qetësisë publike”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe municionit”, të parashikuara nga nenet 262, 236, 237, 274, 150 & 278/4 te Kodit Penal, shtetasit: V. D., banues në Kamzë, me detyrë Zv.kryetar i Bashkisë Kamzë, A. D., banues në Tirane me detyrë Zv.kryetar i Bashkisë Kamzë, S. L., banues ne Zall Herr, me detyrë Punonjës i Policisë Bashkiake Kamzë, R. H., banues në Kamzë, me detyrë Punonjës i Policisë së Bashkisë Kamzë, U. K., banues në Kamzë, me detyrë Punonjës i Policisë së Bashkisë Kamzë, F. U., banues ne Kamzë, me detyrë Punonjës i Policisë së Bashkisë Kamzë, B. S., banues në Kamzë, me detyrë punonjës i ndërmarrjes së Ujësjellës – Kanalizimeve, Bashkia Kamzë, L. B., banues në Kamzë, me precedent criminal,  H. L., banues në Kamzë, me detyrë punonjës i ndërmarrjes së Ujësjellës – Kanalizimeve, Bashkia Kamzë, F. D., banues në Kamzë, me detyrë punonjës i ndërmarrjes së Ujësjellës – Kanalizimeve, Bashkia Kamzë,  D. M., banues në Kamzë, Gj. P., banues në Valias, H. M., banues në Institut, Kamzë, Sh. H., banues në Kamzë. Gjithashtu nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Vorë, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë për veprat penale: “Dëmtimi me dashje i materialeve zgjedhore” kryer në bashkëpunim, “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Kundërshtimi të Punonjësit të Policisë”, të parashikuar nga nenet 326/a – 25, 248  dhe  236 e Kodit Penal, i shtetasve: A. P., banues në Marqinet, Vorë, L. H., banues në Marqinet, Vorë dhe Y. H., banues në Marqinet, Vorë, punonjës pranë Bashkisë Vorë. Filloi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Kundërshtimi i Punonjësit të Policisë së Rendit Publik” dhe “Goditja për shkak të detyrës”, parashikuar nga neni 236 dhe 237 i Kodit Penal, në ngarkim të shtetasve: P. B., banues në Vorë,  S. P., banues në Tiranë,  A. Sh., banues në Prezë Tiranë, B. T., banues në Tiranë, K. J., banues në Tiranë, Sh. S., banues në Marqinet, Vorë, i dënuar më parë për vjedhje, L. K., banues në Tiranë, A. K., banues në Tiranë, B. K., banues në Tiranë, G. D., banues në Tiranë, T. G. , banues në Vorë, Xh. S., banues në Vorë, I. P., banues në Vorë,  S. G., banues në Vorë, K. D., banues në Tiranë, A. K., banues në Tiranë, F. M. , banues në Vorë. Vijon puna për identifikimin e personave të tjerë të dyshuar për kryerjen e veprimeve të kundërligjshme dhe të akteve të dhunës pranë KZAZ-ve të qarkut Tiranë. Materialet në ngarkim të tyre iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Lezhë – Vijon puna për goditjen e paligjshmërisë dhe parandalimin e ngjarjeve kriminale. Arrestohen në flagrancë 3 shtetas. Sekuestrohen armë zjarri, mall kontrabandë dhe sende të vjedhura. Nga Specialistët e Seksionit të Hetimit të Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i  shtetasit B.M., 40 vjeç, banues në Kukës, pasi gjatë kontrollit të ushtruar tek unaza e qytetit Rubik, Mirditë në  automjetin tip “Benz”, të cilin ky shtetas drejtonte, iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 10 thasë me kafe kokërr, me peshë totale 600 kg kontrabandë, pa dokumentacion shoqërues. Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës Parë Lezhë,për veprat penale: “Kontrabanda me mallra që paguhet akcizë” ,”Fshehja e të ardhurave” dhe “Manipulimi i tregut”parashikuar nga nenet 172,180 dhe 143/a/1 të Kodit Penal. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Kurbinit, pas një informacioni të marrë nga qytetarët për një person i cili posedonte armë zjarri ,kanë organizuar menjëherë punën, ku si rezultat arrestuan në flagrancë  shtetasin N.N.,50 vjec, banues në Kurbin. Gjatë kontrollit të ushtruar në  banesën e tij në fshatin Shullaz, Kurbin, Policia gjeti dhe  sekuestroi  në cilësinë e proves materiale një armë zjarri tip “Pushkë”. Materialet iu referuan Prokurorisë Pranë Gjykatës Shkallës Parë Kurbin për vepren penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, parashikuar nga neni 278/3 i Kodit Penal. Gjithashtu Specialistët e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Lezhës, bënë arrestimin në flagrancë te shtetasit M.L.,38 vjeç,banues në Kosovë. Arrestimi i tij u bë pasi ky shtetas kishte vjedhur në banesën e marrë për pushime, të shtetasit M.F., në  Shëngjin. Gjatë kontrollit fizik të tij dhe të mjetit që drejtonte, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një  televizor “Plazma” dhe sende të tjera.

Tiranë – Parandalohet dhe goditet një rast i tentativës për kultivim të kanabisit, në ambiente të mbyllura me llamba, si dhe i shpërndarjes së drogave të forta në doza të vogla. Finalizohet operacioni policor “PREVENTION”. Sekuestrohet Kokainë, Cannabis Sativa në formë çokollate, fishekë luftarakë e pajisje, të cilat përdoren për kultivimin e kanabisit në ambiente të mbyllura. Vihet në pranga 1 person si dhe shpallen në kërkim 3 të tjerë. Seksioni i Narkotikëve në DVP Tiranë, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative dhe burime konfidenciale, pas një pune intensive, parandaloi dhe goditi një tentativë për të kultivuar kanabis në ambiente të mbyllura, si dhe të shpërndarjes së drogave të forta në doza të vogla. Në këtë kuadër u organizua dhe u finalizua me sukses operacioni policor “PREVENTION”, gjatë të cilit u arrestua në flagrancë 1 person dhe u shpallën në kërkim 3 të tjerë, konkretisht: u arrestua në flagrancë shtetasi Xh. L., 25 vjeç, banues në Tiranë. Gjithashtu u shpallën në kërkim shtetasit: D. A., V. A. dhe F. S, të tre banues në Tiranë. Nga ana e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë kishin siguruar informacione në rrugë operative se shtetasi F. S., në bashkëpunim me shtetasit D. A., V. A. dhe Xh. L. po përgatiteshin të kultivonin bimë narkotike në ambiente të mbyllura. Gjithashtu këta shtetas posedonin lëndë narkotike të llojit Kokainë dhe Cannabis Sativa, në një garazh në Rrugën “Kongresi Manastirit”, për ta shpërndarë në doza të vogla. Policia ka ushtruar kontroll në dy garazhet e shtetasit F. S., të cilat kishin dalje në tunele (vendstrehime) të ndërtuara gjatë viteve të diktaturës, ku gjatë kontrollit Policia gjeti dhe sekuestroi 242.6 gr lëndë narkotike të dyshuar Kokainë, në doza të vogla, 1 kg e 125 gr lëndë narkotike Cannabis në formë çokollate, fishekë luftarakë, 1 peshore elektronike, 3 motoçikleta, 1 DVR, rreth 600 shishe vere të llojeve të ndryshme, si dhe pajisje të shumta, vegla pune elektrike të llojeve të ndryshme. Po gjatë kontrollit në një tunel betoni në të cilin futeshe nëpërmjet një hyrjeje të fshehtë në dyshemenë e garazhit, u gjetën edhe pajisje të tjera, të cilat përdoren për kultivimin e kanabisit në ambiente të mbyllura si: llamba elektrike, ventilatorë aspirues, transistorë elektrikë, tuba alumini për aspirim, fuçi për mbajtjen e lëndës narkotike, me aromën karakteristike të Kanabisit, set automatesh dhe prizash elektrike. Vijon puna për kapjen e personave të shpallur në kërkim si dhe për evidentimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal. Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim, ”Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, “Kontrabanda me mallra që kanë akcizë”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, të parashikuara nga nenet 283/2, 278, 172, 180 dhe 181 të Kodit Penal.

Kukës – Në lidhje me ngjarjen e ndodhur dje, më datë 19.06.2019, tek gjimnazi “Havzi Nela”, në KZAZ nr.11 Kukës, ku disa persona në bashkëpunim me njeri-tjetrin, kanë tentuar të dëmtojnë materialet zgjedhore, kanë prishur derën e palestrës dhe kanë vënë zjarr, si dhe kanë kundërshtuar punonjësit e policisë, pas veprimeve hetimore, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kukës, bënë arrestimin në flagrancë të 4 shtetasve, konkretisht: A. C., 46 vjeç, banues në Kukës, shofer në Bashkinë e Kukësit, E. H., 42 vjeç, banues në Kukës, shofer në Bashkinë e Kukësit, E. B., 26 vjeç , banues në Kukës, Inspektor i Policisë Bashkiake, E. M., 35 vjeç, banues në Kukës. Janë shpallur në kërkim 7 shtetas, si dhe janë proceduar në gjendje të lirë 4 të tjerë, për veprën penale “Organizimi i paligjshëm i tubimeve”. Materialet për veprime të mëtejshme do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur, për veprat penale “Kundërshtimi i Punonjësit të Policisë së Rendit Publik”, “Mosbindja ndaj urdhrit të Punonjësit të Policisë së Rendit Publik”, “Shkatërrimi i pronës”, ”Dëmtimi me dashje i materialeve zgjedhore, e mbetur në tentative”, “Organizim i paligjshëm i tubimeve” dhe “Prishja e qetësisë publike”.

Berat – Në lidhje me ngjarjen e ndodhur dje më datë 19.06.2019, ku disa shtetas kanë tentuar të futen forcërisht në ambientet e KZAZ nr. 64 tek Pallati i Kulturës Berat dhe në ambientet e KZAZ nr. 66 tek Pallati Kulturës Skrapar, Specialistët e Seksionit për Krimet pranë Komisariatit Berat dhe Skrapar, pas veprimeve hetimore, identifikimin e personave me anë të pamjeve filmike dhe fotografike të administruara nga Policia, kanë referuar në gjendje të lirë 40 shtetas, konkretisht: E. B., 34 vjeç, banues në Tiranë (Sekretar Organizativ i PD), B. B., 35 vjeç, banues në Berat (N/kryetar i Bashkisë Berat), H. S., 50 vjeçe, banuese në Berat (N/kryetare e Bashkisë Berat), M. K., 32 vjeç, banues në Skrapar (Drejtor i Ndërmarrjes së shërbimit publik), K. Gj., 64 vjeç, (Shefi i Policisë Bashkiake Berat), G. P., M. M., A. R., D. B., F. C., M. K., E. D., punonjës të Policisë Bashkiake Berat, A. Z., A. G., J. M., A. Ç., A. I., punonjës të Policisë Bashkiake Skrapar. Si dhe G. A., M. H., B. H., F. K., SH. M., K. E., E. Ç., M. V., R. Ç., S. Z., R. H., P. GJ., E. T., A. C., A. H., A. G., E. A., R. B., I. H., E. H., N. G., I. B., K. M., punonjës pranë këtyre Bashkive dhe mbështetës. Materialet në ngarkim të këtyre shtetasve u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Berat, për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së Rendit Publik”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Shkatërrimi i  pronës”.

Kavajë – Kapet dhe arrestohet me qëllim ekstradimin, një tjetër shtetas i kërkuar nga drejtësia italiane. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë, në bashkëpunim me Interpol Tirana, pas një pune të mirëorganizuar, bënë të mundur kapjen dhe arrestimin e shtetasit E.M, 45 vjeç, banues në Kavajë, i cili shpallur në kërkim ndërkombëtar. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi Gjykata e Firences / Itali, në vitin 2002 e ka dënuar me 14 vjet burg për veprën penale “Vrasja me paramendim”, të parashikuar nga neni 575 i Kodit Penal Italian. Veprimet e mëtejshme për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë, do të kryhen nga ZQK Interpol Tirana.

Berat – Ushtron dhunë fizike dhe psikologjike ndaj vjehrrit të tij, arrestohet në flagrancë nga policia për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Armëbajtja pa leje”. Specialistët e Seksionit për Krimet në Komisariatin e Policisë Berat bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit L.R, 30 vjeç, banues në Frashër, Patos. Ky shtetas pasi ka shkuar në banesën e vjehrrit të tij në një fshat të Beratit, ka  ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj tij. Në vijim të veprimeve, Policia e Beratit  ka marrë informacion se ky shtetas mbante armë pa leje në banesën e tij  në fshatin  Frashër, Patos. Në bashkëpunim  me shërbimet e Policisë Patos, u ushtrua kontroll në banesën e  shtetasit  L.R, ku gjatë kontrollit Policia  gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale  një armë zjarri automatike. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat pë veprat penale, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, ” Dhuna në familje”, parashikuar nga nenet 278 dhe 130/a të Kodit Penal.

Devoll – Arrestohet një punonjës i Bashkisë Devoll, për veprën penale “Pengimi i subjekteve zgjedhore”. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Devoll, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit K.K, 26 vjeç, banues në Bilisht (me detyrë punonjës i shërbimit zjarrfikës pranë Bashkisë Devoll). Arrestimi i tij u bë pas kallëzimit të bërë nga shtetasi F.Sh, 33 vjeç, banues në fshatin Gracë, Devoll (kandidat i pavaruar për Kryetar Bashkie në Devoll), i cili ka deklaruar se më datë 19.06.2019, gjatë një takimi elektoral të zhvilluar në fshatin Miras nga ana e këtij subjekti të pavaruar, shtetasi K.K, ka goditur në trup e fytyrë një prej anëtarëve të stafit të tij elektoral, konkretisht shtetasin A.Ç, 56 vjeç, banues në Miras. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprime të mëtejshme.

Kavajë – 31 të proceduar, ndër ta 6 të arrestuar, për sulmin ndaj KZAZ nr. 42 dhe ndaj punonjësve të Policisë, me shërbim në këtë objekt.

Në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 19.06.2019, para KZAZ nr. 42 në Kavajë, u arrestuan në flagrancë, për veprat penale “Kundërshtimi i Punonjësit të Policisë Rendit Publik”, ’’Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor mbetur në tentativë”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime të paligjshme” dhe ‘’Shkatërrimi i pronës”, shtetasit: A. Xh., banues në Kavajë, i dënuar më parë për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake”, E. B., banues në Kavajë, punonjës i Bashkisë Kavajë (shofer), D. E., banues në Kavajë, L. D., banues në Golem, Kavajë, F. R., banues në Kavajë, punonjës i Ujësjellës – Kanalizime, D. B., banues në Kavajë, punonjës i Ujësjellës – Kanalizime, Kavajë. Arrestimi i këtyre shtetasve u bë sepse nw datën 19.06.2019 rreth orës 20:05, në lagjen nr. 3 në Kavajë, kanë marrë pjesë në një grumbullim të paligjshëm, me qëllim lirimin e ambienteve të shkollës “Tre dëshmorët”, ku ndodhet KZAZ nr. 42. Këta shtetas kanë tentuar te futen forcërisht në ambientet e shkollës ku ndodhet duke qëlluar me sende të forta, lëndë piroteknike dhe bomba “molotov”, punonjësit e Policisë me shërbim, në ruajtje të KZAZ-së. Nga veprimet e dhunshme të këtyre personave është dëmtuar rrethimi i jashtëm i territorit të shkollës, në anën jugore, janë dëmtuar edhe dy portat metalike të shkollës, si dhe ka pësuar lëndime nga goditja me sende të forta, edhe një punonjës Policie.

Nga veprimet hetimore të kryera, këqyrja dhe analiza e pamjeve filmike, raportet e shërbimit, janë administruar të dhëna, fakte dhe prova, që vërtetojnë se shtetasit e mësipërm kanë konsumuar veprën penale: “Kundërshtimi i Punonjësit të Policisë së Rendit Publik”, ’’Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor mbetur në tentative”, “Organizimi dhe Pjesëmarrja në grumbullim të paligjshëm” dhe ‘’Shkatërrimi i pronës”. Gjithashtu në lidhje me këtë ngjarje, u shpallën në kërkim policor 25 shtetas, 12 prej të cilëve punonjës të Bashkisë Kavajë. Vijon puna për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje dhe dokumentimin e plotë të saj. Materialet hetimore do t’i dërgohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë, për veprime të mëtejshme.

 

Rinas – Riatdhesohen 127 shtetas shqiptarë , të cilëve u është refuzuar azili në Francë. Në aeroportin “Nënë Tereza” kanë mbërritur 127 shtetas shqiptarë me avionë të posaçëm, të cilët janë riatdhesuar pas refuzimit të kërkesës për azil nga autoritetet franceze. Operacioni i riatdhesimit u zhvillua në bashkëpunim me Policinë franceze. Edhe gjatë këtij operacioni u riatdhesuan familje me fëmijë minorenë. Në fluturimin e paradites u riatdhesuan 36 shtetas shqiptarë dhe në fluturimin e dytë në mesditë u riatdhesuan 91 të tjerë. Zv.ministrja e Brendshme Rovena Voda së bashku me znj. Gordana Tadic, N/drejtore territoriale e zyrës franceze të integrimit dhe migrimit, kanë theksuar se bashkëpunimi mes dy policive është i shkëlqyer dhe po punohet maksimalisht për parandalimin e azilkërkimit. Voda nënvizoi në fjalën e saj se çdo përpjekje për kërkim azili është e dështuar, askush të mos bëjë shpenzime ekonomike për të kërkuar azil, pasi mundësitë janë zero. Zv.ministrja gjithashtu apeloi për të gjithë, që të ndjekin rrugën ligjore për t’u punësuar në vendet e BE-së. Operacione të riatdhesimit do të ketë dhe në ditët në vijim, jo vetëm me Francën por edhe me vendet e tjera të BE-së.

 

 

 

Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 219 shtetas, konkretisht: 31 janë arrestuar në flagrancë, 9 janë ndalur dhe 179 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 3 shtetas pasi ishin shpallur në kërkim: 2 në qarkun Elbasan, 1 e dënuar për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, 1 i dënuar për veprën penale “Vjedhja”; 1 në qarkun Shkodër, i dënuar për veprat penale “Shkatërrim prone”, “Dëmtimi i materialeve zgjedhore” dhe “Kundërshtim i punonjësit të policisës së rendit publik”.

Është arrestuar 1 shtetas në kërkim ndërkombëtar me qëllim ekstradimi, në qarkun Tiranë, i dënuar për veprën penale “Vrasja me paramendim”.

Është ekstraduar nga Greqia 1 shtetas në kërkim ndërkombëtar, në PKK Rinas, i dënuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 6 raste, konkretisht: 2 në qarkun Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 1 në qarkun Durrës, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë; 1 në qarkun Fier, me 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 1 në qarkun Vlorë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë; 1 në qarkun Gjirokastër, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 15 raste, konkretisht: 7 raste të “Kanosja”, 2 në qarkun Tiranë, 1 në Korçë dhe 4 në Vlorë, me 8 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Plagosja e lehtë me dashje”, në qarkun Korçë, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë; 6 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në qarkun Durrës, 4 në Vlorë dhe 1 në Lezhë, me 11 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.; 1 rast i “Vrasja me dashje”, në qarkun Vlorë, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 2 raste të veprës penale “Dhuna në familje”, 1 në qarkun Berat dhe 1 në Shkodër, ku autorët janë arrestuar në flagrancë, si dhe janë plotësuar 10 kërkesë – padi për lëshim të menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 10 raste, konkretisht: 1 në qarkun Tiranë, ku autori është arrestuar në flagrancë; 2 në Elbasan, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 1 në Lezhë, ku autori është arrestuar në flagrancë dhe 5 raste të tjera, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Në fushën e vjedhjes së energjisë elektrike janë evidentuar 2 raste, 1 në qarkun Tiranë dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 11 raste të veprës penale “Ndërtimi pa leje”, konkretisht: 2 në qarkun Tiranë, 2 në Durrës, 4 në Korçë, 2 në Berat, 1 në Gjirokastër dhe 1 në Kukës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e shkatërrimit të pronës është evidentuar 1 rast, në qarkun Berat, me 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 7 raste të kalimit të paligjshëm të kufirit, ku 2 autorë janë ndaluar dhe 5 po procedohen në gjendje të lirë.

Në territorin e Shqipërisë janë evidentuar 3 raste aksidentesh, me 4 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar 4 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, 2 në qarkun Tiranë, 1 në Shkodër dhe 1 në Lezhë, të cilët janë arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar dhe proceduar 3 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, 1 në qarkun Tiranë, 1 në Korçë dhe 1 në Kukës, të cilët janë arrestuar në flagrancë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.

Në gjithë territorin vijon operacioni për evidentimin dhe ndëshkimin e personave që merren me organizimin e paligjshëm të lojërave të fatit.