Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 15 maj 2020

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Durrës – Kanosi me armë zjarri fqinjën e saj, arrestohet në flagrancë një 57-vjeçare. Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pushkë dhe municion luftarak. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasen N. P., 57 vjeçe, banuese në Hamallaj, Durrës. Kjo shtetase, më datë 14.05.2020, në Hamallaj, Durrës, ka kanosur me armë zjarri, për motive të dobëta, shtetasen A. K., 29 vjeçe, banuese në Tiranë. Pas kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë në një shtëpi të braktisur, disa metra larg banesës së shtetases N. P., u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pushkë dhe 27 fishekë. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprat penale “Kanosja” dhe “Armëmbajtja pa leje”, për të cilën parashikohet dënimi me burgim deri në 7 vjet.

Lezhë – Vijon intensivisht puna hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë me prova ligjore të ngjarjes së ndodhur në Lalm Lukaj, Lezhë. Kapet dhe ndalohet bashkëpunëtori i autorit të dyshuar të vrasjes me armë zjarri të shtetasve K. M. dhe P. S. Vihet në pranga 35-vjeçari, i dënuar më parë për plagosje me armë. Në lidhje me zbardhjen e ngjarjes së datës 27 prill, grupi i posaçëm hetimor, i përbërë nga specialistë të Krimeve të Rënda në Departamentin e Policisë Kriminale dhe të DVP Lezhë, nën drejtimin e Prokurorisë Lezhë, në vijim të veprimeve, në bashkëpunim edhe me Institutin e Policisë Shkencore, ka bërë të mundur sigurimin e provave shkencore për bashkëpunëtorin e autorit të dyshuar të ngjarjes. Bazuar në këto prova shkencore është bërë kapja dhe ndalimi i shtetasit A. L., 35 vjeç, banues në Lalm Lukaj, Lezhë, me precedent kriminal, i dënuar më parë për plagosje me armë. Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, në ngarkim të shtetasit A. L., për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Tepelenë – Vijon kontrolli i territorit për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike. Vihen në pranga 2 shtetas. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Tepelenë, në vijim të kontrollit të territorit për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike, kanë bërë të mundur arrestimin e shtetasit A. L., 42 vjeç, banues në fshatin Rexhin, Tepelenë, pasi në oborrin e banesës së tij u gjetën 50 kubikë të kultivuar me fara kanabisi. Po gjatë kontrollit të territorit për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike, shërbimet e Stacionit të Policisë Memaliaj kanë vënë në pranga shtetasin S. P., 43 vjeç, banues në fshatin Memaliaj, pasi iu gjet një sasi farash cannabis sativa, në tentativë për t’i kultivuar. Vijon intensivisht kontrolli i territorit për evidentuar dhe parandaluar çdo tentativë për kultivim të bimëve narkotike. Materialet në ngarkim të shtetasve të mësipërm i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

Tiranë – Finalizohet operacioni policor i koduar “BACKLASH”. Goditet një tjetër rast i dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve, kundrejt fitimit. Arrestohen në flagrancë katër shtetas (dy të huaj dhe dy shqiptar), të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin transportonin emigrant klandestinë nga zona e Korçës në Tiranë dhe më pas për në Mal të Zi, me qëllim destinacionin final një nga vendet e BE-së. Procedohen në gjendje të lirë, për kalim të paligjshëm të kufirit, dhe tre shtetas turq. Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale një automjet dhe katër aparate celular. Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Vorë dhe Seksionin për Krimet Kompjuterike në DVP Tiranë, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, finalizoi me sukses operacionin e koduar “BACKLASH”, në kuadër të të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit: K. D., 32 vjeç, banues në Kamzë, Tiranë, A. M., 35 vjeç, banues në Tiranë, E. E., 22 vjeç, me shtetësi dhe kombësi siriane dhe A. I., 25 vjeç, me shtetësi dhe kombësi marokene. Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se kundrejt shpërblimit monetar, bënin transportimin e emigrantëve klandestinë të kombësisë siriane ose kombësive të tjera (marokene, afgane, irakene) nga zona e Korçës në afërsi të kufirit të gjelbër me Greqinë, për t’i sjellë në Tiranë, ku pasi sistemoheshin fillimisht në dhoma me qira apo hostele në zonën e Laprakës, transportoheshin me automjete private drejt kufirit të gjelbër me Malin e Zi, me destinacion final vendet e Bashkimit Evropian. Shtetasit E. E. dhe A. I. dyshohet se kishin rolin e organizatorit në këtë skemë trafikimi, duke u koordinuar me persona të tjerë të kombësisë siriane në Greqi dhe Siri, ku nëpërmjet aplikacioneve “Ëhatsapp”, “Messenger” etj, bënin koordinimin e lëvizjes së emigrantëve nga Greqia për në Shqipëri, duke angazhuar shtetasit shqiptar të arrestuar në këtë skemë, të cilët luanin rolin e transportuesit, përkthyesit dhe të personave që shpesh tërhiqnin paratë që transferoheshin nëpërmjet agjencive te transfertave monetare. Gjithashtu u proceduan në gjendje të lirë, për veprën penale “Kalim i paligjshëm i kufirit”, tre shtetas turq. Në kuadër të këtij operacioni janë sekuestruar një automjet dhe 4 aparate celular. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit” dhe “Kalim i paligjshëm i kufirit, kryer në bashkëpunim”.

Selenicë, Vlorë – Rreth orës 11:45, në rrethana ende të paqarta, shtetasi J. Xh, rreth 50 vjeç, dyshohet se pranë banesës së tij është plagosur me armë zjarri në dorë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor ndodhen në vendin e ngjarjes dhe po kryejnë veprimet për zbardhjen dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Tiranë – Vijon puna nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Goditi me sende të forta një shtetas, arrestohet në flagrancë 54-vjeçari. Arrestohen edhe dy shtetas të tjerë, për veprën penale “Dhuna në familje”. Nga specialistët për Hetimin e Krimit të Komisariatit Nr. 2 u bë arrestimi në flagrancë, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, i shtetasit G. S., 54 vjeç, banues në Tiranë, pasi, për motive të dobëta, ka goditur me mjete të forta shtetasin K. K., 42 vjeç, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin Nr. 1 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit M. K., 39 vjeç, sepse në rrugën “Mihal Grameno”, ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin Nr. 5 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. K., 37 vjeç, i shpallur në kërkim për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Kanosja”, pasi ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike dhe ka kanosur bashkëshorten e tij, në prezencë të fëmijëve. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Fier – I vodhën me dhunë 150.000 lekë punonjësit të postës, Policia zbardh në kohë rekord ngjarjen. Falë reagimit të menjëhershëm të shërbimeve të Policisë u bë kapja dhe vënia në pranga e dy autorëve të dyshuar. Sekuestrohet në cilësinë e provës materiale sasia e lekëve të vjedhura. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, pas njoftimit të marrë nga shtetasi K. Gj. (punonjës i postës) se në fshatin Sulaj, 2 persona të paidentifikuar i kishin marrë me dhunë çantën në të cilën kishte 150.000 lekë të reja, menjëherë kanë shkuar në vendngjarje. Falë mirorganizimit dhe veprimeve të shpejta dhe profesionale u bë e mundur zbardhja e ngjarjes dhe identifikimi i autorëve të dyshuar. Si rezultat i rrethimit të menjëhershëm të zonës, shërbimet e Policisë lokalizuan dhe kapën në flagrancë autorët e dyshuar të ngjarjes, të cilëve gjatë kontrollit iu gjet dhe u sekuestrua edhe çanta me sasinë e lekëve që i kishin marrë me dhunë punonjësit të postës. Në përfundim të veprimeve të kryera, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve G. N., 35 vjeç dhe H. M., 22 vjeç, banues në Sulaj, Fier. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për hetime të mëtejshme, për veprën penale “Vjedhja me dhunë, e kryer në bashkëpunim”.

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 68 shtetas, konkretisht: 15 janë arrestuar, 2 janë ndaluar dhe 51 po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 16 raste: 4 raste të “Kanosja”, 1 në Tiranë, 1 në Lezhë dhe 1 në Berat, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 2 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, në Dibër; 9 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 3 në Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Korçë, 1 në Berat, 1 në Fier, 1 në Lezhë dhe 1 në Dibër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Plagosja e rëndë me dashje”, në Tiranë, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 5 raste të dhunës në familje, 3 në Tiranë, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë dhe 1 autor të arrestuar në flagrancë; 2 në Elbasan, me 1 autor të arrestuar në flagrancë, si dhe janë plotësuar 7 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 6 raste, 1 në Dibër dhe 5 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 3 raste të shkatërrimit të pronës, 2 në Durrës dhe 1 në Korçë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, 1 në Tiranë dhe 1 në Durrës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në të gjithë vendin janë evidentuar 4 raste aksidentesh, me 5 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar 3 raste të ndërtimit pa leje, 2 në Tiranë dhe 1 në Gjirokastër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar dhe proceduar 2 drejtues mjetesh që drejtonin mjetet në gjendje të dehur, 1 në Korçë dhe 1 në Berat.

Është evidentuar dhe proceduar 1 drejtues mjeti që drejtonte mjetin pa leje drejtimi, në Korçë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.