Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Kurbin – Zbardhet vrasja e 24 vjeçarit V.SH. Identifikohet dhe shpallet në kërkim autori i dyshuar i vrasjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme. Në lidhje me ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme në lagjen në afërsi të stadiumit Laç, Kurbin, ku mbeti i vrarë me armë zjarri shtetasi V.Sh., Policia ngriti një grup të posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin për zbardhjen e kësaj ngjarjeje. Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera nga grupi i posaçëm hetimor, rezultoi se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta, pas një konflikti të çastit, dhe se autori i dyshuar i vrasjes është shtetasi E.K.,32 vjeç, banues në Tiranë. Policia e Kurbinit në bashkëpunim me Policinë e Tiranës vijon punën për lokalizimin dhe kapjen e autorit të dyshuar të vrasjes së 24 vjeçarit. Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin për veprime të mëtejshme hetimore, për veprat penale “Vrasje me dashje” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”, parashikuar nga nenet 76 dhe 278/1 të Kodit Penal.
Lezhë – Vijon puna për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Kapet dhe arrestohet një tjetër shtetas shqiptar me qëllim ekstradimi drejt Italisë, i dyshuar për përfshirje në Organizatë kriminale për shfrytëzim prostitucioni. Shërbimet e Policisë kriminale të Komisariatit Lezhë, pas informacioneve të marra dhe një pune të mirëorganizuar në bashkëpunim me Interpol Tirana dhe me Zyrën e Interforcës të Policisë italiane, arrestuan përkohësisht me qëllim ekstradimi drejt Italisë shtetasin shqiptar të shpallur në kërkim ndërkombëtar L.K.,42 vjeç, banues në Lezhë. Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, pasi Gjykata e Trevizo/ Itali, në qershor 2015 ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Organizatë kriminale” dhe “Shfrytëzim prostitucioni”. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë për veprime të mëtejshme.
Korçë – Vijojnë kontrollet në të gjithë qarkun, në ambiente ku vazhdon të ushtrohet aktiviteti i paligjshëm i lojrave të fatit. Policia procedon penalisht në gjendje të lirë tre shtetas, dy në Korçë dhe 1 në Maliq, për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara”. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatet e Policisë Korçë dhe Maliq, filluan procedimin penal në gjendje të lirë ndaj shtetasve A.B, 34 vjeç, banues në Korçë, E.D, 40 vjeç, banues në Korçë dhe F.H, 24 vjeç, banues në fshatin Bregas, Maliq. Gjatë kontrolleve të ushtruara nga shërbimet e Policisë në lagjet nr 5 dhe 10 të qytetit të Korçës, si edhe në fshatin Bregas, Maliq dhe më konkretisht në lokalin në pronësi të shtetasit A.B, në lokalin ku ishte i punësuar shtetasi E.D si dhe në lokalin në përdorim nga shtetasi F.H, iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale respektivisht një kompjuter laptop, një telefon celular iPhone dhe një njësi kompjuteri, të cilat dyshohet se përdoreshin nga këta shtetas për vendosjen e basteve sportive. Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprime të mëtejshme.
Vlorë – Arrestohet nga Policia kryeplaku i fshatit bashkë me të birin, pasi iu gjetën të kultivuara bimë narkotike përreth banesës së tyre. Shërbimet e Stacionit Policor Selenicë në bashkëpunim me Seksionin e Narkotikëve, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, pas kontrollit të ushtruar përreth një banesë në fshatin Penkovë, Bashkia Selenicë, u konstatuan të mbjella bimë dhe fidanë të dyshuara të llojit cannabis sattiva. Menjëherë, Policia ka arrestuar pronarët e banesës si autorë të dyshuar në lidhje me kultivimin e tyre. Arrestohen në flagrancë shtetasit A. N., 57 vjeç, me detyrë – Kryeplak i Fshatit Penkovë dhe V. N., 23 vjeç, banues në të njëjtën banesë (babë e bir). Materialet iu referuan Prokurorisë për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike” e kryer në bashkëpunim dhe “Shpërdorimi i detyrës”.
Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 126 shtetas, konkretisht: 18 janë arrestuar, 9 janë ndalur dhe 99 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 2 shtetas pasi ishin shpallur në kërkim, 1 në qarkun Tiranë, i dënuar për veprën penale “Vjedhja” dhe 1 në qarkun Fier, i dënuar për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 7 raste, konkretisht: 3 raste në qarkun Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 2 raste në qarkun Durrës, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë; 1 rast në Korçë me 1 autor dhe 1 rast në Vlorë me 2 autorë, të cilët janë arrestuar.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 17 raste, konkretisht: 5 raste të “Kanosja”, 2 në qarkun Tiranë, 2 në Durrës dhe 1 në Elbasan, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 6 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në qarkun Durrës, 2 në Korçë, 1 në Berat, 1 në Fier, 1 në Lezhë, me 9 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 5 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 4 në qarkun Tiranë dhe 1 në Elbasan, me 6 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Plagosja e rëndë me dashje , në qarkun Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 15 raste të veprës penale “Dhuna në familje”, konkretisht: 2 në qarkun Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Fier, ku autorët janë arrestuar; 1 në Korçë dhe 1 në Berat, ku autorët janë arrestuar në flagrancë, si edhe janë plotësuar 9 kërkesë – padi për lëshim të menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 8 raste, 1 në qarkun Tiranë, 1 në Vlorë dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe 5 raste të tjera, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 11 raste të veprës penale “Ndërtimi pa leje”, konkretisht: 3 në qarkun Tiranë, 2 në Durrës, 1 në Elbasan, 2 në Berat, 1 në Gjirokastër dhe 2 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 3 raste të “Organizimi i lotarive të palejuara”, në qarkun Korçë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Pushtim toke”, në qarkun Vlorë, me 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.
Në fushën e shkatërrimit të pronës është evidentuar 1 rast, në qarkun Shkodër, me 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 5 raste të kalimit të paligjshëm të kufirit, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Në territorin e Shqipërisë janë evidentuar 7 raste aksidentesh, me 8 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Janë evidentuar 4 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, 2 në qarkun Tiranë, 1 në Elbasan dhe 1 në Korçë, të cilët janë arrestuar në flagrancë.
Janë evidentuar 3 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, në qarkun Tiranë, të cilët janë arrestuar në flagrancë.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.
Në gjithë territorin vijon operacioni për evidentimin dhe ndëshkimin e personave që merren me organizimin e paligjshëm të lojërave të fatit.