DVP Shkodër/Finalizohet operacioni i koduar “Destinationi”

DVP Shkodër/Finalizohet operacioni i koduar “Destinationi”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit.

U kap në afërsi të PKK Hani i Hotit, duke transportuar me automjet, 3 shtetas të huaj që synonin të kalonin ilegalisht në territorin e Malit të Zi, arrestohet në flagrancë 44-vjeçari.

Sekuestrohet automjeti me të cilin transportoheshin 3 shtetasit e huaj.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të DVP Shkodër, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e rasteve të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, bazuar dhe në informacionet e siguruara, organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “Destinationi”.

Në kuadër të këtij operacioni, u arrestua në flagrancë shtetasi Gj. U., 44 vjeç, banues në Shkodër.

Ky shtetas u kap nga shërbimet e Policisë, gjatë natës, në rrugën nacionale pranë PKK Hani i Hotit, duke transportuar me automjetin e tij, 3 shtetas me origjinë afrikane, që synonin të kalonin ilegalisht në territorin e Malit të Zi. 3 shtetasit e huaj nuk dispononin dokumente identifikimi dhe dyshohet se kanë hyrë në mënyrë të paligjshme në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.