Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 12 nëntor 2021

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Lezhë – Finalizohet operacioni policor antidrogë i koduar “Rubiku”. Operacioni nga Sektori për Hetimin e Krimeve kundër Narkotikëve dhe Forca Operacionale në DVP Lezhë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Lezhë, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve. Sekuestrohen 15 kilogramë e 387 gramë lëndë narkotike cannabis sativa. Arrestohen në flagrancë 3 shtetasit që transportonin lëndën narkotike. Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e prodhimit dhe shitjes së lëndës narkotike cannabis sativa, nga shërbimet e Policisë Lezhë u bë i mundur finalizimi me sukses i operacionit të koduar “Rubiku”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve R. D., 29 vjeç, R. N., 20 vjeç dhe P. M., 21 vjeç, banues në Lezhë dhe Mirditë.  Shërbimet e Policisë Lezhë kishin marrë informacione se këta shtetas po transportonin lëndë narkotike nga Mirdita në drejtim të Lezhës. Bazuar në këto informacione, në vendin e quajtur “Ura Ushtarake”, në Njësinë Administrative Rubik, shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetet e dyshuara, me drejtues shtetasit P. M. dhe R. D. Gjatë kontrollit të automjeteve tip “Ford” dhe tip “Nissan”, të drejtuar nga këta shtetas, shërbimet e Policisë gjetën dhe 15 kilogramë e 387 gramë lëndë narkotike cannabis sativa. Gjithashtu, gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj shtetasit R. N., pasagjer në njërin prej mjeteve, shërbimet e Policisë i gjetën një peshore elektronike. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan lënda narkotike, peshorja elektronike, 3 aparate celular dhe 2 automjete. Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.    Materialet procedurale i kaluan për ndjekje të mëtejshme, Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.

DVP Vlorë – Goditet një tjetër rast i armëmbajtjes pa leje. Sekuestrohet një armë zjarri pistoletë, vihet në pranga poseduesi. Në vijim të punës për rritjen e parametrave të sigurisë, si rezultat i kontrolleve të shtuara për kapjen e personave në kërkim dhe atyre që posedojnë armë zjarri, në bazë të informacioneve të mara në rrugë operative, Forca e Posaçme Operacionale në DVP Vlorë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë kanë goditur një tjetër rast të armëmbajtjes pa leje. Shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në ambientet e një lokali në lagjen “Hajro Çakerri”, ku kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë zjarri tip pistoletë, me fishekë. Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë  arrestuan në flagrancë për veprën penale “Armëmbajtje pa leje”, poseduesin e armës së zjarrit, shtetasin M. Sh., 29 vjeç, banues në Vlorë. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme.

Kavajë – Goditet një rast i veprimtarisë kriminale në fushën e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve. Sekuestrohen 4 kilogramë e 403 gramë lëndë narkotike e dyshuar cannabis sativa, vihet në pranga poseduesi. Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative për një shtetas që posedonte lëndë narkotike në banesë, shërbimet e Policisë Kavajë kanë organizuar punën dhe kanë ushtruar kontroll në banesën e shtetasit N. Q., në fshatin Veliboshtovë.  Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar 4 kg e 403 gramë lëndë narkotike të dyshuar cannabis sativa. Në vijim të veprimeve, specialistët e Komisariatit të Policisë Kavajë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit N. Q., 61 vjeç, banues në fshatin Veliboshtovë, në Kavajë. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kavajë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 96 shtetas, konkretisht: 2 janë ndaluar, 33 janë arrestuar në flagrancë dhe 61 po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 11 raste, me 6 autorë të arrestuar dhe 9 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 2 raste: 1 rast “Kanosja”, në Korçë, ku autori është proceduar në gjendje të lirë dhe 1 rast i “Plagosja e lehtë me dashje”, në Berat, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Në fushën e dhunës në familje janë evidentuar 6 raste, 2 në Tiranë dhe 1 në Fier, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë, 1 në Elbasan, 1 në Gjirokastër dhe 1 në Lezhë, ku autorët janë arrestuar në flagrancë. Janë plotësuar 8 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 6 raste, 3 raste më 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë, si dhe 2 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 11 raste të ndërtimit pa leje, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 10 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprën penale “Shkatërrim prone”.

Janë proceduar penalisht 3 shtetas, për veprën penale “Përdorimi me keqdashje i thirjeve telefonike”, 1 në Tiranë dhe 2 në Elbasan.

Janë arrestuar në flagrancë 2 shtetas në Korçë, 1 në Durrës dhe 2 të tjerë në Berat, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Janë proceduar penalisht 3 shtetas, për veprën penale “Prerja e paligjshme e pyjeve”, 2 në Shkodër dhe 1 në Gjirokastër.

Në Vlorë dhe në Shkodër janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Janë arrestuar në flagrancë 2 shtetas, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.

Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 8 raste aksidentesh, me 3 viktima dhe 12 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Janë arrestuar në flagrancë 6 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Janë arrestuar në flagrancë 2 shtetas dhe janë proceduar penalisht 2 të tjerë, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.