Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 12 maj 2020

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Skrapar – Policia identifikon dhe vë në pranga autorin e vrasjes me thikë të 77-vjeçarit. Rreth orës 17:30, në fshatin Jaupas, Skrapar, shtetasi H. Ç., 37 vjeç, pas një konflikti për motive të dobëta, ka qëlluar me mjet prerës (thikë) komshiun e tij që ndodhej vetëm në banesë, shtetasin R. Ç., 77 vjeç, i cili për pasojë ka ndërruar jetë. Menjëherë pas marrjes së informacionit për ngjarjen e ndodhur, shërbimet e Komisariatit të Policisë Skrapar kanë rrethuar zonën dhe falë reagimit të menjëhershëm dhe informacioneve të marra në rrugë operative kanë bërë të mundur identifikimin dhe arrestimin e autorit. Në cilësinë e provës materiale grupi hetimor ka sekuestruar armën e krimit, një mjet prerës (thikë). Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Durrës – Kapet dhe arrestohet me qëllim ekstradimi drejt Italisë, 39-vjeçari i dënuar për trafikim të lëndëve narkotike. Gjatë 4-mujorit të parë të vitit 2020, nga DVP Durrës, në bashkëpunim me Interpol Tirana janë kapur edhe 4 persona të tjerë të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara nga Drejtoria Vendore e Policisë Durrës për kapjen e personave të shpallur në kërkim, specialistët për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me Interpol Tirana, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, kapën dhe ndaluan një tjetër shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar, konkretisht shtetasin Genci Maksuti, 39 vjeç, banues në Durrës. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma/Itali, pasi Gjykata e Romës/Itali, në vitin 2018 e ka dënuar me 6 vjet e 6 muaj, për kryerjen e veprës penale “Trafikim i lëndëve narkotike”. Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, po vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë.

Durrës – Mbante lokalin hapur në kundërshtim me Aktin Normativ dhe ushtronte aktivitetin pa licencë, procedohet në gjendje të lirë administratorja e lokalit. Gjithashtu procedohen në gjendje të lirë 1 shtetas që drejtonte mjetin në gjendje të dehur dhe 1 shtetas që drejtonte mjetin pa leje drejtimi. Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomiko-Financiar në DVP Durrës, krahas angazhimit maksimal për monitorimin e zbatimit të masave të marra për parandalimin e përhapjes së COVID-19, proceduan në gjendje të lirë shtetasen A. H., 31 vjeçe, banuese në Durrës. Kjo shtetase mbante hapur lokalin “Bar Kafe” në administrim të saj, në kundërshtim me Aktin Normativ, në lagjen nr. 17, Durrës dhe ushtronte aktivitetin pa licencën përkatëse Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës proceduan në gjendje të lirë shtetasit A. P., 57 vjeç, banues në Shijak, pasi u konstatua në lagjen nr. 13, Durrës, duke drejtuar mjetin tip “Benz” në gjendje të dehur, në masën 0.59 mg/litër, si dhe I. M., 15 vjeç, banues në Durrës, pasi u konstatua nga shërbimet e Policisë në lagjen nr. 14, Durrës, duke drejtuar mjetin tip “Citroen” pa leje drejtimi. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprat penale “Fshehja e të ardhurave”, “Mospagimi i taksave dhe tatimeve” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.

Elbasan – Nuk respektoi rregullat e qarkullimit rrugor, goditi për shkak të detyrës punonjësin e Policisë, vihet në pranga 34-vjeçari. Specialistët e Qarkullimit Rrugor në DVP Elbasan, në vijim të punës monitorimin e zbatimit të masave kufizuese të marra për parandalimin e përhapjes së COVID-19, arrestuan në flagrancë shtetasin F. T., 34 vjeç, banues në Elbasan, pasi tek kryqëzimi i Cërrikut, Elbasan, ka goditur për shkak të detyrës punonjësin e Policisë Rrugore, i cili i ka vendosur masë administrative për mosdhënie  përparësie në kryqëzim. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprimet e mëtejshme.

Tiranë – Vijon puna nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Falë reagimit të menjëhershëm dhe veprimeve profesionale në vendngjarje, identifikohet dhe vihet në pranga autori i vendosjes së lëndës plasëse në dritaren e banesës së shtetasit B. H. Sekuestrohen 3 kallëpe me lëndë plasëse, një fitil me detonator dhe 20 metra fitil zjarrpërcjellës. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin Nr. 4, menjëherë pas ngjarjes së ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në fshatin Bastar i Mesëm, ku ishte vendosur një sasi lënde plasëse në banesën e shtetasit B. H., bënë të mundur zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit.Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë, për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”, “Kanosja” dhe “Shkatërrimi i pronës”, i shtetasit P. H., 60 vjeç, pasi në fshatin Bastar i Mesëm, Njësia Administrative Zall Bastar, dyshohet se ka vendosur një sasi të vogël lënde plasëse në dritaren e banesës e shtetasit B. H., duke i shkaktuar dëme të lehta materiale.  Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit të arrestuar, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 20 metra fitil zjarrpërcjellës, një detonator dhe 3 kallëpe të dyshuara me lëndë plasëse.

Në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë, si dhe për kapjen e vënien para drejtësisë të autorëve, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1, si rezultat i punës hetimore të kryer dhe informacioneve të siguruara në rrugë operative, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit Gj. D., 36 vjeç, pasi u kap në flagrancë duke vjedhur një biçikletë. Ky shtetas ka qenë i shpallur në kërkim, pasi gjatë muajve mars dhe maj ka vjedhur 2 biçikleta, 1 laptop dhe një shumë të hollash në një kioskë.

Gjithashtu, nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin Nr. 4, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit O. T., sepse në mënyrë të vazhdueshme, ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëjetueses së tij dhe ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë. Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit E. H., 20 vjeç, banues në Tiranë, pasi ditën e djeshme, rreth orës 17:00, tek rrethrrotullimi TEG-Farkë, ka aksidentuar biçiklistin U. P., 23 vjeç, i cili si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë.

Po nga specialistët e Qarkullimit Rrugor u bë arrestimi në flagrancë, për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” i shtetasit E. K., 21 vjeç, sepse në rrugën dytësore Tiranë – Durrës, u kap duke drejtuar pa leje drejtimi mjetin çiklomotor. Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim, nga strukturat e DVP Tiranë është kapur dhe ndaluar shtetasi D. GJ., 57 vjeç, i shpallur në kërkim për veprën penale “Dhuna në familje”.

Më datë 11.05.2020, rreth orës 17:20, në fshatin Qinam, është gjetur nga familjarët, e vetëvarur, pa shenja jete, shtetasja E. D., 14 vjeçe. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Më datë 12.05.2020, rreth orës 11:20, në kryqëzimin e Komunës së Parisit, biçiklistja I. K., 31 vjeçe është përplasur nga mjeti në pronësi të shtetasit E. Sh, i cili është larguar nga vendi i ngjarjes dhe po punohet për kapjen e tij. Shtetasja I. K. ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.  Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 75 shtetas, konkretisht: 13 janë arrestuar, 6 janë ndaluar dhe 56 po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 9 raste: 4 raste të “Kanosja”, 1 në Tiranë, 1 në Korçë, 1 në Shkodër dhe 1 në Kukës; 2 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Korçë dhe 1 në Berat; 3 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 2 në Fier dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 5 raste të dhunës në familje, 2 në Elbasan, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë; 1 në Korçë, 1 në Gjirokastër dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe janë plotësuar 6 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 11 raste, 1 në Tiranë, ku autorizo procedohet në gjendje të lirë dhe 10 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Është evidentuar 1 rast i shkatërrimit të pronës, ne Lezhë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, në Lezhë.

Janë proceduar 2 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Në të gjithë vendin janë evidentuar 5 raste aksidentesh, me 1 viktimë dhe 5 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar 8 raste të ndërtimit pa leje, 1 në Tiranë, 4 në Durrës, 1 në Elbasan, 1 në Fier dhe 1 në Berat, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar dhe proceduar 2 drejtues mjetesh që drejtonin mjetet në gjendje të dehur, 1 në Durrës dhe 1 në Fier.

Janë evidentuar dhe proceduar 3 drejtues mjetesh që drejtonin mjete pa leje drejtimi, 1 në Tiranë, 1 në Durrës dhe 1 në Fier.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.