Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 11 qershor 2020

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Gramsh – Finalizohet operacioni policor i koduar i koduar “Panda”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies së ndihmës për kalim të paligjshëm të kufijve, kundrejt fitimit. Kapen duke transportuar 4 shtetas të huaj, kundrejt fitimit 400 deri në 500 euro për person, arrestohen në flagrancë 2 shtetas. Në kuadër të masave të marra për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, si dhe në vijim goditjeve të njëpasnjëshme të bëra nga strukturat e DVP Elbasan, për vënien para përgjegjësisë ligjore të personave përgjegjës, shërbimet e Komisariatit të Policisë Gramsh, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, pas informacioneve të marra në rrugë operative për dy shtetas që transportonin nga Gramshi drejt Tiranës, disa shtetas nga vendet e treta, me qëllim dhënien ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, organizuan punën duke finalizuar operacionin policor “Panda”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve H. H., 35 vjeç dhe R. D., 28 vjeç, të dy banues në Durrës. Këta shtetas u kapën nga shërbimet e Policisë, në qytetin e  Gramshit, duke transportuar me mjetin e tyre, i cili u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, 4 shtetas sirianë e palestinezë, të cilët kishin hyrë ilegalisht në Korçë, nëpërmjet kufirit jeshil nga shtetit grek. Të dy shtetasit e arrestuar do t’i transportonin sirianët dhe palestinezët, kundrejt fitimit që varionte 400-500 euro për secilin, për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme në drejtim të Malit të Zi, me destinacion final një nga vendet e BE-së. Materiale hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprimet e mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Dibër – Vijon kontrolli masiv i territorit për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike. Strukturat e Policisë po përdorin dronët për monitorimin e zonave të thella e pyjore. Gjatë kontrollit të territorit janë angazhuar 50 punonjës policie dhe dy dronë. Nga kontrollet me dronë nuk janë evidentuar raste të tentativës për kultivim të kanabisit. Shërbimet policore,  përveç kontrolleve në zonat e thella malore dhe në fshatra, kanë ushtruar kontrolle edhe me këmbë në lagjet e qyteteve të qarkut Dibër dhe si rezultat në lagjen “Gjeologu”, në Bulqizë, u konstatua një rast i kultivimit të kanabisit dhe u arrestua nga Policia shtetasi S. T., 31 vjeç, pasi në oborrin e banesës së tij u gjetën të kultivuar disa fidanë narkotikë. Kontrolli i territorit do të vijojë çdo ditë, duke kontrolluar dhe në zonat më të thella, falë përdorimit të flotës së dronëve dhe helikopterëve.

OFL, 11 qershor – Vijon pa ndërprerë Operacioni Forca e Ligjit, në zbatim të detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ të datës 31 janar 2020. Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve: O. B., banues në Tiranë, i dënuar për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike”; E. Q., banues në Tiranë, i dënuar për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, kryer në bashkëpunim dhe G. L., banues në Vlorë, për të cilin Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” në mungesë, për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese”, e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”. Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme. OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special. OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.

Tiranë – Bien në prangat e Policisë 5 shtetas, dy prej të cilëve ishin shpallur në kërkim. Shërbimet e Komisariatit Nr. 3, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve, arrestuan në flagrancë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, “Shkatërrim prone” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë”, shtetasin palestinez H. F., 22 vjeç, pasi në rrugën “At Zef Valentini”, gjatë kontrollit fizik iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi lënde narkotike e llojit cannabis sativa. Ky shtetas, gjatë kohës që po shoqërohej në dhomën e ndalimit, ka kundërshtuar punonjësit e Policisë dhe ka thyer plotësisht xhamin e derës së korridorit. Po nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. H., 20 vjeç, pasi në rrugën “Babë Rexha”, gjatë kontrollit fizik iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi lënde narkotike e llojit cannabis sativa. Ndërkohë, nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 5 u bë arrestimi në flagrancë, për veprën penale “ Vjedhja”, i shtetasit sirian A. E., 22 vjeç, pasi në Fushë Kërçik, Babrru, është kapur në flagrancë duke kontrolluar në banesën e shtetasit D. P., me qëllim për të vjedhur. Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim, nga strukturat e DVP Tiranë janë kapur dhe ndaluar shtetasit Sh. B., 35 vjeç, i shpallur në kërkim për veprën penale ”Kalim i paligjshëm i kufijve shtetëror” dhe F. M., 41 vjeç, i shpallur në kërkim për veprat penale “Falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve”, “Krijim i skemave të mashtrimit lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, “Fshehja e të ardhurave”, dhe ”Vjedhja” e kryer në bashkëpunim. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 113 shtetas, konkretisht: 37 janë arrestuar, 1 është ndaluar dhe 76 po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 8 raste, me 9 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 17 raste: 6 raste të “Kanosja”, 2 në Tiranë, 2 në Vlorë, 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe 1 në Shkodër, ku autori është arrestuar në flagrancë; 4 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 3 në Tiranë dhe 1 në Fier, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 7 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 2 në Tiranë, 1 në Kukës, 1 në Durrës dhe 1 në Korçë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 2 në Gjirokastër, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 6 raste të dhunës në familje, 2 në Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë; 1 në Korçë, ku autori është arrestuar në flagrancë; 1 në Fier, ku autori po procedohet në gjendje të lirë; 2 në Vlorë, me 1 autor të arrestuar të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 11 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 13 raste, 2 në Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë; 1 në Durrës, 1 në Korçë dhe 1 në Fier, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe 8 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 10 raste të ndërtimit pa leje, 2 në Tiranë, 3 në Durrës, 1 në Elbasan, 2 në Fier, 1 në Vlorë, 1 në Kukës dhe 1 në Dibër.

Janë evidentuar 3 raste të “Mashtrimi”, 1 në Tiranë, 1 në Vlorë dhe 1 në Berat, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të shkatërrimit të pronës, 1 në Tiranë dhe 1 në Korçë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Pushtim toke”, në Lezhë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Prerja e paligjshme e pyjeve”, 1 në Tiranë dhe 1 në Korçë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë proceduar 3 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Në të gjithë vendin janë evidentuar 4 raste aksidentesh, me 1 viktimë dhe 4 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.