Raporti ditor i ngjarjeve, 18 gusht 2023

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive

Dimal, Berat-Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Dimal arrestuan në flagrancë shtetasin A. H., 37 vjeç, banues në Dimal, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.Mëngjesin e sotëm, në lavazhin në pronësi të 37-vjeçarit, një shtetas 15 vjeç, banues në Dimal, i cili punonte si ndihmës, në këtë lavazh, ka rënë në kontakt me rrymën elektrike dhe për pasojë, ka humbur jetën.Në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, vijojnë hetimet për të dokumentuar përgjegjësinë penale të shtetasit A. H.

Karaburun-Humbën orientimin gjatë natës, në një terren të thepisur, në zonën e quajtur “Qafa e Thellë”, shërbimet e Stacionit të Policisë Orikum iu shkojnë në ndihmë 2 turistëve francezë.Pas marrjes së njoftimit se 2 turistë francezë kishin humbur orientimin gjatë natës dhe për këtë shkak, kishin mbetur të bllokuar në zonën e quajtur “Qafa e Thellë”, shërbimet e Stacionit të Policisë Orikum, të asistuar nga inspektorë të zonave të mbrojtura, kanë organizuar punën për t’iu shkuar në ndihmë këtyre turistëve.Pas 4 orësh kërkime, u bë i mundur lokalizimi i 2 turistëve francezë, të cilët fillimisht janë asistuar me ujë dhe me ushqim, dhe më pas janë shoqëruar nga punonjësit e Policisë, deri te vendi ku ishin akomoduar për qëllime turistike.2 turistët francezë janë në gjëndje të mirë shëndetësore dhe kanë falënderuar punonjësit e Policisë , për gatishmërinë e treguar.Policia e Shtetit fton çdo qytetar/turist që gjendet në një nevojë që lidhet me detyrat funksionale të Policisë, të kërkojë ndihmë, dhe reagimi do të jetë i menjëhershëm.

Gjirokastër/Vijon puna për lokalizimin, kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të shtetasve të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Koordinimi i punës dhe shkëmbimi i informacioneve ndërmjet policive të Gjirokastrës, Durrësit dhe Vlorës, çoi në pranga shtetasin e shpallur në kërkim në kuadër të 2 operacioneve antidrogë.

29-vjeçari i ndaluar, me 2 masa sigurie, i akuzuar nga Gjykata e Gjirokastrës për transportimin e 27.6 kg cannabis sativa, dhe i akuzuar nga Gjykata e Vlorës për kultivim dhe prodhim të cannabis sativës, në ambient të mbyllur, me anë të llambave.

29-vjeçari u kap teksa punonte në një lavazh në afërsi të urës së Dajlanit, Durrës.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër, si rezultat i shkëmbimit të informacioneve dhe koordinimit të veprimeve policore me drejtoritë vendore të Policisë, Durrës dhe Vlorë, për vendndodhjen e një shtetasi me precedent të theksuar kriminal në fushën e narkotikëve, kanë lokalizuar në një subjekt (lavazh), në afërsi të urës së Dajlanit, Durrës, shtetasin e shpallur në kërkim K. M., 29 vjeç.

-Gjykata e Gjirokastrës i ka caktuar 29-vjeçarit, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim. Shtetasi K. M. akuzohet se ka bashkëpunuar me një shtetas tjetër, për të transportuar 27.6 kg lëndë narkotike cannabis sativa. Ky rast u konstatua dhe u godit nga Policia e Gjirokastrës, në vendin e quajtur “Kthesa e Sofratikës”, më datë 24.01.2022, në kuadër të operacionit policor të koduar “Transporter”.

-Gjykata e Vlorës i ka caktuar shtetasit K. M., masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike ose e impulseve telefonike”. Në magazinën e marrë me qira nga shtetasi K. M., në fshatin Volloder, u gjetën të kultivuara me anë të llambave që furnizoheshin me energji elektrike të vjedhur, 100 bimë narkotike cannabis sativa. Gjithashtu në ambientet e kësaj magazine u gjet një sasi lënde narkotike cannabis sativa. Ky rast u konstatua dhe u godit nga Policia e Vlorës, më datë 26.01.2022, në kuadër të operacionit policor të koduar “Volloder”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

DVP Korçë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Midnight 15”.Operacioni, i zhvilluar pas hetimeve proaktive njëjavore, për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, kundrejt pagesave të konsiderueshme, për kalim të paligjshëm të kufirit.Transportonte me furgon, 21 emigrantë nga vendet e treta, kundrejt pagesave 1000-1500 euro/person, kapet në flagrancë dhe vihet në pranga 35-vjeçari.Gjithashtu, në celularin e të arrestuarit u gjetën faqe online aktive për vënie të basteve sportive.Sekuestrohen furgoni me të cilin po transportoheshin emigrantët, 2 celularë dhe një shumë parash e përfituar nga transportimi.Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Korçë, në vijim të punës për goditjen e rasteve të transportimit të kundërligjshëm të emigrantëve, kundrejt fitimit, pas hetimeve proaktive njëjavore, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, rajoni Korçë-Elbasan, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Midnight 15”, si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi:D. D., 35 vjeç, banues në Shkozet, Durrës.35-vjeçari u kap në flagrancë nga shërbimet e Policisë, mbi fshatin Vërdovë, Pogradec, teksa po transportonte me një automjet (furgon), kundrejt pagesave 1000-1500 euro/person, 21 emigrantë nga vendet e treta, me qëllim kalimin ilegal të kufirit, me destinacion final shtetet e BE-së.Gjithashtu, në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, në celularin e shtetasit D. D., u gjetën aktive, faqe online për vënie të kundërligjshme, të basteve sportive.Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan furgoni me të cilin trasnportoheshin emigrantët, 2 celularë dhe një shumë parash e dyshuar e përfituar nga kjo veprimtari kriminale.Vijon puna për të provuar ligjërisht veprimtaritë kriminale ku mund të jetë i implikuar shtetasi D. D., si dhe për të identifikuar dhe për të arrestuar bashkëpunëtorët e tij.Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.

Ksamil, Sarandë

Vijon operacioni policor i koduar “Plazh i lirë”, me qëllim lirimin e hapësirave në plazhe, që janë zënë në kundërshtim me ligjin. 

Kjo fazë e operacionit u shtri në plazhet e Ksamilit, dhe rezultoi me sekuestrimin e 432 shezlongëve dhe 216 çadrave që ishin vënë pa autorizim.

Procedohen penalisht 2 administratorë që kishin vënë shezlongët dhe çadrat, në mënyrë të kundërligjshme, dhe nuk deklaronin të ardhurat që gjeneronin nga ky aktivitet.

-Në plazhin e quajtur “Pema e thatë”, Ksamil, u sekuestruan 328 shezlongë dhe 164 çadra që ishin vënë pa autorizim. Për këtë rast, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin K. I., 39 vjeç, banues në Sarandë.

-Në plazhin e quajtur “Laguna”, Ksamil, u sekuestruan 104 shezlongë dhe 52 çadra që ishin vënë pa autorizim. Për këtë rast, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. L., 49 vjeç, banues në Berat.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Pushtimi i tokës” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

Kontrollet dhe verifikimet në kuadër të operacionit “Plazh i lirë”, vijojnë.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 91 shtetas, konkretisht: 27 shtetas janë vënë në pranga, 58 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 6 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 9 raste – 4 shtetas janë vënë në pranga dhe 7 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e armëmbajtjes pa leje, janë evidentuar 3 raste, me 2 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të shpallur në kërkim.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 7 raste, njëri prej të cilave me autor/ë ende të paidentifikuar, ndërsa rastet e tjera rezultojnë me 4 shtetas të vënë në pranga, 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 8 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të krimeve ekonomike- 2 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 4 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të falsifikimit të dokumenteve, me 2 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, me 4 shtetas të vënë në pranga.

Gjithashtu, është evidentuar 1 rast i krimeve kompjuterike, me 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Për veprat penale në fushën e vjedhjen së pronës dhe pasurisë janë evidentuar 10 raste, 3 prej të cilave me autorë ende të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 4 shtetas janë vënë në pranga, 3 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, 1 shtetas i dënuar për vjedhje të energjisë elektrike, është kapur dhe vënë në pranga.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 10 raste- 1 shtetas është vënë në pranga dhe 9 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 7 raste të veprës penale “Dhuna në familje”, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 6 shtetas të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 10 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Është evidentuar 1 rast i krimeve kompjuterike dhe nga 1 rast i veprave penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së rendit publik”, “Vetëgjyqësia”, “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, “Prodhimi i kundërligjshëm i artikujve dhe mallrave industrialë dhe ushqimorë”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Shkelja e karantinës së bimëve dhe kafshëve”, me 9 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Gjithashtu, është evidentuar nga 1 rast i veprave penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Ngacmimi seksual”, “Goditje për shkak të detyrës” dhe “Heqja e paligjshme e lirisë”, me 5 shtetas të vënë në pranga.

Më tej, janë evidentuar 3 raste të veprave penale “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, njëri prej tyre me autor ende të paidentifikuar, ndërsa për 2 rastet e tjera janë proceduar në gjendje të lirë 2 shtetas, si dhe 1 rast i veprës penale “Përndjekja”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 4 aksidente, si pasojë e të cilave 7 shtetas janë dëmtuar. Janë evidentuar në total 16 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor- 7 shtetas janë vënë në pranga dhe 9 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e mjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.