Policia e Shtetit – Bashkëpunimi i Policisë së Shtetit me Partnerët në luftë kundër krimit të organizuar vuri në pranga në Hollandë një prej pjestarëve të grupit kriminal “Bajri”

Po në kuadër të bashkëpunimit Interpol Tirana ekstradoi nga Hollanda 39-vjeçarin nga Shkodra. Nga Specialistët e Zyrës Qëndrore Interpol Tirana u krye ekstradimi nga Amsterdami/Hollandë drejt vendit tonë të shtetasit shqiptar B.B. alias B. R. 39 vjeç, lindur në Shkodër. Shtetasi B. B., ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga ZQK Interpol Tirana, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda në vitin 2018, ka caktuar masën e sigurisë ”Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me dashje në bashkëpunim”, “Trafikimi i armëve dhe municionit”, “Organizimi i lotarive të palejuara”, “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie e pasurisë”, kryer në bashkëpunim, në kuadër të grupit kriminal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”.

Përmbledhje e ngjarjes së ndodhur:

Shtetasi B. B., alias B. R., është anëtar i grupit kriminal “Bajri”, i cili në bashkëpunim me anëtarët e tjerë të këtij grupi kriminal janë autorë të një sërë veprash penale.

Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Hagë/Hollandë, u bë i mundur arrestimi i tij në Hollandë, duke u finalizuar me ekstradimin drejt vendit tonë.