Lushnjë – Vinin baste sportive, me celularë, arrestohet 1 shtetas, procedohen penalisht 4 të tjerë

Lushnjë/Në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, goditen 2 raste të tjera të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit.

Vinin baste sportive, me celularë, në 2 lokale në lagjen “Loni Dhamo”, arrestohet një 22-vjeçar dhe procedohen penalisht 4 shtetas.

Sekuestrohen celularët.

Si rezultat i kontrolleve në lokale ku dyshohet se organizohen dhe luhen lojëra fati, në kundërshtim me ligjin, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko- Financiare të DVP Fier goditën 2 raste të tjera të kësaj veprimtarie. Në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, për këto raste u arrestua në flagrancë shtetasi E. G., 22 vjeç, si dhe u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit G. C., 46 vjeç, A. Xh., 44 vjeç dhe Xh. M., 28 vjeç, dhe për një 16-vjeçar.

Këta shtetas u kapën në flagrancë, në 2 lokale në lagjen “Loni Dhamo” (njëri prej tyre në pronësi të 46-vjeçarit), teksa vinin baste sportive, me celularët e tyre që u sekuestruan si provë materiale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara” dhe “Fshehja e të ardhurave”.