Lezhë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Gjurma”, si rezultat i veprimeve intensive hetimore për zbardhjen e vjedhjeve.
Vodhi xhirot ditore në 9 subjekte të ndryshme në qytetin e Lezhës, gjatë këtij muaji, kapet dhe vihet në pranga 26-vjeçari, me precedent të theksuar penal për vjedhje.
Vodhi një iPad dhe çantën e një shtetaseje nga automjeti i saj i parkuar, arrestohet në flagrancë 39-vjeçari.
Sekuestrohen sendet e vjedhura.
Si rezultat i veprimeve intensive hetimore të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lezhë, për zbardhjen e rasteve të vjedhjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve, në bashkëpunim me Seksionin për Mbështetjen e Forcës Operacionale të DVP Lezhë, u finalizua operacioni policor i koduar “Gjurma”.
Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan 2 shtetas:
-E. U., 26 vjeç, banues në Lezhë, me precedent të theksuar penal për vjedhje, i shpallur në kërkim, pasi dyshohet se gjatë muajit korrik 2026 ka vjedhur xhirot ditore në 9 subjekte të ndryshme në qytetin e Lezhës;
-A. P., 39 vjeç, banues në Lezhë, pasi dyshohet se dy ditë më parë ka vjedhur nga një automjet i parkuar një iPad dhe një çantë me sende personale të drejtueses së automjetit.
Në momentin e kapjes së 39-vjeçarit, shërbimet e Policisë i gjetën iPad-in e vjedhur, të cilin ai sapo e kishte marrë pas riparimit në një dyqan në Shkodër.
Gjatë kontrollit në banesën e tij u gjet dhe u sekuestrua edhe çanta e vjedhur.
Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve dhe për zbardhjen e rasteve të tjera të vjedhjes që ata mund të kenë kryer.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.
