Shërbimet e Policisë në të gjithë vendin vijojnë kontrollet e territorit, monitorimin e qarkullimit rrugor dhe operacionet e njëpasnjëshme, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, me synim goditjen e paligjshmërive dhe rritjen e sigurisë publike.
U kapën/ndaluan 5 shtetas të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.
U ekzekutua vendimi penal i Gjykatës së Fierit, për shtetasin B. Sh., 51 vjeç, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, i dënuar me 1 vit e 8 muaj burgim për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Keqtrajtimi i të miturit”. Ky shtetas u ekstradua dje nga Kroacia.
U ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në burg”, caktuar nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për shtetasin M. M., 28 vjeç, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve për të kryer vrasje” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”. Gjithashtu, Gjykata e Breshias, Itali, ka lëshuar urdhër arresti për këtë shtetas për veprat penale “Organizata kriminale” dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike”. Ky shtetas është vetëdorëzuar mbrëmjen e djeshme në Komisariatin e Policisë Elbasan.
Në fushën e narkotikëve u goditën 8 raste në të gjithë territorin e vendit, me 2 autorë të arrestuar dhe 2 të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 4 raste vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Për këto raste u sekuestruan sasi të lëndëve të dyshuara narkotike kokainë dhe cannabis sativa, si dhe u asgjësuan bimë narkotike të kultivuara. Gjithashtu, u procedua në gjendje të lirë, për shpërdorim detyre, kryeplaku i një fshati ku u gjetën bimë narkotike të kultivuara.
Në fushën e krimeve kundër personit u evidentuan 11 raste, me 17 autorë të proceduar në gjendje të lirë.
U arrestuan:
-një 53-vjeçar, i cili dyshohet se mbrëmjen e djeshme, në Gjirokastër, pas një konflikti për motive të dobëta me një 46-vjeçar, e ka goditur këtë të fundit me send të fortë. Të dy shtetasit po marrin mjekim në spital;
-një 26-vjeçar, pasi dyshohet se ka ngacmuar seksualisht një 17-vjeçare.
Po punohet për kapjen e një 40-vjeçari, i cili dyshohet se dje, në Vlorë, ka goditur me thikë, për motive të dobëta, një 50-vjeçar, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
U arrestua një 60-vjeçar, pasi në ambientet e Prokurorisë së Tiranës, dyshohet se ka kanosur, për shkak të detyrës, shefin e Hetimit Doganor me atributet e Policisë Gjyqësore.
Po punohet për kapjen e një 20-vjeçari, i cili dyshohet se dje, në Durrës, në marketin e tij, ka goditur me përforcues grushti një punonjës të Policisë Bashkiake, gjatë kryerjes së detyrës.
Janë proceduar në gjendje të lirë 2 shtetas për kundërshtim/mosbindje ndaj urdhrave të punonjësve të Policisë.
Janë evidentuar 5 raste të dhunës në familje, me 1 autor të arrestuar, 3 të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 të shpallur në kërkim. Gjithashtu, janë plotësuar 6 kërkesëpadi për urdhër mbrojtjeje.
Në fushën e krimeve kundër pronës u evidentuan 23 raste, me 3 autorë të arrestuar, 12 të proceduar në gjendje të lirë dhe 2 të shpallur në kërkim, ndërsa për 6 raste vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
U arrestuan 2 shtetas të mitur, pasi dyshohet se i kanë vjedhur me dhunë celularin një shtetaseje. Celulari u sekuestrua.
U arrestua një shtetas, i cili dyshohet se dy ditë më parë ka thyer xhamin e derës së një dyqani në Durrës dhe ka vjedhur 2 celularë.
U arrestua një 29-vjeçar dhe nisi procedimi penal për një 50-vjeçar, pasi në një fshat në Tiranë, gjatë manovrimit me eskavator, dyshohet se ka këputur një tel të tensionit të mesëm, duke shkaktuar zjarr në shkurre dhe ullishte në pronësi të familjes së 29-vjeçarit, i cili më pas ka dëmtuar automjetin e kompanisë dhe pajisjen GPS të kësaj kompanie.
Janë evidentuar 8 raste të krimeve kundër mjedisit, me 8 autorë të proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ekonomiko-financiare u evidentuan 8 raste, me 1 autor të arrestuar, 6 të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 të shpallur në kërkim.
U arrestua 1 shtetas, në Shkodër, pasi gjatë kontrollit fizik iu gjetën kartëmonedha të prerjeve 100 dhe 50 euro, të dyshuara të falsifikuara.
Është shpallur në kërkim 1 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 9 shtetas, për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e qarkullimit rrugor u arrestua 1 shtetas dhe u proceduan penalisht 10 të tjerë, pasi drejtonin automjete në gjendje të dehur ose pa leje drejtimi. Gjithashtu, u proceduan penalisht 6 të tjerë për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
Në bazë të Kodit Rrugor, u ndëshkua me masë administrative 12 000 lekë të rinj drejtuesi i automjetit i shfaqur në një video të publikuar në rrjete sociale, duke qarkulluar në sens të kundërt lëvizjeje në një kthesë me fushëpamje të kufizuar, në Sarandë.
Strukturat e Policisë Kufitare proceduan në gjendje të lirë 5 shtetas për kalim të paligjshëm të kufirit, kontrabandë mallrash dhe trafikim të mjeteve motorike.
Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë çdo rast paligjshmërie në numrin pa pagesë 112, duke garantuar reagim të shpejtë, profesionalizëm dhe anonimatin e plotë.
Fier/Informacion paraprak
Dje, shtetasja S. Q., 90 vjeçe, e cila vuante nga probleme shëndetësore, është gjetur pa shenja jete në shkallët e një pallati në lagjen “16 Prilli”. Paraprakisht dyshohet se është rrëzuar aksidentalisht dhe për pasojë ka humbur jetën. Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e rrethanave të rastit.
Kurbin/Informacion paraprak
Rreth orës 02:00, shtetasi F. K., pronar i një subjekti (gurore) në Mamurras, ka njoftuar Policinë se persona të paidentifikuar kanë goditur rojën e subjektit, shtetasin B. X., 45 vjeç, dhe më pas u kanë vënë flakën 3 mjeteve të rënda (ekskavatorë). Si pasojë e zjarrit është djegur edhe një kontejner. Menjëherë është ngritur grupi i posaçëm hetimor dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
