Kakavije – Zv.ministri i Brendshëm Andi Mahila, takim me homologun grek Eleftherios Oikonomou

Zv.ministri i Brendshëm z. Andi Mahila, shoqëruar nga drejtuesit e policive të qarqeve Gjirokastër e Korçë, zhvilloi një takim me zv.ministrin e Mbrojtjes Qytetare dhe Emigracionit të Greqisë, z. Eleftherios Oikonomou dhe me përfaqësues të Policisë greke, në kufirin me Shqipërinë. Ata diskutuan çështje të bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe të lehtësimit të lëvizjes së qytetarëve, në të dy anët e kufirit.

Zv.ministri Mahila: “Përshëndetje të gjithëve! Sot realizuam takimin e radhës me zv.ministrin e Mbrojtjes Qytetare dhe Emigracionit të Greqisë z. Oikonomou. Ky takim u dakordësua nga të dy ministrat respektivë, gjatë bisedimeve që ministri i Brendshëm z. Çuçi pati me homologun e tij grek në vizitën e realizuar në Athinë, para disa ditëve.

Së bashku me autoritetet greke kemi ndërtuar marrëdhënie të cilat, nga të dyja palët, vlerësohen në nivel shumë të mirë.

Takimi i sotëm është dëshmi e vullnetit të dy qeverive tona, për të thelluar, zgjeruar dhe intensifikuar marrëdhëniet, bazuar në interesat strategjike reciproke, bashkëpunimin e ngushtë në NATO dhe perspektivën e përbashkët europiane.

Prezenca në takimin e sotëm e të gjithë drejtuesve më të lartë të policive vendore dhe të kufirit, si dhe drejtuesve të zonave kufitare midis dy vendeve, tregon edhe një herë tjetër bashkëpunimin e frytshëm midis policive të dy shteteve, si dhe është një konkretizim i angazhimit të marrë me qëllim realizimin e objektivave që janë vendosur në nivele qeveritare.

Menaxhimi i fluksit të hyrjeve-daljeve të shtetasve dhe të mjeteve, në pikat e kalimit kufitar, vazhdon të jetë një preokupim i strukturave tona përgjegjëse, reciproke.

Një nga temat kryesore të bisedimeve të sotme ishte pikërisht koordinimi dhe organizimi në detaj i punës me qëllim lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve tanë. Synojmë fillimisht lëvizje të sigurtë dhe pa probleme, kryesisht për periudhat e festave siç është kjo e Pashkëve, gjatë javës së ardhshme, por patjetër edhe gjatë sezonit turistik dhe festave të fundvitit.

Bashkërendimi i veprimeve tona të përbashkëta për vënien në funksion të Qendrës së Përbashkët të Bashkëpunimit Policor dhe Doganor, marrëveshje e cila është nënshkruar midis dy qeverive tona, dhe ratifikuar nga parlamentet respektive, ishte një temë tjetër diskutimi e takimit të sotëm.

Të dyja palët kemi rënë dakord dhe kanë filluar angazhimet reciproke për vënien në funksion të kësaj qendre brenda këtij viti.

Gjithashtu, prezencën e FRONTEX në kufijtë tanë e vlerësojmë si një garanci për sigurinë dhe luftën cilësore ndaj krimit të organizuar. Vënia në funksionim e Qendrës së Përbashkët të Bashkëpunimit Policor dhe Doganor do të jetë një vlerë e shtuar, e cila do të kontribuojë në konsolidimin e cilësisë së kësaj lufte.”