Rezultatet kryesore të strukturave policore në vend dhe ngjarjet e ndodhura gjatë 24 orëve të fundit

Vijojnë kontrollet në territor, puna hetimore dhe operacionale, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Në fushën e narkotikëve janë goditur 12 raste, me 2 shtetas të arrestuar dhe 10 të proceduar në gjendje të lirë. Janë sekuestruar, në cilësinë e provës materiale, sasi të lëndëve të dyshuara narkotike kokainë dhe Cannabis Sativa.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 6 raste, me 7 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër pronës janë evidentuar 7 raste, me 1 shtetas të arrestuar dhe 4 të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 2 raste po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit janë evidentuar 3 raste, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të dhunës në familje, me 1 shtetas të arrestuar dhe 3 të proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, janë plotësuar 6 kërkesë-padi për lëshimin e urdhrave të mbrojtjes.

U procedua penalisht shtetasi R. D., 36 vjeç, pasi në Bulevardin Blu, Kamëz, shërbimet e Policisë i kanë gjetur në automjet dhe i kanë sekuestruar 24 000 euro, pa dokument shoqërues që vërteton burimin e tyre.

Janë arrestuar 3 shtetas dhe janë proceduar penalisht 3 shtetas, pasi drejtonin mjete në gjendje të dehur dhe/ose pa leje drejtimi. Njërit prej tyre iu gjet një armë e ftohtë (thikë), ndërsa 2 të tjerë nuk iu bindën urdhrit të punonjësve të Policisë për të ndaluar.

U arrestua 1 shtetas dhe u proceduan penalisht 3 shtetas, pasi dyshohet se kanë shkelur rregullat e qarkullimit rrugor. Gjithashtu, po punohet për identifikimin dhe kapjen e një shtetasi që është larguar nga vendi i aksidentit.

Janë arrestuar 2 shtetas dhe është proceduar penalisht 1 tjetër, pasi kanë thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.

Janë proceduar në gjendje të lirë 9 shtetas, për vepra të ndryshme penale.

Shërbimet e Policisë Kufitare proceduan penalisht 2 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit dhe kontrabandë të mallrave.

Interpol Tirana/Në kuadër të operacionit “The Wanted”, u arrestua në Greqi, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, shtetasi A. G., 22 vjeç, banues në në Çorovodë, Berat, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm, me vendimin e datës 15.06.2026, e ka dënuar me 4 vjet e 4 muaj burgim, për veprat penale “Kanosja” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Në vitin 2023, në Çorovodë, pas një konflikti me një shtetas, ka qëlluar me armë zjarri pistoletë drejt tij, pa e dëmtuar.
—
Tiranë
Në zbatim të masave të ndërmarra për garantimin e rendit dhe sigurisë, para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes së futbollit ndërmjet ekipeve “Partizani” dhe “KF Tirana”, që u zhvillua pasditen e djeshme në stadiumin “Air Albania”, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontrolle dhe kanë monitoruar lëvizjet e tifozëve.

Si rezultat i kësaj pune:

-U procedua penalisht një 25-vjeçar, pasi është konfliktuar me një 19-vjeçar, afër stadiumit, para fillimit të ndeshjes;
-U proceduan penalisht 2 shtetas të mitur, pasi gjatë kontrollit fizik iu gjetën kapsolla dhe flakadanë, të cilët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale;
-U identifikua dhe u shpall në kërkim një 19-vjeçar, pasi dyshohet se ka hedhur një kapsollë në fushën e lojës gjatë zhvillimit të ndeshjes.

Materialet iu kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Elbasan/Informacion paraprak

Në lagjen “5 Maji”, shtetasi L. Z. ka njoftuar se rreth orës 04:05 të mëngjesit, disa persona të paidentifikuar janë futur në banesën e tij dhe, nën kërcënimin e armës së zjarrit, i kanë marrë 4 telefona celularë dhe një shumë parash.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje. Sapo kanë konstatuar praninë e shërbimeve të Policisë, personat janë larguar në drejtim të zonës kodrinore, duke përfituar nga errësira, dhe kanë braktisur automjetet. Vijon ndjekja për kapjen e tyre.

Në vijim të veprimeve, janë gjetur dhe sekuestruar 2 automjete, të dyshuara se janë përdorur gjatë ngjarjes, veshje të ngjashme me uniformat e Policisë dhe prova të tjera që do t’i shërbejnë grupit hetimor për zbardhjen dhe dokumentimin e rastit.

Po punohet për zbardhjen e plotë të rrethanave, identifikimin dhe kapjen e personave të përfshirë në ngjarje.

Devoll/Informacion paraprak

Rreth orës 12:30, në rezervuarin e qytetit, është gjetur pa shenja jete shtetasja A. K., 82 vjeçe, banuese në Devoll.

Nga këqyrja paraprake e trupit nuk janë konstatuar shenja dhune dhe paraprakisht dyshohet se kjo shtetase është vetëmbytur.

Grupi hetimor po punon për dokumentimin e shkakut të humbjes së jetës dhe të rrethanave të rastit.