Mbështetur në pikën 1, pikën 2 shkronja “c”, dhe “l” e nenit 55, nenet 69, 70 dhe 71, të Ligjit Nr.82/2024 “Për Policinë e Shtetit”, nenet 70, 85, 86 dhe 88, të Rregullores së Policisë së Shtetit, miratuar me VKM nr.112, datë 24.02.2025, në VKM nr.881, datë 28.10.2020, “Për statusin e veçantë të Akademisë së Sigurisë, si institucion i vetëm i arsimit të Lartë në fushën e Rendit e të Sigurisë Publike, si dhe organizimin e funksionimin e saj”, i ndryshuar, në Urdhërin nr.129, datë 01.08.2025, të Ministrit të Brendshëm, “Për përcaktimin e moshës për kategoritë e pranimit në rolet policore”, në Udhëzimin nr.18, datë 04.02.2026, “Për miratimin e rregullave, procedurave dhe kritereve për pranimin në rolin zbatues në Policinë e Shtetit”, të Ministrit të Punëve të Brendshme, si dhe në Procedurën standarde “Për zhvillimin e fazave të vlerësimit dhe testimit për pranimin në rolin zbatues dhe rolin e parë drejtues në Policinë e Shtetit”, të miratuar me urdhër nr. 609, datë 16.04.2026, të Drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit;
Me qëllim plotësimin e funksioneve të lira organike të rolit zbatues, në strukturat e Policisë së Shtetit, nëpërmjet një procesi konkurrimi të drejtë, të paanshëm dhe transparent, sipas parimit të shanseve të barabarta, mosdiskriminimit dhe meritës;
URDHËROJ:
- Hapjen e fazës së aplikimeve për pranimin e shtetasve që kanë përfunduar arsimin e mesëm të lartë, në rolin zbatues të Policisë së Shtetit, për 300 funksione të lira.
- Çdo shtetas i cili plotëson kriteret e mëposhtme, ka të drejtë të aplikojë pranë Drejtorive Vendore të Policisë, ku ai ka vendbanimin e përhershëm. Aplikimet janë të hapura në periudhën 17. 08.2026 deri më 18.09.2026.
- Të jetë shtetas shqiptar;
- Të jetë në moshën deri 30 vjeç;
- Të jetë me gjatësi jo më pak se 170 cm për meshkujt dhe jo më pak se 160 cm për femrat;
- të ketë mbaruar arsimin e mesëm të lartë;
- të mos jetë i përjashtuar nga Policia e Shtetit, strukturat e tjera të sigurisë kombëtare apo të jetë larguar nga shërbimi civil;
- të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
- të jetë në gjendje të mirë shëndetësore dhe i aftë fizikisht për të kryer detyrën;
- të zotërojë gjuhën shqipe të shkruar dhe të folur;
- të mos jetë i dënuar me vendim gjykate, të formës së prerë, për kryerjen e një vepre penale;
- të ketë dëshmi të aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit B;
- të plotësojë kriteret e besueshmërisë dhe integritetit.
- Shtetasit qe shprehin dëshirën për tu pranuar në rolin zbatues në Policinë e Shtetit, përkundrejt tarifës se aplikimit, jo me vone se data 09.2026, duhet të dorëzojnë pranë strukturave të Burimeve Njerëzore në Drejtoritë Vendore të Policisë, dokumentacionin e mëposhtëm:
- Formularin e aplikimit për pranim në Policinë e Shtetit;
- Formularin e vetëdeklarimit për punësim në strukturat e policisë;
- Formularin e dekriminalizimit
- Fotokopje të kartës së identitetit;
- Dokument zyrtar që vërteton përfundimin e arsimit të mesëm të lartë, me listë notash të noterizuar;
- Fotokopje të lejes së drejtimit të automjetit, kategoria “B”;
- Certifikatë e gjendjes gjyqësore;
- Certifikatë familjare;
- Vërtetim nga gjykata;
- Vërtetim nga prokuroria;
- Vërtetim nga Struktura e Posaçme kundër korrupsionit dhe Krimit të Organizuar;
- Raport mjekoligjor; (formular model tip)
- Mandat pagesa e tarifës së aplikimit;
- Strukturat e burimeve njerëzore pranë Drejtorive Vendore të Policisë, administrojnë dokumentacionin e dorëzuar nga aplikantët dhe e protokollojnë atë në sekretarinë e strukturës përkatëse. Çdo aplikanti i jepet vërtetim model tip bashkëlidhje e këtij urdhri, i cili vërteton dorëzimin e aplikimit.
- Strukturat e burimeve njerëzore pranë Drejtorive Vendore të Policisë bëjnë shqyrtimin e dokumentacionit të aplikantit jo me vonë se 5 (pesë) dite pune nga data e dorëzimit të aplikimit. Verifikimi dhe shqyrtimi i dokumentacionit ka të beje me plotësimin e kritereve nga aplikantët, dorëzimin e dokumentacionit të kërkuar në momentin e aplikimit si dhe plotësimin e formularëve në mënyrën e duhur.
- Nëse gjate shqyrtimit të dokumentacionit, rezulton së aplikanti nuk ka dorëzuar gjithë dokumentacionin e nevojshëm, struktura përgjegjëse e burimeve njerëzore kthen dosjen për plotësim, jo më vonë se 2 ditë, brenda afatit të aplikimit. Aplikanti që nuk plotëson kriteret e përcaktuara, apo ka mungese dokumentacioni, s’kualifikohet nga procesi i konkurrimit dhe njoftohet nga Drejtoria Vendore e Policisë, nëpërmjet e-mailit të evidentuar nga ana e tij në formularin e aplikimit, në lidhje me skualifikimin dhe arsyet e tij.
- Drejtoritë Vendore të Policisë të dërgojnë në Drejtorinë e Burimeve Njerëzore, brenda datës 22.09.2026, listën me të dhënat e aplikantëve që plotësojnë kriteret e përcaktuara dhe kanë dorëzuar dokumentacionin e plotë, për vazhdimin e fazave të tjera të konkurrimit, në rrugë shkresore dhe elektronike në adresën e e-mail-it artur.sinorukaj@asp.gov.al dhe erjona.dibra@asp.gov.al, sipas modelit bashkëlidhur këtij urdhëri.
- Drejtoria e Burimeve Njerëzore pasi bën verifikimet përkatëse, listën e aplikantëve që plotësojnë kriteret e përcaktuara ja paraqet brenda datës 26.09.2026, Komisionit të Pranimit, i cili shqyrton të dhënat e administruara për aplikantët dhe merr vendim për vazhdimin e fazave të konkurrimit.
- Komisioni i Pranimit përbëhet nga:
- a) Drejtues i Parë Mitat Tola Kryetar
- b) Drejtues Agron Çeli Anëtar
- c) Znj. Enkela Prifti Anëtar
- Komisioni i Pranimit asistohet nga Sekretaria Teknike e përbërë nga Specialist, në Sektorin e Menaxhimit të Burimeve Njerëzore, në Drejtorinë e Burimeve Njerëzore.
- Fazat e testimit për pranimin në rolin zbatues të Policisë së Shtetit përfshin:
- Kontrolli shëndetësor i aplikantëve;
- Testimi i aftësive fizike;
- Testimi me shkrim;
- Intervista me gojë;
- Testimi psikologjik.
- Komponentët e vlerësimit dhe pesha në përqindje e vlerësimit për cdo fazë testimi është si më poshtë vijon:
- Testimi me shkrim: 50% e vlerësimit të përgjithshëm;
- Testimi i aftësive fizike: 30% e vlerësimit të përgjithsëm;
- Intervista me gojë: 20 % e vlerësimit të përgjithshëm;
- Testimi psikologjik: kalues / jo kalues.
- Aplikantët kalojnë në fazën pasuese vetëm pasi të kenë përfunduar me sukses secilën fazë, sipas rendit të përcaktuar në pikën 11 të këtij urdhri.
- Për çdo fazë hartohet urdhri i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, ku përcaktohet komisioni i vlerësimit, data, vendi i zhvillimit, procedurat e testimit dhe kontrollit, si dhe ankimimi.
- Aplikanti s’kualifikohet dhe ndërpret procesin e konkurrimit në çdo faze të tij nëse:
- nuk aplikon brenda afatit të përcaktuar;
- nuk dorëzon në kohen e aplikimit dokumentacionin e kërkuar;
- nuk plotëson kriteret e përcaktuara në piken 2 të këtij urdhri;
- ka deklaruar të dhëna të rreme apo ka paraqitur dokumente të falsifikuara;
- është dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale;
- rezulton përdorues i lëndëve narkotike;
- rezulton të ketë varësi nga alkooli;
- nuk kalon kontrollin shëndetësor sipas standardeve mjekësore në fuqi;
- nuk plotëson kriteret e besueshmërisë dhe integritetit;
- nuk paraqitet në kohë dhe vendin e përcaktuar për cilëndo nga fazat e testimit;
- nuk vlerësohet me të paktën 50% të pikëve në secilën prej fazave të testimit;
- ndërpret testimin ose përjashtohet prej tij për shkak të shkeljeve proceduriale, përfshirë kopjimi, komunikimi me konkurrentët e tjerë, ndërrimi i variantit të testit, përdorimin e pajisjeve elektronike si dhe makina llogaritëse, etj.
- Kandidatët që përfundojnë me sukses fazat e testimeve, i nënshtrohen verifikimit të besueshmërisë dhe rregullave për marrjen e gjurmëve të gishtave.
- Drejtoria e Burimeve Njerëzore dërgon listën e aplikantëve që janë kualifikuar në të gjitha fazat e testimeve , pranë Drejtorive Vendore të Policisë ku aplikanti ka vendbanimin, me qëllim kryerjen e verifikimit të besueshmëris dhe marrjes së gjurmëve të gishtave.
- Strukturat e burimeve njerëzore pranë Drejtorive Vendore të Policisë, listën e aplikantëve e dërgojnë pranë Komisariateve Vendore të Policisë ku aplikanti ka vendbanimin, të cilët hartojnë vërtetimin e besueshmërisë si dhe pranë Sektorëve të Policisë Shkencore në DVP, të cilët marrin dhe administrojnë për krahasim gjurmët daktiloskopike të aplikantëve.
- Verifikimi i besueshmërisë së aplikantëve është një proces i verifikimit të të dhënave të vetëdeklaruara nga aplikantët, në raport me ato të regjistrave fizikë dhe elektronikë të administruara nga Policia e Shtetit, si dhe Institucionet e tjera shtetërore shqiptare apo të huaja. Verifikimi i besueshmërisë bëhet sipas rregullave dhe procedurave të përcaktuara në Procedurën Standarde “Rastet, modalitetet dhe strukturat që hartojnë vërtetimin e besueshmërisë”, të miratuara me urdhër nr. 923 datë 23.06.2025, të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
- Në përfundim të kryerjes së verifikimit të besueshmërisë, strukturat e burimeve njerëzore në Drejtoritë Vendore të Policisë, administrojnë vërtetimin e besueshmërisë në dosjen e aplikimit të kandidatëve dhe dërgon informacion me shkrim nëse kandidati i plotëson apo jo kriteret e besueshmërisë, pranë Drejtorisë së Burimeve Njerëzore.
- Sektorët e Policisë Shkencore pranë DVP-ve, pas kryerjes së procedurave për marrjen e gjurmëve daktiloskopike të aplikantëve, i dërgojnë ato për krahasim pranë Institutit të Policisë Shkencore. Marrja e gjurmëve daktiloskopike, bëhet sipas procedurave standarde, të miratuara nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.
- Instituti i Policisë Shkencore bën krahasimin e gjurmëve daktiloskopike dhe dërgon informacion nominal me shkrim për secilin aplikant pranë Drejtorisë së Burimeve Njerëzore.
- Aplikantët që pas krahasimit të gjurmëve daktiloskopike rezultojnë me problem në sistemin “Afis/Apis Papilon 9”, i nënshtrohen procedurave të mëtejshme të verifikimit dhe kontrollit nga strukturat e hetimit të krimeve ku janë evidentuar gjurmët apo aplikanti ka vendbanimin e tij.
- Në përfundim të procesit të verifikimit të besueshmërisë dhe marrjes së gjurmëve të gishtave, Komisioni i Pranimit merr vendim për shpalljen e rezultateve në rend zbritës të aplikantëve që i janë nënshtruar fazave të konkurrimit dhe plotësojnë kriteret e besueshmërisë dhe integritetit, si dhe s’kualifikimin e kandidatëve që nuk plotësojnë këto kritere.
- Çdo aplikant ka të drejtën e ankimit për çdo faze të procesit të konkurrimit, duke përfshirë dhe aplikimin.
- Ankimimi behet nëpërmjet e-mailit në adresën njerezore@asp.gov.al, brenda 2 ditësh nga data e njoftimit për rezultatin e testimit apo s’kualifikimit nga procesi. Komisioni i Shqyrtimit të Ankesave merr vendim me shumicë të thjeshtë votash. Aplikantët njoftohen me e-mail mbi vendimin e Komisionit të Shqyrtimit të Ankesave, brenda 5 ditë pune nga data e marrjes së vendimit. Çdo njoftim me e-mail në rastet e kualifikimeve, skualifikimeve apo vendimeve të Komisionit të Shqyrtimit të Ankesave, behet pjese e dosjes së procesit të pranimit të krijuar nga strukturat e Burimeve Njerëzore.
- Komisioni i Shqyrtimit të Ankesave ngrihet në nivel vendor pranë strukturës ku kryhet aplikimi si dhe në nivel qendror pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
- a) në nivel vendor, Komisioni përbëhet nga:
- Zëvendësdrejtori për Sigurinë Publike Kryetarë
- Shefi i Sektorit të Burimeve Njerëzore Anëtar
- Përfaqësuesi Juridik DVP-se Anëtar
- b) Në nivel qendror, Komisioni përbëhet nga:
- Drejtues i Lartë Sokol Bizhga Kryetar
- Drejtues Sabri Jacaj Anëtar
- Drejtues Anisa Duçkollari Anëtar
- Komisionet asistohen nga Sekretaria Teknike e përbërë nga specialist të Burimeve Njerëzore.
- Komisionet e Shqyrtimit të Ankesave pranë Drejtorive Vendore të Policisë, shqyrtojnë ankesat e aplikantëve për fazën e aplikimeve dhe verifikimit e shqyrtimit të dokumentacionit, ndërsa të gjitha ankesat për fazat e tjera të procesit të konkurrimit për pranimin në rolin zbatues në Policinë e Shtetit, shqyrtohen nga Komisioni i Shqyrtimit të Ankesave, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
- Në përfundim të procesit të ankimimit, Komisioni i Pranimit merr vendim për shpalljen e aplikantëve fitues. Shpallen fitues vetëm aplikantët e renditur në listën e rezultateve në rend zbritës, brenda kuotave të shpallura për konkurrim.
- Bazuar në Vendimin e Komisionit të Pranimit, Drejtoria e Burimeve Njerëzore përgatit draft urdhrin për Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, për vazhdimin e trajnimit të aplikantëve fitues pranë Kolegjit të Formimit Profesional Policore, në Akademinë e Sigurisë.
- Procesi i pranimit në Policinë e Shtetit menaxhohet dhe koordinohet nga Drejtoria e Burimeve Njerëzore dhe Akademia e Sigurisë.
- Aplikantët e shpallur fitues, do të ndjekin formimin bazë në Kolegjin Profesional të Formimit Policor. Në momentin e pranimit, aplikanti i shpallur fitues, nënshkruan kontratën me titullarin e Akademisë së Sigurisë. Në kontratë përcaktohen të drejtat dhe detyrimet gjatë shkollimit, si dhe koha e qëndrimit në detyrë në strukturat policore, pas përfundimit të Akademisë së Sigurisë.
- Monitorimi i procesit të pranimit në rolin zbatues në Policinë e Shtetit të kryhet nga Drejtoria e Standardeve Profesionale.
- Sektori i Komunikimit me Median dhe Publikun, të bëjë publikimin në faqen zyrtare të Policisë së Shtetit e aksesueshme nga çdo shtetas, si dhe në median e shkruar e atë vizive të këtij urdhri, formularin e aplikimit, formularin e vetëdeklarimit, formularin e dekriminalizimit si dhe skedën mjeksore.
- Departamenti për Shërbimet Mbështetëse të marrë masa për të siguruar bazën materiale të nevojshme, për zhvillimin e procesit të konkurrimit për pranimin në Policinë e Shtetit, si dhe për hapjen e një numri llogarie për kryerjen e pagesës së tarifës së aplikimit.
- Drejtoria e Burimeve Njerëzore në bashkëpunim me Sektorin e Protokollit dhe Ceremonive të bëjë njoftimin e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore si dhe misioneve policore qe asistojnë Policinë e Shtetit si EU4LEA dhe Programi ICITAP për hapjen e procesit të konkurrimit për pranimin në rolin zbatues në Policinë e Shtetit.
- Ngarkohen për zbatimin e këtij urdhri Departamenti për Sigurinë Publike, Departamenti për Shërbimet Mbështetëse, Drejtoria e Burimeve Njerëzore, Akademia e Sigurisë, Drejtoria e Standardeve Profesionale, Drejtoria Juridike, Sektori i Komunikimit me Median dhe Publikun, Sektori i Protokollit dhe Ceremonive dhe Drejtoritë Vendore të Policisë.
- Me këtë urdhër të njihen gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit.
- Për kontrollin e zbatimit të këtij urdhri, ngarkohet Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.
Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë.
DREJTORI I PËRGJITHSHËM
Drejtues Madhor Skender HITA
Urdher per hapjen e fazes se aplikimeve per Kolegjin Profesional
Dokumentet e nevojshme për plotësim:
