Rezultatet kryesore të strukturave policore në vend dhe ngjarjet e ndodhura gjatë 24 orëve të fundit

Shërbimet e Policisë, në të gjithë vendin, vijojnë kontrollet në territor, monitorimin e qarkullimit rrugor dhe goditjet e njëpasnjëshme, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Si rezultat, janë finalizuar 3 operacione, për goditjen e kultivimit të bimëve narkotike, armëmbajtjes pa leje dhe kapjen e 2 shtetasve në kërkim, njëri prej tyre shumë i kërkuar.

Gjithashtu, janë kapur 5 shtetas të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve, krahas operacioneve, janë goditur 15 raste, me 1 shtetas të arrestuar dhe 16 shtetas të proceduar në gjendje të lirë. Janë sekuestruar doza të lëndës narkotike kanabis dhe sasi e kësaj lënde në trajtë çokollate.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 8 raste, me 3 shtetas të arrestuar dhe 6 të proceduar në gjendje të lirë.

U arrestua në flagrancë një 61-vjeçar, pasi dje, në lagjen “Pavarësia 3”, afër portit të Vlorës, dyshohet se ka goditur me mjet prerës (thikë) një 62-vjeçar, për motive konkurrence ndërmjet agjencive të udhëtimit ku ata punojnë. 62-vjeçari po merr mjekim në Spitalin Rajonal Vlorë.

Po punohet për kapjen e një 23-vjeçari, që dyshohet se ka kanosur një shtetas, në një rrugë në Tiranë, për motive të dobëta, si dhe për kapjen e 2 shtetasve që dyshohet se kanë ushtruar dhunë fizike ndaj një shtetasi dhe e kanë kanosur, për motive të dobëta, në Shirokë.

Në fushën e krimeve kundër pronës janë evidentuar 8 raste, me 1 shtetas të arrestuar dhe 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 3 raste po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 2 raste të zjarrvënies, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

U referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen M. A., për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, pasi dje, në ambientet e hotelit në pronësi të saj, në Vlorë, ra zjarr, dyshohet aksidentalisht, nga djegia e një prize elektrike në katin e parë të subjektit.

Gjithashtu, u procedua penalisht pronari i një lokali në Vlorë, pasi në ambientet e këtij subjekti është konstatuar muzikë përtej normës dhe orarit të lejuar.

Janë evidentuar 6 raste të dhunës në familje, me 3 shtetas të arrestuar dhe 3 të proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, janë plotësuar 13 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrave të mbrojtjes.

Është arrestuar 1 shtetas, për shkelje të masës së sigurisë “Arrest në shtëpi”, si dhe janë proceduar penalisht 31 shtetas, për vepra penale të ndryshme, njëri prej tyre për mosbindje ndaj urdhrit të punonjësve të Policisë.

Janë arrestuar 6 shtetas dhe janë proceduar penalisht 6 të tjerë, pasi drejtonin mjete në gjendje të dehur dhe/ose pa leje drejtimi. Janë proceduar penalisht 6 shtetas, pasi dyshohet se kanë shkelur rregullat e qarkullimit rrugor.

Gjithashtu, u procedua penalisht 1 shtetase, pasi mbrëmjen e djeshme, në aksin rrugor “Shëngjin-Lezhë”, automjeti që ajo drejtonte është përplasur me një automjet tjetër. Nga aksidenti janë dëmtuar dy drejtuesit e mjeteve dhe 3 pasagjerë, 2 prej tyre të mitur, të cilët ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Shërbimet e Policisë Kufitare kapën 1 shtetas në kërkim dhe proceduan në gjendje të lirë 1 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Gjithashtu, shërbimet e Policisë Kufitare Durrës iu dhanë ndihmë 2 shtetasve të huaj që lundronin me një skaf, të cilët e kishin të pamundur lëvizjen deri në breg, për shkak se mjeti i tyre kishte ngecur.

Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 çdo rast paligjshmërie, duke garantuar reagim profesional dhe të shpejtë, si dhe ruajtjen e anonimatit.

Durrës/Informacion paraprak

Rreth orës 10:30, në lagjen 13, shtetasi A. T., 26 vjeç, duke drejtuar automjetin, dyshohet se ka përplasur shtetasin F. D., 66 vjeç.

Shtetasi F. D. është transportuar në spital, për ndihmë mjekësore.

Drejtuesi i automjetit, shtetasi A. T., është shoqëruar në Komisariat dhe po kryhen veprimet procedurale për arrestimin e tij.

Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.