Goditet një rast i organizimit të lotarive të palejuara, procedohet penalisht 1 shtetas.
Specialistët e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Vlorë proceduan penalisht shtetasin L. K., 31 vjeç, banues në lagjen “10 Korriku”, Vlorë, për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara”, “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara” dhe “Fshehja e të ardhurave”, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në ambientet e lokalit të tij, është gjetur dhe sekuestruar një aparat celular që përdorej për lojëra fati të paligjshme.
Specialistët e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Himarë proceduan penalisht për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”, shtetasin A. Gj., 48 vjeç, banues në fshatin Borsh, Himarë, pasi u konstatua duke ndërtuar në oborrin e banesës së tij, pa lejen e organeve kompetente.
Specialistët e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Sarandë proceduan penalisht shtetasin A. A., 55 vjeç, banues në Fier, për veprën penale “Mashtrimi”, pasi ka bërë kallëzim shtetasi E. B., 54 vjeç, banues në Lazarat, Gjirokastër, se 55-vjeçari e ka mashtruar, duke i ndryshuar aktin e marrëveshjes për blerjen e disa materialeve.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.