Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, shtetasin L. R., 60 vjeç, banues në lagjen “10 Korriku”, Vlorë, pasi u konstatua duke drejtuar motomjetin, në gjendje të dehur.
Specialistët e Hetimit të Krimit Ekonomiko-Financiar në DVP Vlorë proceduan penalisht për veprën penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, shtetasin S. B., 31 vjeç, banues në Selenicë, Vlorë, pasi është kapur nga shërbimet e Qarkullimit Rrugor, duke drejtuar automjetin pa dokumentacionin përkatës dhe me targa të dyshuara të falsifikuara.
Specialistët e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Vlorë proceduan penalisht për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara”, shtetasin G. Z., 35 vjeç, banues në lagjen “Kushtrimi”, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në ambientet e lokalit të tij, në lagjen “Pavarësia”, Vlorë, në aparatin e tij celular u gjetën programe që dyshohet se përdoren për vendosjen e basteve sportive.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Orikum proceduan penalisht shtetasit:
– M. B., 36 vjeç, banues në Dukat, për veprën penale “Kanosja”, pasi ka bërë kallëzim shtetasi F. K., 55 vjeç, banues në lagjen “Lirim”, Vlorë, se 36-vjeçari e ka kanosur me fjalë, për motive pronësie;
– S. H., 61 vjeç, banues në Orikum, për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”, sepse ka kallëzuar shtetasi F. B., 66 vjeç, se ky shtetas ka ndërtuar në pronën e tij.
Specialistët e Hetimit të Krimit në Stacionin e Policisë Selenicë proceduan penalisht për veprën penale “Vetëgjyqësia”, shtetasin V. N., 49 vjeç, banues në Vlorë, sepse në fshatin Drashovicë, me vetëgjyqësi vazhdon punën në guroren e tij, megjithëse i ka përfunduar leja e shfrytëzimit minerar.
Specialistët e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Sarandë proceduan penalisht për veprën penale “Ngacmimi seksual”, shtetasin I. B., 51 vjeç, banues në Sarandë, pasi ka bërë kallëzim një shtetase 33 vjeçe, banuese në Sarandë, se ky shtetas e ka ngacmuar seksualisht.
Specialistët e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Delvinë proceduan penalisht për veprën penale “Prerja e paligjshme e pyjeve”, shtetasen E. Xh., 35 vjeçe, banuese në Shenvasil, Himarë, pasi është konstatuar në aksin rrugor Bamatat –Vllahat, Delvinë, duke transportuar lëndë drusore të prerë në mënyrë të paligjshme.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.