DVP Tiranë – Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Programuesi”

Operacioni i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.

Vihet në pranga një shtetas, për veprat penale “Mashtrimi”, “Fshehja e të ardhurave”, “Mospagimi i taksave dhe tatimeve” dhe “Punësimi i paligjshëm”.

Procedohen penalisht 3 shtetas të tjerë.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Programuesi”, si rezultat i të cilit u bë ndalimi i shtetasit:

– O. F., 31 vjeç, banues në Tiranë.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi O. F., nëpërmjet një call center-i të paregjistruar në organet tatimore, u prezantohej shtetasve të huaj si agjent burse që investonte në Kriptomonedha dhe Forex. Nëpërmjet këtij mashtrimi, ky shtetas ka përvetësuar nga një klient i huaj, shumën prej 108000 euro.

Vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie të kundërligjshme dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në të.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.