DVP Korçë – Ndalohet një tjetër shtetas i shpallur në kërkim, në kuadër të operacionit policor të koduar “Perimetri”

Kapja e tij u bë e mundur falë bashkëpunimit të Policisë së Korçës me Policinë e Vlorës.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, në vijim të operacionit të koduar “Perimetri”, për goditjen e aktivitetit kriminal të dhënies së ndihmës shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, falë bashkëpunimit me specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Vlorë, bënë kapjen dhe ndalimin e shtetasit në kërkim N. Ll., 38 vjeç, banues në fshatin Kaninë, Vlorë.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë me vendimin e datës 20.11.2021, ka caktuar për këtë shtetas masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 05.09.2021, në aksin rrugor Korçë-Ersekë, ku shërbimet e Policisë Rrugore konstatuan një mjet tip furgon të markës “Iveco”, drejtuesit të të cilit, i bënë me shenjë të ndalonte, por ai nuk iu bind urdhrit të tyre duke u larguar me shpejtësi e braktisur mjetin në afërsi të fshatit Drenovë, Korçë. Gjatë kontrollit të ushtruar në mjet, u konstatuan 40 emigrantë të paligjshëm të cilëve, kundrejt shpërblimit, iu ishte premtuar kalimi drejt vendeve të BE-së.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprime të mëtejshme.