Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë
Shërbimet e Qarkullimit Rrugor Sarandë, gjatë kontrolleve të ushtruara në akset rrugore, me fokus verifikimin e mjeteve dhe identifikimin e personave në kërkim, kapën shtetasin në kërkim K. V., 29 vjeç, banues në Himarë, për të cilin, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”. Në vijim të veprimeve procedurale, u krye ekzekutimi i vendimit nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Himarë.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë referuan materialet në Prokurori dhe nisën procedimin penal për:
– një shtetas të mitur, 16 vjeç, pasi është kapur në flagrancë nga shërbimet e Qarkullimit Rrugor të DVP Vlorë, duke drejtuar pa leje drejtimi një automjet të dyshuar të vjedhur më datë 28.03.2025, në lagjen “28 Nëntori”. Vijon puna për dokumentimin e plotë të rastit dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në vjedhjen e automjetit, i cili u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
– shtetasit I. L, R. Sh, dhe A. M, banues në Vlorë, pasi dyshohen se kishin përshtatur një ambient në pronësi të shtetasit I. L. për organizimin e lojërave të fatit. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një tavolinë dhe disa gurë (zare).
Po nga këto struktura, u shpall në kërkim shtetasi E. V., 41 vjeç, banues në Picar, Selenicë, pasi më datë 29.03.2025, dyshohet se për motive të dobëta, në fshatin Lubonjë, ka goditur me sende të forta (levë) shtetasin B. S., 37 vjeç, banues në Estoni, duke i shkaktuar dëmtime në pjesë të ndryshme të trupit. Vijon puna për kapjen e tij.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë referuan materialet në Prokurori dhe nisën procedimin penal për shtetasit:
– A. M., 44 vjeç, banues në Metoq, Sarandë, pasi është konstatuar se ka dëmtuar portën e kishës, së fshatit Metoq.
– F. S., 25 vjeç, banues në Sarandë, pasi më datë 30.03.2025, për motive të dobëta, ka goditur me grusht shtetasin A. Gj., 23 vjeç.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori për dy raste:
– Më datë 30.03.2025, ka kallëzuar shtetasja F. D., 59 vjeçe, se më datë 29.03.2025 është larguar nga banesa vëllai i saj, S. R., 51 vjeç, banues në lagjen “Osman Haxhiu”, Vlorë, i cili është me probleme shëndetësore. Vijon puna për gjetjen e tij.
– Më datë 30.03.2025, në Palas, në vendin e punës ku shërbente si roje private, ka humbur jetën dyshohet për shkaqe natyrale, shtetasi I. S., 63 vjeç.
Materialet iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.