Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu priti në takimin delegacion e lartë të Ministrisë së Drejtësisë dhe Sigurisë së Holandës, të kryesuar nga Ministri Z.Ferdinand Grapperhaus.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu  priti në  takimin delegacion e  lartë të Ministrisë së Drejtësisë dhe Sigurisë së Holandës, të kryesuar nga Ministri Z.Ferdinand Grapperhaus.

Gjatë takimit, Drejtor Veliu  vuri në dukje marrëdhëniet mjaft të mira të bashkëpunimit ndërmjet agjencive ligjzbatuese të Shqipërisë dhe Holandës ndër vite, marrëdhënie të cilat gjatë viteve të fundit janë forcuar edhe falë punës së oficerëve të kontaktit të dy vendeve, të cilët kanë ndihmuar në shkëmbimin e informacionit në kohë reale, që përbën një faktor kyç për mbarëvajtjen e hetimeve për grupet kriminale apo persona të përfshirë në aktivitet kriminal.
Në këtë kontekst u evidentuan disa nga sukseset e Policisë së Shtetit në bashkëpunim me autoritet holandeze si: operacioni Last Snow, Le Peugeot, Drina/Portum, JAD, si dhe mega operacioni One if by Land, i cili u zhvillua në kuadër të goditjes së kontrabandimit të personave, me qëllim emigrimin drejt SHBA-ve, Kanadasë dhe Mbretërisë së Bashkuar, ku falë bashkëpunimit u bë e mundur goditja e 7 grupeve të strukturuara kriminale. Po ashtu u theksua se këto suksese dëshmojnë rritjen e besueshmërisë së Policisë Shqiptare, Prokurorisë dhe agjencive të tjera ligjzbatuese tek partnerët ndërkombëtarë, element shumë i rëndësishëm në kuadër të bashkëpunimit kundër krimit në tërësi.
Ministri i Drejtësisë dhe Sigurisë së Holandës, Z.Ferdinand Grapperhaus vlerësoi  bashkëpunimin e shkëlqyer dhe theksoi rëndësinë e thellimit të mëtejshëm të këtij bashkëpunimi në të ardhmen, pasi krimi nuk ka kufij dhe këtë e favorizon digjitalizimi dhe  lëvizja e lirë e njerëzve në mbarë botën.
Gjithashtu ministri Grapperhaus foli mbi ngritjen e grupeve të hetimit të përbashkëta, në kuadër të luftës kundër krimit në tërësi.
Në mbyllje të takimit, Drejtori Veliu siguroi se Policia e Shtetit është e gatshme për të bashkëpunuar me autoritetet holandeze për zhvillimin e hetimeve të përbashkëta për të përshpejtuar procedurat e hetimit dhe zhdukur barrierat, pasi të gjithë kemi një qëllim të përbashkët, goditjen e krimit të organizuar, pastrimit të parave, terrorizmit dhe trafiqeve të të gjitha llojeve.