Drejtorët e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës dhe Shqipërisë prononcim për media pas firmosjes së Memorandumit

Prizren, Kosovë

Drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu dhe Drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, pas firmosjes së “Memorandumit të bashkëpunimit për organizimin e shërbimeve të përbashkëta të policimit rrugor mes Policisë së së Kosovës dhe Policisë së Shtetit Shqiptar, në territorin e Republikës së Shqipërisë për sezonin turistik veror 2019”, dhanë një prononcim të shkurtër për mediat.

Të dy drejtorat e vlerësuan të shkëlqyer bashkëpunimin midis policisë kosovare asaj shqiptare.

Drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu: “Së bashku me Drejtorin e Policisë së Kosovës sapo firmosëm marrëveshjen e bashkëpunimit për masat shtesë që Policia Shqiptare në bashkëpunim me Policinë e Kosovës do të marrin për garantimin e sezonit turistik në Shqipëri. Tashmë kjo është kthyer në traditë ku patrullat e Policisë së Kosovës, për çdo vit në periudhën e verës patrullojnë gjithë akset rrugore të Shqipërisë duke krijuar siguri dhe facilitetet e nevojshme për të gjithë pushuesit kosovar të cilët këtë vit që zgjedhin të pushojnë në Shqipëri. Këtë vit ndryshe nga vitet e tjera së bashku me Drejtorin ramë dakort që veç menaxhimit dhe cilësisë së shërbimit që duhet të ofrojmë për të gjithë shtetasit dhe pushuesit kosovar në vendkalimin e Morinës do të shtojmë dhe patrullat e policisë të cilat do të vijojnë të patrullojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë”.

Drejtori i Policisë së Kosovës Rashit Qalaj : “Ky është një bashkëpunim shumë i mirë i Policisë Shqiptare me Policinë e Kosovës, ne me këtë marrëveshje nuk bëmë gjë tjetër përveçse u zotuam bashkarishtë se do të ndihmojmë shtetasit shqiptar dhe shtetasit kosovar që pushojnë në Shqipëri gjatë stinës së verës që t’ju krijojmë kushte sa më të mira për pushim dhe po ashtu u zotuam që kjo do të jetë marrëveshja e fundit një vjeçare, mirëpo marrëveshjet e ardhshme do jenë shumë vjeçare, meqënse vazhdimisht do të duhet të bashkëpunojmë jo vetëm në këtë fushë, por në fusha të përgjithshme. Konsideroj që bashkëpunimi me Policinë Shqiptare është në nivelin më të mirë të mundshëm dhe do të bëjmë përpjekje që ta avancojmë sa më shumë”.

Pyetje: “Sa do të jetë numri i policëve që do të asistojnë në Shqipëri”?

Drejtori i Policisë së Kosovës Rashit Qalaj: “ Po ne do të bëjmë një vlerësim shumë shpejt dhe besoj do të plotësojmë kërkesat që Drejtor Ardi bënë për ne“.

Pyetje: “A ka dhënë rezultate ky bashkëpunim”?

Drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu: “Absolutisht që është një bashkëpunim shumë i mirë, bashkëpunim që ka disa vite që ekziston dhe që është një ndihmë shumë e madhe, jo vetëm për Policinë Shqiptare, por edhe për pushuesit kosovar që pushojnë në Shqipëri duke iu dhënë ndihmë për çfarëdo nevoje me të cilën ata ballafaqohen dhe ndiejnë”.

Pyetje: “Është një kërkesë e kamotshme për heqjen e kufirit deri ku keni arritur në këtë pikë dy policitë Kosova dhe Shqipëria, në fakt dy institucionet”?

Drejtori i Policisë së Kosovës Rashit Qalaj: “Ne përsa i përket bashkëpunimit policor nuk kemi kufij, ne bashkëpunojmë vazhdimisht, ndërsa çështja e kufirit fizik është çështje e politikës dhe ne nuk kemi kompetencë të flasim për këtë punë.

Pyetje: “Do ua lehtësonte punën juve si Polici”?

Drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu: “Ne jemi duke bashkëpunuar dhe shërbimi policor i Kosovës dhe ai Shqiptar së bashku janë duke e menaxhuar shumë mirë, duke e lehtësuar 50% të kontrollit në hyrje dhe në dalje, duke ua mundësuar kohën në të cilën prisnin në vitet e kaluara në një kohë shumë të shkurtër”.

Ju faleminderit!