Lezhë
Kreu parakalim të rrezikshëm në aksin rrugor “Lezhë-Mabë”, ndëshkohet me masë administrative, drejtuesi i automjetit, si dhe i zbriten 10 pikë nga leja e drejtimit.
Shërbimet e Policisë Rrugore të Lezhës, pas publikimit të një videoje në faqen “Aksidente Rrugore”, në të cilën shfaqet një automjet që kryen parakalim të rrezikshëm, kanë kryer menjëherë veprimet për identifikimin e drejtuesit të automjetit.
Nga verifikimet e kryera, u identifikua drejtuesi, njëkohësisht pronari i automjetit, shtetasi S. S., banues në Tiranë.
Në zbatim të neneve 141 dhe 127 të Kodit Rrugor, ky shtetas u ndëshkua me masë administrative 12 000 lekë, si dhe iu zbritën 10 pikë nga leja e drejtimit, për shkeljen e kryer.
Policia Rrugore e Lezhës falënderon qytetarët dhe median për kontributin në evidentimin e shkeljeve të qarkullimit rrugor dhe i fton që të vijojnë të denoncojnë, duke i garantuar se reagimi do të jetë i menjëhershëm, i paanshëm dhe konform ligjit.