ABI Bank i dhuron Policisë së Tiranës, 4 automjete elektrike. Automjetet, hap i mëtejshëm dhe konkret drejt sigurisë dhe inovacionit!
Në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, u zhvillua një ceremoni me rastin e dorëzimit të 4 automjeteve elektrike, nga ABI Bank, të cilat do të vihen në funksion të patrullave të rendit.
Donacioni, i një rëndësie të veçantë, synon të përmirësojë ndjeshëm efikasitetin e shërbimeve policore në terren dhe të forcojë lidhjen me qytetarët, nëpërmjet një qasjeje moderne dhe miqësore me mjedisin.
Gjatë fjalës së tij, Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë Drejtues Elton Alushi shprehu mirënjohjen për donacionin dhe ndër të tjera, tha: “Kam kënaqësinë që, në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, të mirëpres këtë akt me vlerë të veçantë nga ABI Bank, që përfaqëson më shumë se një donacion, një vlerësim konkret për punën e Policisë së Shtetit.
Dhurimi i 4 automjeteve elektrike do të rritë kapacitetet tona logjistike dhe operacionale, duke promovuar një polici më moderne dhe më pranë qytetarëve. Në emër të punonjësve të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, falënderoj ABI Bank dhe Drejtorin e saj të Përgjithshëm, z. Andi Ballta, për këtë kontribut me rëndësi. Shpresoj që ky të jetë vetëm fillimi i një bashkëpunimi të qëndrueshëm, në funksion të forcimit të sigurisë publike.”
Ndërkaq, Drejtori i Zhvillimit të Shitjeve në Rrjet, z. Dore, u shpreh: “Motoja jonë është “Investo në optimizëm”, dhe këtë kemi bërë gjithmonë, gjatë tërmetit, pandemisë, në art dhe kulturë. Këtë vit, prioritet kemi sigurinë publike. Dhurimi i këtyre mjeteve vjen si një shprehje mirënjohjeje për Policinë e Shtetit dhe për punën tuaj të palodhur, çdo ditë.”