THIRRJA PËR APLIKIM
Për ndjekjen e programit të studimit “Siguria dhe Hetimi”, cikli i parë “Bachelor”, në Akademinë e Sigurisë, për vitin akademik 2025–2026
Në mbështetje të:
- Ligjit nr. 82/2024 “Për Policinë e Shtetit”;
- Rregullores së Policisë së Shtetit, miratuar me VKM nr. 112, datë 24.02.2025;
- Urdhrit të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit nr. 986, datë 08.07.2025, “Për hapjen e fazës së aplikimeve për konkurrim për ndjekjen e programit të studimit ‘Siguria dhe Hetimi’, cikli i parë ‘Bachelor’, në Akademinë e Sigurisë, për vitin akademik 2025–2026”;
- VKM nr. 881, datë 28.10.2020 (i ndryshuar), “Për statusin e veçantë të Akademisë së Sigurisë si institucion i vetëm i arsimit të lartë në fushën e rendit dhe të sigurisë publike, si dhe për organizimin dhe funksionimin e saj”;
- dhe akteve të tjera nënligjore në fuqi,
Policia e Shtetit dhe Akademia e Sigurisë shpallin hapjen e fazës së aplikimeve për ndjekjen e programit të studimit “Siguria dhe Hetimi”, cikli i parë “Bachelor”, pranë Fakultetit të Sigurisë dhe Hetimit, në Akademinë e Sigurisë, për vitin akademik 2025–2026.
Për këtë vit akademik janë miratuar 150 kuota të lira, të cilat janë të dedikuara për shtetasit që kanë përfunduar arsimin e mesëm të lartë dhe që dëshirojnë të ndjekin këtë program studimi, me synim përgatitjen dhe formimin profesional për punësim në strukturat e Policisë së Shtetit, në rolin e parë drejtues.
KRITERET E PRANIMIT
Të drejtë aplikimi kanë shtetasit shqiptarë që plotësojnë të gjitha kriteret e mëposhtme:
- Të kenë shtetësi shqiptare.
- Të kenë zotësi të plotë për të vepruar.
- Të jenë në gjendje të mirë shëndetësore.
- Të kenë kryer arsimin parauniversitar brenda ose jashtë vendit, i njohur ose ekuivalentuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit.
- Të mos jenë të dënuar me vendim gjykate të formës së prerë, për kryerjen e një krimi apo kundërvajtjeje penale me dashje.
- Të kenë filluar procedurat për pajisjen me dëshmi të aftësisë për drejtimin e automjetit të tipit “B”.
- Të plotësojnë kriteret e besueshmërisë dhe integritetit.
- Të kenë notën mesatare të arsimit të mesëm të lartë jo më pak se 6.5.
- Të jenë në moshë jo më shumë se 30 vjeç në ditën e fillimit të vitit akademik.
- Të kenë gjatësinë trupore jo më pak se 170 cm për meshkuj dhe jo më pak se 160 cm për femra.
- Të mos jenë të përjashtuar nga Policia e Shtetit, struktura të tjera të sigurisë kombëtare, ose të kenë qenë larguar nga shërbimi civil.
AFATET DHE PROCEDURAT E APLIKIMIT
- Periudha e aplikimit online: 29 korrik – 03 gusht 2025.
- Aplikimi kryhet në portalin U-Albania, duke zgjedhur programin e studimit “Siguria dhe Hetimi”.
- Aplikantët duhet të shkarkojnë dokumentacionin e mëposhtëm nga faqja zyrtare e Policisë së Shtetit dhe ta dorëzojnë fizikisht në momentin e regjistrimit paraprak:
- Formularin e aplikimit;
- Kërkesën model tip;
- Formularin e vetëdeklarimit;
- Skedën shëndetësore të plotësuar nga qendra shëndetësore sipas vendbanimit;
- Fotokopje të kartës së identitetit;
- Certifikatë familjare.
- Regjistrimi dhe dorëzimi i dokumentacionit fillestar: 05 – 06 gusht 2025 pranë Akademisë së Sigurisë.
- Nëse gjatë verifikimit rezulton se aplikanti nuk plotëson kriteret, ai skualifikohet nga procesi dhe njoftohet me email mbi arsyet e skualifikimit.
PROCESI I VLERËSIMIT, TESTIMIT DHE KONTROLLIT
Aplikantët do t’i nënshtrohen një procesi vlerësimi dhe konkurrimi që përfshin:
Lloji i vlerësimit | Pesha në total |
Nota mesatare e shkollës së mesme | 50% e vlerësimit të përgjithshëm (5 pikë për çdo notë) |
Testi fizik | 30% e vlerësimit të përgjithshëm |
Intervista me gojë | 20% e vlerësimit të përgjithshëm |
Testi psikologjik | Kalues/Jo kalues |
Kontrolli shëndetësor | I aftë/Jo i aftë |
- Testi fizik zhvillohet në datat 07 – 10 gusht 2025.
- Intervista me gojë dhe testi psikologjik zhvillohen në datat 11 – 14 gusht 2025.
- Kontrolli shëndetësor zhvillohet në datat 18 – 22 gusht 2025.
Përveç vlerësimeve të mësipërme, aplikantët i nënshtrohen edhe verifikimit të besueshmërisë, përfshirë krahasimin e gjurmëve daktiloskopike në sistemin “Afis/Apis Papilon 9”, sipas procedurave standarde të Policisë së Shtetit.
PUBLIKIMI I REZULTATEVE
- Më datë 25 gusht 2025, Komisioni i Pranimit harton listën e rezultateve të aplikantëve dhe shqyrton vërtetimet e besueshmërisë dhe informacionet nga Instituti i Policisë Shkencore.
- Më datë 26 gusht 2025, lista e renditjes publikohet në mjediset e Akademisë së Sigurisë dhe ngarkohet në portalin U-Albania, duke përdorur vetëm ID-në e Maturës për të ruajtur të dhënat personale.
- Fitues shpallen vetëm aplikantët e renditur brenda 150 kuotave të shpallura.
ANKIMIMI
Për çdo fazë të procesit të përzgjedhjes, duke filluar nga momenti i shpalljes së thirrjes për aplikim e deri në shpalljen e rezultateve, kandidatët kanë të drejtë të paraqesin ankesa, të cilat shqyrtohen nga Komisioni i Apelimit, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Ankimet mbi rezultatet dorëzohen brenda datës 27 gusht 2025, në njërën nga mënyrat e mëposhtme:
- fizikisht, pranë sekretarisë së Drejtorisë së Burimeve Njerëzore, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, kundrejt protokollit të dorëzimit;
- me postë, në adresën: Drejtoria e Burimeve Njerëzore, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit;
- në formë elektronike, në adresën zyrtare të e-mailit: njerezore@asp.gov.al.
Komisioni i Apelimit shqyrton dhe vendos mbi ankesat në datat 28 – 29 gusht 2025.
Rezultatet përfundimtare të procesit shpallen më datë 29 gusht 2025.
REGJISTRIMI PËRFUNDIMTAR
- Regjistrimi i aplikantëve fitues kryhet në periudhën 29 gusht – 11 shtator 2025.
- Në momentin e regjistrimit, aplikantët duhet të dorëzojnë dokumentacionin shtesë që përfshin:
- Certifikatë të gjendjes gjyqësore;
- Diplomë dhe listë notash të noterizuar;
- Vërtetim që është i regjistruar për marrjen e lejes së drejtimit të automjetit të tipit “B”;
- Vërtetim nga gjykata që nuk është në proces gjykimi;
- Vërtetim nga prokuroria që nuk është në ndjekje penale;
- Vërtetim nga SPAK që nuk është objekt hetimi.
DETYRIMET E STUDENTËVE
- Studentët e pranuar në Akademinë e Sigurisë do të nënshkruajnë një kontratë me institucionin, ku përcaktohen të drejtat dhe detyrimet gjatë shkollimit, si dhe detyrimi për të shërbyer jo më pak se 3 (tre) vite në strukturat e Policisë së Shtetit pas diplomimit.
- Gjatë periudhës së studimeve, ata trajtohen sipas vendimeve të Këshillit të Ministrave për pagat dhe shpërblimet për punonjësit e Policisë së Shtetit.
INFORMACION SHTESË
- Të gjitha informacionet mbi thirrjen për aplikim, kriteret, dokumentacionin e nevojshëm, videot e testimit fizik dhe udhëzimet për procedurat do të publikohen në faqet zyrtare të Policisë së Shtetit dhe Akademisë së Sigurisë:
- Web: asp.gov.al
- E-mail: info@asp.gov.al
Ftohen të gjithë të rinjtë e interesuar që plotësojnë kriteret e mësipërme të aplikojnë brenda afateve të shpallura për të qenë pjesë e Akademisë së Sigurisë dhe për të ndërtuar një karrierë në shërbim të rendit dhe sigurisë publike!
Formularët model tip, mund ti shkarkoni në linqet e mëposhtme:
FORMULARI-I-APLIKIMIT-PER-PRANIM-NE-POLICI.docx
FORMULAR-VETDEKLARIMI-PER-PRANIM-DHE-RIKTHIM-NE-POLICI.docx
Kerkese-per-aplikim-per-fakultet.docx