DVKM Shkodër/Finalizohet operacioni policor i koduar “Borders”

Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin Shkodër

Vijojnë operacionet nga Policia Kufitare, për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë për kalim të kufijve, në mënyrë të paligjshme.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Borders”.

Ndihmonte emigrantë nga Vendet e Treta, që të kalonin kufirin, në mënyrë të paligjshme, vihet në pranga 27-vjeçari, shtetas azerbajxhanas.

27-vjeçari u kap në flagrancë në vendin e quajtur “Ura e Hotit”, në fshatin Kastrat, duke shoqëruar 4 shtetas nga Afganistani.

Gjatë kontrollit fizik, 27-vjeçarit iu gjet një armë e ftohtë (thikë).

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Shkodër, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Borders”. Si rezultat i këtij operacioni, u arrestua në flagrancë shtetasi azerbajxhanas:

N. M., 27 vjeç, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Nga hetimet dyshohet se ky shtetas ndihmonte emigrantë nga Vendet e Treta, që të kalonin ilegalisht kufirin tokësor me Malin e Zi, kundrejt pagesës.

Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj vepimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.