Sarandë/Vijon operacioni policor i koduar “Plazhi i lirë”, lirohet një hapësirë publike

Sarandë

Vijon operacioni policor i koduar “Plazhi i lirë”, për lirimin e hapësirave publike në vijën bregdetare dhe verifikimin e ligjshmërisë së aktiviteteve të zhvilluara nga subjektet private.

Lirohet një tjetër hapësirë publike në Sarandë, procedohet penalisht administratorja e subjektit që kishte zënë këtë hapësirë duke vendosur çadra dhe shezlongë, pa leje.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake, si rezultat i kontrolleve të ushtruara në bregdet, në një stacion plazhi në Sarandë, konstatuan se administratorja e këtij subjekti, shtetasja A. M., 63 vjeçe, kishte zënë në mënyrë të paligjshme një sipërfaqe toke publike, në të cilën kishte vendosur 44 shezlongë dhe 22 çadra plazhi, pa qenë e pajisur me leje nga autoritetet përkatëse.

Për këtë rast, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë referuan materialet në Prokurori dhe nisën procedimin penal ndaj shtetases A. M., për veprën penale “Pushtimi i tokës”, parashikuar nga neni 200 i Kodit Penal.

Shërbimet e Policisë do të vijojnë kontrollet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike për pushuesit dhe verifikimin e aktiviteteve që kryejnë subjektet, gjatë sezonit veror.