DVP Gjirokastër/Finalizohen brenda 24 orëve dy operacione policore, në fushën e kalimit të paligjshëm të kufirit. Goditen dy raste, të transportimit të kundërligjshëm të emigrantëve.
Finalizohen operacionet policore të koduara “The bridge” dhe “Attempt”.
Vihen në pranga 7 shtetas si dhe shpallet në kërkim 1 shtetas tjetër.
Sekuestrohen 5 automjete të tipit “Toyota” dhe “Volkswagen”, të përdorura për këtë veprimtari të kundërligjshme, 4800 euro, 40 000 lekë, si dhe 8 celularë.
✅️ Në kuadër të operacionit të koduar “The bridge”‘, specialistët e strukturave për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Policisë Rrugore dhe me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, të DVP Gjirokastër, arrestuan në flagrancë shtetasit A. D., 43 vjeç, banues në Durrës, K. T., 22 vjeç, dhe një shtetas i mitur 17 vjeç, të dy banues në Lushnje.
Gjithashtu, u bë ndalimi me iniciativ i shtetasit H. R., 23 vjeç, si dhe u shpall në kërkim shtetasi K. Ç., 23 vjeç, të dy banues në Lushnjë.
2 automjeteve që drejtonin këta shtetas iu është bërë shenjë për të ndaluar, në vendin e quajtur “Ura e Kardhiqit”.
Drejtuesit nuk i janë bindur urdhrit por kanë vijuar me shpejtësi lëvizjen. Menjëherë, shërbimet e Policisë iu janë vënë në ndjekje dhe si rezultat është bërë e mundur kapja e 3 shtetasve. Nga kontrollet, në automjetin që drejtonte shtetasi A. D., u gjetën 6 emigrantë nga Filipinet, të cilët po i transportonin nga Tirana në drejtim të Sarandës, kundrejt fitimit. Nga hetimet dyshohet se shtetasi i arrestuar K. T., dhe 17-vjeçari, kontrollonin rrugën për të sinjalizuar prezencën e Policisë.
Gjithashtu nga hetimet rezultojnë që kanë qënë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale dhe shtetasi i ndaluar H. R., dhe shtetasi i shpallur në kërkim K. Ç., për të cilin punohet për kapjen e tij.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 automjete, 2900 euro, 40 000 lekë, si dhe 4 celularë.
✅️Në kuadër të operacionit “Attempt”, specialistët e strukturave për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Stacionin e Policisë së Kufirit të Gjelbër Kakavije dhe me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, lokalizuan dhe arrestuan në flagrancë shtetasit A. K., 29 vjeç, D. M., 22 vjeç, dhe E. F., 21 vjeç, të tre banues në Durrës.
Të 3 këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në vendin e quajtur “Kthesa e Jorgucatit”, gjatë tentativës për të transportuar 12 emigrantë nga Pakistani, janë lokalizuar nga shërbimet e Policisë, të cilët iu kanë bërë shenjë për të ndaluar. Drejtuesit e automjeteve nuk i janë bindur urdhrit por kanë vijuar me shpejtësi lëvizjen. Menjëherë, shërbimet e Policisë, iu janë vënë në ndjekje dhe si rezultat është bërë e mundur kapja e 3 shtetasve.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 3 automjete, 1900 euro, si dhe 4 celularë.
Materialet procedurale kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim.
#angazhimpërkushtimsakrificë️
#tëvendosurkundërkrimit✅
#nëçdoskajtëvendit
#nëshërbimtëqytetarëve️️