AKADEMIA E SIGURISË, HAPI YT DREJT SË ARDHMES
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Ilir Proda, i shoqëruar nga drejtues të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe nga drejtoresha e Zyrës Vendore të Arsimit Parauniversitar, Shkodër, ka zhvilluar takim me një përfaqësi maturantësh nga shkollat e mesme të qytetit të Shkodrës.
Qëllimi i takimit ishte sensibilizimi i të rinjve për të zgjedhur Fakultetin e Sigurisë dhe Hetimit në Akademinë e Sigurisë, për studimet “Bachelor”. Gjatë takimit është diskutuar për kriteret e pranimit në Akademinë e Sigurisë, si dhe për mundësitë që ofron Akademia.
Gjatë fjalës së tij, përballë maturantëve, ndër të tjera, Drejtor Proda tha:
“Policia nuk është thjesht një profesion, Policia është një mision, i vështirë, por jashtëzakonisht fisnik. Qëllimi i këtij misioni është t’iu shërbesh qytetarëve, si dhe të mbrosh jetën dhe pronën e tyre. Nuk ka privilegj më të madh sesa të kesh mundësinë për t’iu shërbyer qytetarëve. Policia përherë ka nevojë për fytyra të reja, për energji të reja, për një imazh të ri.
Ndaj ju ftoj që të zgjidhni Akademinë e Sigurisë! Zgjidhni Fakultetin për Sigurinë dhe Hetimin! Policia e Shtetit ju pret, Shqipëria ka nevojë për ju. Bashkohuni me ne, sepse siguria është mision që kërkon zemër!
Tashmë Policia e Shtetit është më e konsoliduar, e mirëtrajnuar, e besueshme dhe e barabartë me policitë homologe. Gjithashtu, është më e mirëpaguar dhe e pajisur me mjete logjistike bashkëkohore. Akademia e Sigurisë është e certifikuar nga Ministria e Arsimit, si dhe nga akademitë europiane dhe amerikane, me module të standardizuara ndërkombëtarisht”.
Drejtoresha e Zyrës Vendore të Arsimit Parauniversitar, Shkodër, zj. Brisela Kadija, gjatë takimit, falënderoi Drejtorin, meqë kishte zgjedhur Shkodrën, për të bërë këtë aktivitet, si dhe iu bëri thirrje të rinjve të qarkut Shkodër, që ta shohin si mundësi Akademinë e Sigurisë. Gjithashtu iu theksoi maturantëve se do të ishte privilegj dhe krenari për ta, mbajtja e uniformës së Policisë së Shtetit.
Ndërkaq, nënkryetari i bashkisë Shkodër, z. Alban Preka, falënderoi Drejtorin, për pjesëmarrjen në këtë aktivitet, si dhe vlerësoi rendin dhe sigurinë në Shkodër. Gjithashtu, iu bëri thirrje të rinjve që të kontribuojnë për rendin dhe sigurinë në këtë qark.
Gjatë këtij takimi, 2 maturante zgjodhën të aplikojnë në Akademinë e Sigurisë.