Durrës/Dyshohet se i morën një shumë parash një shtetasi, duke e kanosur me armë zjarri, identifikohen 4 shtetas

Durrës

Dyshohet se i morën një shumë parash një shtetasi, duke e kanosur me armë zjarri, identifikohen 4 shtetas. Vihet në pranga njëri prej tyre, punohet për kapjen e 3 të tjerëve.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës, në bashkëpunim me Seksionin e Hetimit të Krimeve ndaj Personit në DVP Durrës, menjëherë pas kallëzimit nga shtetasi A. I., se dje, në lagjen nr.13, Durrës, 3 shtetas i kishin marrë 150.000 lekë, duke e kanosur me armë zjarri, kanë kryer veprimet hetimore për të identifikuar autorët dhe për të zbardhur rrethanat e rastit.

Si rezultat i veprimeve të shpejta, u kap dhe u vu në pranga njëri nga autorët e dyshuar të rastit, shtetasi A. L., 40 vjeç, banues në Durrës, dhe u shpallën në kërkim 3 të tjerët, shtetasit R. I., 40 vjeç, L. I., 20 vjeç dhe E. M., 34 vjeç, të tre banues në Durrës.

Vijon puna për kapjen e 3 shtetasve të shpallur në kërkim dhe për dokumentimin e rrethanave të këtij rasti.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.