Raporti i ngjarjeve, 20 qershor 2025

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.
Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 125 shtetas, konkretisht: 29 shtetas janë vënë në pranga, 82 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 14 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 11 raste, 4 prej tyre në fushën e kultivimit, me autorë të paidentifikuar. Për raste të tjera, 4 shtetas janë vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 6 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 4 raste. 3 shtetas janë vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 7 raste. 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 7 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ekonomike, janë evidentuar 4 raste. 2 shtetas janë arrestuar, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Për veprat penale në fushën e vjedhjes/tentativës për vjedhje të pronës dhe pasurisë janë evidentuar 11 raste, njëri prej tyre me autor/ë të paidentifikuar. Për raste të tjera, 4 shtetas janë vënë në pranga, 4 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 19 raste. 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 19 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 11 raste të dhunës në familje. 1 shtetas është ndaluar, 4 shtetas janë arrestuar, 3 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, janë plotësuar 10 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.
Janë evidentuar:
-5 raste të kalimit të kundërligjshëm të kufijve, me 7 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të largimit të të burgosurit nga vendi i qendrimit, me 2 shtetas të arrestuar;
-2 raste të shpërdorimit të detyrës, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-nga 1 rast i falsifikimit, mosbindjes ndaj urdhrit të punonjësve të Policisë, ngacmimit seksual dhe përndjekjes, me nga 1 shtetas të arrestuar;
-nga 1 rast i krimeve kibernetike, vjedhjes së energjisë elektrike, vetëgjyqësisë, pengimit të qarkullimit të mjeteve të transportit, përvetësimit të sendeve të vjedhura, shkeljes së rregullave mbi lëndët djegëse/plasëse, kanosjes për shkak të detyrës, goditjes për shkak të detyrës, prishjes së qetësisë publike, keqtrajtimit të të miturit, njoftimit të rremë në organet e rendit, neglizhencës në trajtimin mjekësor, moskallëzimit të krimit dhe veprimeve në kundërshtim me vendimin e gjykatës, me 16 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë.
4 shtetase janë arrestuar, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 10 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, për implikim në prostitucion.
Kanë ndodhur 4 aksidente rrugore, me 5 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 16 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor. 6 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 9 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë referuan materiale në Prokurori dhe:
-shpallën në kërkim shtetasin G. M., 25 vjeç, banues në Shkodër, pasi dyshohet se, brenda një lokali në lagjen “Partizani”, Vlorë, ka vjedhur një portofol me një shumë monetare dhe sende personale në brendësi të tij.
-nisen procedimin penal për shtetasen D. G., 38 vjeçe, mjeke pediatre, e dyshuar për veprën penale “Mjekimi i pakujdesshëm”.

Po këta specialistë referuan materiale për vlerësim, pasi më datë 19.06.2025, ora 11:20, në vendin e quajtur “Lungomare”, janë konfliktuar fizikisht, duke u shtyrë me njëri-tjetrin për motive të dobëta, shtetasit O. H., 37 vjeç, dhe M. D., 41 vjeç.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Selenicë referuan materiale për vlerësim, pasi më datë 19.06.2025, në fshatin Vllahinë, Selenicë, shtetasi B. L., 29 vjeç, është konfliktuar fizikisht me grushte, për motive të dobëta, me shtetasin A. M., 46 vjeç.

Specialistët e Seksionit të Trafikut Urban dhe Interurban Vlorë referuan materiale në Prokurori dhe shpallën në kërkim automjetin tip “Hyundai”, pasi më datë 19.06.2025, drejtuesi i paidentifikuar i këtij automjeti, në rrugën “Xher Rashimi”, Vlorë, ka aksidentuar shtetasin B. S., 29 vjeç, i cili po drejtonte biçikletë. Drejtuesi i automjetit është larguar nga vendi i aksidentit. Shtetasi i dëmtuar, pas ndihmës mjekësore në spital, është larguar për në banesë.

Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan

Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit:
-B. T., 54 vjeç, pasi në rrugën “Qemal Stafa”, me automjetin që drejtonte ka përplasur biçikletën që drejtohej nga shtetasi G. Ç., 65 vjeç. Si pasojë është dëmtuar lehtë 15-vjeçarja që lëvizte me shtetasin G. Ç., në biçikletë;
-Y. T., 23 vjeç, pasi në unazën e qytetit, me automjetin që drejtonte ka përplasur shtetasen D. B., 48 vjeçe, këmbësore, e cila është jashtë rrezikut për jetën.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin A. D., 59 vjeç, pasi u konstatua duke kryer punime ndërtimi, pa leje.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Peqin/Më datë 19.06.2025, ka kallëzuar shtetasi I. D., 38 vjeç, banues në fshatin Fatishe, se mëngjesin e kësaj date, ishte larguar nga banesa, babai i tij, shtetasi N. D., 84 vjeç, i cili vuan nga skleroza. Menjëherë pas kallëzimit, shërbimet e Policisë ushtruan kontrolle për gjetjen e 84-vjeçarit, i cili u gjet rreth orës 19:00, pa shenja jete, në kanalin vaditës pranë banesës. Nga veprimet e para hetimore dhe nga këqyrja paraprake e trupit të 84-vjeçarit nuk u konstatuan shenja dhune. Dyshohet se ai ka rënë aksidentalisht në kanal dhe për pasojë është mbytur. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë.
Drejtoria Vendore e Policisë Berat

Në lidhje me një video të postuar në rrjetet sociale, në të cilën shfaqet një punonjës i Policisë Bashkiake duke goditur me grushte, 1 qytetar, sqarojmë se u kryen hetimet e nevojshme në lidhje me rastin dhe në përfundim të tyre, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. T., 36 vjeç dhe për punonjësin e Policisë Bashkiake, shtetasin Q. N., 54 vjeç, pasi dyshohet se si pasojë e mosmarrëveshjes në lidhje me një masë administrative, kanë goditur me grushte, njëri-tjetrin.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Berat referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen E. B., 45 vjeçe, banuese në Berat, pasi dyshohet se për motive të dobëta, është konfliktuar fizikisht me një 25-vjeçare, në ambientet e subjektit ku punon kjo e fundit.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kuçovë referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin V. Q., 32 vjeç, banues në fshatin Perondi, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj nënës së tij, dhe më pas ka bërë njoftim të rremë në organet e rendit.

Dje, kallëzoi shtetasja L. K., 62 vjeçe, banuese ne fshatin Vodicë, se më datë 09.05.2025, është larguar nga banesa, vajza e saj, shtetasja E. K., 44 vjeçe. Punohet për gjetjen e kësaj shtetaseje.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Beratit, për veprime të mëtejshme.
Durrës

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasit:
-M. C., 35 vjeç, banues në Durrës, pasi dyshohet se ka përndjekur një shtetase 23 vjeçe dhe familjarë të saj, banues në fshatin Xhafzotaj;
-Xh. M., 55 vjeç, banues në Sektor Rina, pasi dyshohet se ka vjedhur në pronën e një shtetasi.

Gjithashtu, këta specialistë kapën dhe ndaluan shtetasit në kërkim A. H., 54 vjeç dhe Sh. P., 54 vjeç, të dy banues në Durrës, pasi dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 16.06.2025, kanë vjedhur në Portin e Durrësit, një tavolinë në pronësi të shtetasit G. Sh.

Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor Durrës arrestuan në flagrancë shtetasit J. U., 48 vjeç, banues në Tiranë dhe G. B., 43 vjeç, banues në Rrogozhinë, pasi janë konstatuar duke drejtuar automjetet përkatëse, në gjendje të dehur.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.
Gjirokastër

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Përmet referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit I. H., 40 vjeç dhe H. L., 53 vjeç, të dy banues në Përmet, pasi dje, dyshohet se janë konfliktuar fizikisht me njëri-tjetrin, për motive të dobëta.

Specialistët e Seksionit të Trafikut Interurban dhe Urban referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin H. M., 58 vjeç, banues në Gjirokastër, pasi dje, në aksin rrugor “Krahës-Krahës 1”, duke drejtuar automjetin, dyshohet se ka humbur kontrollin dhe si pasojë automjeti ka dalë nga rruga. Nga aksidenti janë dëmtuar lehtë 2 pasagjerë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër

Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor ndaluan shtetasin J. M., 33 vjeç, banues në fshatin Melgush, për veprat penale “Drejtim mjeti në mënyrë të parregullt, pa leje drejimi”, dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë “.

Gjithashtu, specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:
-F. M., 18 vjeç, banues në Tiranë, pasi u kap duke drejtuar automjetin, pa leje drejtimi;
-S. D., 25 vjeç, banues në fshatin Vukatanë, pasi dje, në aksin rrugor “Shkodër-Muriqan”, duke drejtuar automjetin, ka humbur kontrollin dhe si pasojë automjeti ka dalë nga rruga. Nga aksidenti është dëmtuar lehtë pasagjeri në automjet.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. M., 19 vjeç, banues në Shkodër, pasi gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i gjetën një sasi të vogël lënde të dyshuar Cannabis Sativa, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:
-K. P., 20 vjeç, banues në Dragovojë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj motrës së tij;
-P. N., 29 vjeç, banues në Lepushk, pasi nga kontrollet me shërbimet e OSHEE-së, në banesën e saj u konstatua lidhje e paligjshme e energjisë elektrike.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër referuan materialet në Prokurori, për vlerësim, pasi në Urgjencën e Spitalit Rajonal Shkodër, gjatë ditës së djeshme, kanë humbur jetën, dyshohet për shkak të arrestit kardiak, shtetasja A. G., 37 vjeçe, banues në Shkodër dhe shtetasi A. F., 71 vjeç, banues në Shkodër.

Më datë 19.06.2025, ka kallëzuar shtetasi L. H., 54 vjeç, se i kanë vjedhur disa vegla pune, në banesën e tij, në fshatin Vik-Nel, gjatë kohës që në banesë nuk ka patur njeri. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2:
-arrestuan shtetasin A. N., 44 vjeç, pasi ka ushtruar dhunë ndaj bashkëjetueses së tij, shtetases F. B., për të cilën nisi procedimi në gjendje të lirë, pasi iu gjet një sasi e vogël Cannabisi;
-arrestuan shtetasin E. I., 22 vjeç, si dhe referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen V. S., 21 vjeçe, bashkëjetues, pasi janë konfliktuar fizikisht, me njëri-tjetrin;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin B. F., 33 vjeç, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka goditur me grushte, një 42-vjeçar.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3:
-arrestuan shtetasin A. B., 39 vjeç, pasi ka kallëzuar një 13-vjeçare, se e ka ngacmuar seksualisht. Vijojnë hetimet për verifikimin e këtij kallëzimi;
-shpallën në kërkim shtetasin O. G., 30 vjeç, pasi dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka dëmtuar me mjet prerës (thikë), një 28-vjeçar. Punohet për kapjen e 30-vjeçarit.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:
-N. T., 36 vjeç, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka goditur me grushte, një 51-vjeçar;
-N. Gj., 51 vjeç, pasi ka vënë muzikë në lokalin e tij, në tejkalim të orarit të përcaktuar me ligj.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vorë arrestuan shtetasin A. L., 26 vjeç, pasi kishte me vete një dorezë metalike.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Krujë arrestuan shtetasin T. K., 36 vjeç, si dhe referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin R. V., 39 vjeç, pasi në aksin rrugor “Nikël – Fushë Krujë”, janë përplasur automjetet që drejtonin. Nga verifikimet ka rezultuar se shtetasi T. K. e drejtonte automjetin, në gjendje të dehur. Si pasojë janë dëmtuar 2 shtetasit që janë në spital dhe jashtë rrezikut për jetën.

Specialistët e qarkullimit rrugor arrestuan shtetasin A. S., 67 vjeç, pasi u kap duke drejtuar motomjetin, në gjendje të dehur.

-Rreth orës 01:10, shtetasi M. V. ka njoftuar Sallën Operative të DVP Tiranë, se është qëlluar me armë zjarri në drejtim të lokalit të tij, në fshatin Krastë, Fushë Krujë. Si pasojë ka patur vetëm dëme materiale. Punohet për identifikimin e autorit/ëve, si dhe për sqarimin e rrethanave të rastit.

-Shtetasi N. R., 36 vjeç, kallëzoi se më datë 18.06.2025, ishte larguar nga banesa, babai i tij, shtetasi B. R., 71 vjeç. Punohet për gjetjen e 71-vjeçarit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Mat

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, kapën dhe ndaluan shtetasin e shpallur në kërkim L.D., 21 vjeç, banues në Burrel. Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim nga DVP Tiranë, pasi Gjykata e Tiranës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Po nga këto shërbime, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin N.Xh., 64 vjeç, banues në Burrel, pasi me vetëgjyqësi ka bllokuar një rrugë në fshatin Laç-Bruç, dhe nuk ka lejuar një shtetase të kalojë në këtë rrugë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Korçë

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë arresuan në flagrancë shtetasin K. P., 22 vjeç, banues në Ravonik, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij, e cila u pajis me urdhër mbrojtjeje.

Gjithashtu, referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi penal për shtetasit:
M. N. dhe A. K., pasi u kapën duke kryer punime ndërtimi, pa leje;
K. M., 35 vjeç, banues në Lubonjë, pasi u kap duke transportuar 6m³ lëndë drusore të prerë në kundërshtim me ligjin. Lënda drusore u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi penal për shtetasin M. Sh., 34 vjeç, banues në Stropckë, pasi u kap duke transportuar 6 m³ lëndë drusore të prerë në kundërshtim me ligjin. Lënda drusore u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kolonjë referuan materialet në Prokurori, për vlerësim, pasi shtetasja Sh. Q. dyshohet se ka dëmtuar me lëndë kimike helmuese, disa hardhi në pronat e 2 bashkëfshatarëve.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lezhë arrestuan në flagrancë shtetasit:
-P. G., 35 vjeç, banues në fshatin Kallmet, pasi gjatë kontrollit në lokalin e tij, në fshatin Kallmet, u gjet dhe u sekuestrua një kompjuter me të cilin dyshohet ushtronte veprimtari të paligjshme të lojërave të fatit;
-A. P., 25 vjeç, banues në Torovicë, pasi ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, caktuar nga Gjykata e Shkodrës, për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim;
-R. S., 26 vjeç, banues në Lezhë, pasi ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, caktuar nga Gjykata e Lezhës, për veprën penale “Vjedhja”.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Mirditë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit:
-A. B., 60 vjeç, dhe P. S., 63 vjeç, të dy banues në Rrëshen, pasi shtetasi A. B. ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj babait të tij, shtetasit P. B., 88 vjeç, banues në Rrëshen, ndërsa shtetasi P. S., me detyrë mjek në spitalin e Rrëshenit e ka dërguar 88-vjeçarin, për mjekim në Spitalin Psikiatrik Shkodër, pa dokumentacionin mjekësor përkatës. Shtetasi P. B. u pajis me urdhër mbrojtjeje;

Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori dhe u shpall në kërkim shtetasi L. V., 51 vjeç, banues në fshatin Nerfushaz, pasi ka ushtruar dhunë ndaj shtetasit E. Ç..

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Fier

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin P. D., 41 vjeç, banues në Lushnjë, pasi ka bërë kallzim shtetasi A. K. se 41-vjeçari nuk i ka paguar një shumë lekësh për shitjen e zogjëve.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier referuan materialet në Prokurori për vlerësim pasi në fshatin Libofshë, në kasollen pranë banesës, është vetëvarur shtetasi N. D., 64 vjeç.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.