Policia e Shtetit
Vijon bashkëpunimi shumë i ngushtë me partnerët në Emiratet e Bashkuara Arabe, për të lokalizuar, kapur dhe ekstraduar shtetasit e shpallur në kërkim ndërkombëtar, që synojnë t’i fshihen drejtësisë shqiptare.
Ekstradohen nga Dubai në Shqipëri, 3 shtetas të akuzuar nga GjKKO-ja, si të përfshirë në ngjarje të rënda kriminale kundër personit dhe si përkrahës të një shtetasi të shumëkërkuar.
3 shtetasit e ekstraduar u kapën disa javë më parë, nga Policia e Dubait, si rezultat i sigurimit dhe shkëmbimit të shpejtë të informacioneve, nga struktura të specializuara të Policisë së Shtetit.
Në vijim të bashkëpunimit ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Abu Dhabit, në kuadër të operacionit ndërkombëtar, të koduar “The Wanted”, u finalizuan procedurat për ekstradimin në Shqipëri, të shtetasve shqiptarë, të shpallur në kërkim ndërkombëtar:
-E. D., 38 vjeç, të cilit GjKKO-ja, në vitin 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”, kryer në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal;
-M. K., 39 vjeç, të cilit GjKKO-ja, në vitin 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer për interes dhe hakmarrje, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal;
-A. Xh., 40 vjeç, të cilit GjKKO-ja, në vitin 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, kryer në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal.
Të tre shtetasit e ekstraduar iu dorëzuan Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.