Policia e Shtetit/Kapet dhe arrestohet në Mbretërinë e Bashkuar një shtetas shqiptar me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i kërkuar për vrasje për arsye gjakmarrjeje

Policia e Shtetit

Kapet dhe arrestohet në Mbretërinë e Bashkuar një shtetas shqiptar me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i kërkuar për vrasje për arsye gjakmarrjeje.

Si rezultat i shkëmbimit të informacionit ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Manchester, është arrestuar shtetasi shqiptar L. L., 47 vjeç, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, me qëllim ekstradimi drejt Shqipërisë.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim në zbatim të vendimit të vitit 2023 të Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan (dosje e kaluar pranë SPAK), e cila ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale:

“Vrasje për arsye gjakmarrjeje”,

“Sigurimi i mjeteve dhe kushteve për kryerjen e vrasjes”,

“Grup i strukturuar kriminal”, në formën e veçantë të bashkëpunimit,

“Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”.

Përmbledhje e ngjarjes:

Më datë 27.10.2021, në fshatin Gjocaj, Peqin, është vrarë me armë zjarri shtetasi A. B.

Nga hetimet e kryera, autorë të kësaj ngjarjeje rezultojnë shtetasit L. H., A. T., L. S., E. Xh. dhe B. B.

Shtetasi L. L. dyshohet se ka pasur rolin e organizatorit dhe financuesit të kësaj vrasjeje, si dhe ka siguruar mjetet dhe kushtet për kryerjen e saj. Po ashtu, pas ngjarjes, ka ndihmuar në transportimin dhe largimin e autorëve nga vendngjarja.

Arrestimi i tij u bë i mundur falë bashkëpunimit të ngushtë mes Interpol Tiranës dhe Interpol Manchester, në kuadër të operacionit ndërkombëtar “The Wanted”, që ka në fokus lokalizimin dhe arrestimin e personave në kërkim për vepra të rënda penale.

Veprimet e mëtejshme procedurale për ekstradimin e këtij shtetasi drejt vendit tonë janë në proces, në bashkëpunim me autoritetet britanike.