Raporti i ngjarjeve, 17 qershor 2025

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 81 shtetas, konkretisht: 16 shtetas janë vënë në pranga, 62 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 3 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 9 raste, 3 prej tyre në fushën e kultivimit, me autorë të paidentifikuar. Për raste të tjera, 1 shtetas është vënë në pranga dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 4 raste. 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 11 raste. 1 shtetas është vënë në pranga dhe 15 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ekonomike, janë evidentuar 3 raste. 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Për veprat penale në fushën e vjedhjes/tentativës për vjedhje të pronës dhe pasurisë janë evidentuar 4 raste, njëri prej tyre me autor/ë të paidentifikuar. Për raste të tjera, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 6 raste. 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 10 raste të dhunës në familje. 6 shtetas janë arrestuar, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, janë plotësuar 12 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Janë evidentuar:

-3 raste të kalimit të paligjshëm të kufijve. 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

-2 raste të mosbindjes/kundërshtimit të urdhrave të punonjësve të Policisë. 1 shtetas është arrestuar dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë;

-1 rast i largimit të të burgosurit nga vendi i qendrimit. 1 shtetas është arrestuar;

-nga 1 rast i organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, nxitjes së grindjeve/urrejtjes, pastrimit të produkteve të veprës penale/veprimtarisë kriminale, ushtrimit të prostitucionit, kallëzimit të rremë, shkatërrimit të rrjetit të ujësjellësit, ndërhyrjes së padrejtë në jetën private, kanosjes për shkak të detyrës, fyerjes dhe veprimeve në kundërshtim me vendimin e gjykatës, me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

2 shtetas të kërkuar përkatësisht për falsifikim ose trafikim të mjeteve motorike, janë ndaluar dhe për ta ka nisur procedimi në gjendje të lirë.

Kanë ndodhur 6 aksidente rrugore, me 10 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 16 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor. 5 shtetas janë vënë në pranga dhe 11 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve arrestuan në flagrancë shtetasin A. Rr., 32 vjeç, pasi shërbimet e Komisariatit të Policisë Vorë i gjetën në automjet, një sasi lënde të dyshuar narkotike Kokainë, e cila u sekuestrua me cilësinë e provës materiale.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda ekzekutuan vendimin e Gjykatës së Tiranës, për ndalimin e shtetasit F. C., 32 vjeç, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”. Ai akuzohet se më datë 09.04.2025, gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka plagosur në këmbë, me armë zjarri, shtetasin G. H., 29 vjeç.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:
-A. H., 25 vjeç, pasi nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të Policisë, për të ndaluar me qëllim verifikimin, automjetin që drejtonte;
-S. T., 24 vjeçe, pasi dyshohet se ka zëvendësuar me produkte false, produktet në dyqanin ku punonte, me qëllim shitjen për përfitime personale.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 shpallën në kërkim shtetasin M. A., 34 vjeç, pasi dyshohet se ka vjedhur një shumë parash dhe disa pajisje për muzikë, në një dyqan në rrugën “Sulejman Delvina”. Punohet për kapjen e 34-vjeçarit.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:
-Xh. B., 24 vjeç dhe K. M., 21 vjeç, pasi dyshohet se për motive të dobëta, janë konfliktuar me njëri-tjetrin;
-G. M., 68 vjeç, pasi dyshohet se për motive pronësie, ka kanosur dhe ka goditur me grusht, një 63-vjeçar;
-Sh. L., 54 vjeçe dhe D. T., 55 vjeçe, pasi dyshohet se janë konfliktuar fizikisht me njëra-tjetrën. Gjithashtu, për shkak të konfliktit, 54 vjeçarja ka dëmtuar pajisje në lokalin e shtetases D. T.;
-F. K dhe A. K., pasi dyshohet se për motive të dobëta, janë konfliktuar fizikisht me njëri tjetrin.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen A. S., 44 vjeçe dhe për vajzën e saj, 14 vjeçe, pasi dyshohet se janë konfliktuar fizikisht, me një 14-vjeçare.

Specialistët e qarkullimit rrugor referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:
-O. L., 27 vjeç (punonjës Policie), pasi me motomjetin që drejtonte, ka përplasur këmbësorin, shtetasin V. M., në rrugën “Xhanfize Keko”. Si pasojë janë dëmtuar të dy shtetasit, të cilët janë në spital dhe jashtë rrezikut për jetën;
-A. Gj., 39 vjeç, pasi dyshohet se ka humbur kontrollin mbi motomjetin që drejtonte dhe si pasojë motomjeti ka dalë nga rruga. Nga përplasja është dëmtuar 39-vjeçari, i cili është në spital dhe jashtë rrezikut për jetën.

-Më datë 16.06.2025, në rrugë te bulevardi i ri, është konstatuar pa shenja jete dhe pa shenja dhune, një shtetas ende i paidentifikuar. Paraprakisht, dyshohet se ai e ka humbur jetën prej shkaqeve natyrale. Punohet për identifikimin e tij, si dhe për sqarimin e rrethanave të rastit.

-Më datë 16.06.2025, është paraqitur për mjekim, në spital, shtetasja M. M., 44 vjeçe, pasi dyshohet se në banesë, ka konsumuar mbidozë ilaçesh. Punohet për sqarimin e rrethanave të rastit.

-Më datë 16.06.2025, shtetasi Sh. S. ka kallëzuar se kur ka marrë turnin e punës në objektin ku punon si roje, ka konstatuar se mungonin 2 njësi kompjuterike. Punohet për zbardhjen e rrethanave të rastit.

-Më datë 16.06.2025, në rrugën “Loni Ligori”, dyshohet se në gjëndje të rënduar psikologjike, është vetëdëmtuar në banesë, me mjet prerës, shtetasi A. U., 23 vjeç, i cili është në spital dhe jashtë rrezikut për jetën.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër

 

Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin A. H., 50 vjeç, banues në Vaun e Dejës, për veprat penale “Ushtrimi i aktivitetit tregtar të paligjshëm” dhe “Fshehja e të ardhurave”, pasi është konstatuar nga shërbimet e Policisë, duke tranportuar pasagjerë me automjetin e tij, pa qenë i pajisur me licencën përkatëse për këtë veprimtari.

 

Ditën e djeshme, në lagjen “Salo Halili”, dyshohet se për shkak të një shkëndije elektrike, ka rënë zjarr në banesën e shtetasit Sh. K., 81 vjeç. Si pasojë janë shkaktuar dëme materiale. Punohet për dokumentimin e shkakut të rënies së zjarrit.

 

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë

 

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve arrestuan në flagrancë shtetasin A. J., 20 vjeç, banues në Sarandë, pasi gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i gjetën dhe i sekuestruan një sasi lënde të dyshuar narkotike cannabis sativa.

 

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë:

-arrestuan shtetasin D. Z., 38 vjeç, banues në Vlorë, pasi është konstatuar nga shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, jashtë banesës së tij, duke thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata, për veprën penale “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”;

-referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin D. G., 35 vjeç, banues në Vlorë, pasi dje, në një lokal në lagjen “28 Nëntori”, ka kanosur me një pistoletë lodër, për motive të dobëta, shtetasin K. H., 34 vjeç. Gjithashtu, nisi procedimi penal për shtetasit L. M., 51 vjeç dhe Xh. I., 31 vjeç, pasi janë konfliktuar fizikisht me shtetasin D. G.

 

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Himarë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit:

-P. D., 67 vjeç, pasi më datë 16.06.2025, shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë kanë kryer verifikime lidhur me disa pamje të publikuara në rrjetet sociale, ku shfaqet ky shtetas, në plazhin e Borshit, duke larguar disa pushues, me pretendimin se ishte hapësirë e tij, dhe duke kryer veprime të turpshme në prani të tyre;

-B. P., 75 vjeç, pasi ka kallëzuar shtetasi M. M., 77 vjeç, se shtetasi B. P. i ka zaptuar një pronë, në fshatin Borsh.

 

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë arrestuan shtetasin O. G., 35 vjeç, banues në fshatin Gjashtë, pasi ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij, shtetases E. G. Gjithashtu, nisi procedimi penal për shtetasen M. L., 45 vjeçe, banuese në Gjashtë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj shtetases E. G. dhe nënës së saj, shtetases Q. G.

 

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Konispol referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin A. A., 37 vjeç, banues në fshatin Shalës, Konispol, pasi ka kallëzuar shtetasi A. A., 34 vjeç, banues në Konispol, se 37-vjeçari e ka goditur me grushte.

 

Materialet iu referuan prokurorive, për veprime të mëtejshme.

DVP Kukës

 

Specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore arrestuan në flagrancë shtetasin K. H., 21 vjeç, banues në Kukës, pasi u kap duke drejtuar automjetin, pa leje drejtimi.

 

Gjithashtu, në vijim të veprimeve për këtë rast, specialistët për Hetimin e Narkotikëve referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin S. B., 20 vjeç, banues në Kukës, pasagjer në automjetin që drejtonte shtetasi K. H., pasi gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i gjetën një sasi të vogël lënde të dyshuar narkotike cannabis sativa.

 

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve referuan materialet në Prokurori edhe për shtetasit F. P. dhe M. Ç., të dy 26 vjeç, banues në fshatin Shishtavec, pasi gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë iu gjetën sasi të vogla të lëndës së dyshuar narkotike cannabis sativa.

 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Korçë

 

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë:

-arrestuan në flagrancë shtetasin M. K., 44 vjeç, banues në Korçë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij, e cila u pajis me urdhër mbrojtjeje. Gjithashtu, gjatë shoqërimit në komisariat, 44-vjeçari ka kundërshtuar me forcë punonjësit e Policisë;

-referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi penal për shtetasin E. T., 50 vjeç, pasi gjatë kontrollit në ambientet e një lokali që ka në përdorim, në lagjen nr. 9, janë gjetur pajisje që shërbejnë për lojëra fati, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

 

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Maliq referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi penal për shtetasin K. M., 30 vjeç, banues në Maliq, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka goditur më send të fortë një 38-vjeçar.

 

Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi penal për shtetasin N. K., 30 vjeç, banues në Çiflig, pasi duke drejtuar automjetin, ka humbur kontrollin dhe për pasojë automjeti ka dalë nga rruga. Nga aksidenti është dëmtuar lehtë pasagjerja në automjet.

 

Më datë 16.06.2025, në aksin rrugor “Pogradec-Qafë Thanë”, dyshohet se për shkak të një defekti, ka marrë flakë në lëvizje automjeti tip “Benz”, që drejtohej nga shtetasi V. Ç. Si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale.

 

Më datë 16.06.2025, shtetasi N. Sh., 51 vjeç, banues në Libonik, duke punuar në banesën e shtetasit A. M., dyshohet se aksidentalisht është dëmtuar në kokë. Ai mori mjekim dhe është jashtë rrezikut për jetën.

 

Në Komisariatin e Policisë Kolonjë është paraqitur shtetasi S. P., 55 vjeç, banues në Ersekë, i cili ka kallzuar se i kanë vjedhur një shumë lekësh në banesën e tij, gjatë kohës që aty nuk ka patur njeri. Po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.

 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë

 

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Lezhë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin G. T., 58 vjeç, banues në Londër, pasi dyshohet se ka falsifikuar një prokurë të një shtetaseje britanike dhe e ka përdorur për të bërë kallëzim të rremë në institucionet shqiptare, me qëllim përfitimin e shumës 710 000 paund, të cilën kjo shtetase ia kishte dërguar si dhuratë përmes transfertave bankare, një shtetasi shqiptar (ish-bashkëjetuesi i saj).

 

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Kufitare në PKK Port Durrës, kapën shtetasin A. V., 55 vjeç, banues në Lezhë, i cili ishte shpallur në kërkim pasi dyshohet se ka trafikuar në Shqipëri, një mjet bujqësor të vjedhur. Pas konsultimit me prokurorin, u vendos që ky shtetas të procedohet në gjendje të lirë.

 

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lezhë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin A. L., 43 vjeç, banues në fshatin Grykë Zezë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj nënës së tij.

 

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Mirditë kapën shtetasin A. Ll., 26 vjeç, banues në Rrëshen, i shpallur në kërkim për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje”. Pas konsultimit me prokurorin, u vendos që ky shtetas të procedohet në gjendje të lirë.

 

Specialistët e Seksionit të Qarkullimit Rrugor të DVP Lezhë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin P. N., 41 vjeç, banues në Mirditë, pasi duke drejtuar pa leje drejtimi, një motomjet pa targa, ka humbur kontrollin, është rrëzuar dhe për pasojë është dëmtuar. Ai po merr mjekim në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën.

 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.